Fillon të marrë formë qendra e trekëndëshit urban Pekin – Tianjin – Hebei

2017-09-27 16:02:07 CRI Komenti juaj Printoni

Jiang Junming, një banor 54-vjeçar nga fshati Mazhuang i qarkut Rongcheng, në veri të provincës Hebei të Kinës, nënshkroi më 9 shtator një kontratë të përkohshme qiraje të tokës me qeverinë lokale. Me këtë kontratë, ai do të kompensohet çdo vit 4,147.5 juanë (629 dollarë) për 1.75 mu (0.117 hektarë) tokë bujqësore, e cila do të përdoret për ndërtimin e zyrave të përkohshme të Komitetit të zonës së re Xiongan, derisa të hartohet një politikë e plotë e kompensimit të tokës nga komiteti administrativ.

Projekti i ndërtimit që shtrihet në 66.67 hektarë tokë, prek tokat e 240 familjeve të fshatit. Jiang ishte i pari që nënshkroi kontratën dhe më pas vijuan dhe 239 fshatarë të tjerë.

Para se të hartohet një politikë formale kompensimi për tokën nga komiteti administrativ i zonës së re, të gjitha familjet e prekura mund të marrin përkohësisht 1.500 juanë ($ 227) për mu në vit si kompensim.

"Shuma është më e madhe se ajo që unë mund të fitoj nga punimi i tokës", thotë Jinag.

Menjëherë pas nënshkrimit të kontratave, filloi ndërtimi i qendrës së re administrative që do të përfshijë komitetin e punës së Partisë Komuniste të Xiongan-it, qendrën e menaxhimit dhe zyrat për disa ndërmarrje. Ajo gjithashtu do të shërbejë edhe për funksione të tjera, siç janë pritjet, konferencat dhe ekspozitat.

Pasi u shpall plani për caktimin e Xiongan-it si një zonë e posaçme ekonomike, vërshuan kërkesat për ndërtuar dhe për të blerë pasuri të patundshme. Por duke pasur parasysh eksperiencat e mëparshme, autoritetet këtë herë duken se nuk po nguten.

"Ne nuk do të fillojmë asnjë ndërtim derisa të kemi një plan të detajuar për çdo pëllëmbë toke në zonën e re", thotë Zhao Kezhi, sekretar i Komitetit Krahinor të PKK-së së Hebei-it.

Më 26 qershor, autoritetet lokale hapën konkursin ndërkombëtar për projektimin e zonës së re ekonomike. Deri më 3 korrik, gjithsej 279 kompani dorëzuan projektet.

Ndërsa më 20 gusht, u përzgjodhën 12 projekte për fazën përfundimtare të garës. Projekti fitues pritet të shpallet në fund të shtatorit.

Zona e re, qëllimi i së cilës është të ndihmojë zbutjen e presionit ndaj Pekinit, duke u bërë një qendër e funksioneve dytësore të kryeqytetit, "do të jetë një zonë urbane e gjelbër, me cilësi e jete dhe moderne, një rajon i udhëhequr nga zhvillimi dhe risitë, një zonë e zhvillimit të ekuilibruar dhe një rajon pionier," thotë zëvendëskryeministri kinez Zhang Gaoli.

Zhang shtoi se zhvillimi i Zonës së re Xiongan do të zbulojë mënyra të reja të adresimit të problemeve të qyteteve të mëdha, do të nxisë novacionin, duke e bërë këtë një prej motorëve të rritjes së re, do të përsosë modelin e zhvillimit urban dhe do të mbushë boshllëqet që shfaqen në rritjen ekonomike dhe shërbimet publike në rajonin Pekin-Tianjin- provinca Hebei.

Në sondazhet e tij paraprake, Instituti Gjeologjik i Kinës, një agjenci kërkimore nën Ministrinë e Tokës dhe të Burimeve, gjeti se zona është "shumë e përshtatshme për zhvillimin nëntokësor" dhe sugjeroi një plan për ndërtimin e hapësirave nëntokësore.

Kjo zonë e re ekonomike që lidh trekëndëshin urban, Pekin – Tianjin-Hebei, është lidhur nga 6 korriku me Pekinin nëpërmjet trenave të shpejtë, të ashtuquajtur plumb.

Mrekulli
Lajmet Kryesore