Toka e bollëkut, Sichuan-i i qaset nismës 'Brezi dhe Rruga' për të nxitur partneritete jashtë vendit

2017-08-30 14:37:34 CRI Komenti juaj Printoni

 

Provinca Sichuan ka GDP-në e gjashtë më të lartë në Kinë, potencialin më të madh për prodhimin e energjisë elektrike nga uji dhe është portë hyrëse jo vetëm e Perëndimit të Kinës, por gjithashtu për tregjet në zhvillim të Azisë Juglindore. Provinca është gjithashtu shtëpia e pandave.

Por kjo nuk është e mjaftueshme dhe Sichuan-i, një provincë e Kinës Jugperëndimore, po përpiqet të përmirësojë treguesit e PBB-së dhe të zhvillimit, duke përdorur epërsitë e nismës 'Brezi dhe Rruga'.

Në vitin 2016, Sichuan-i regjistroi një GDP prej 3.2 trilionë juan (rreth 464 miliardë dollarë). Kjo është një rritje prej 7.7 për qind nga viti 2015. Vëllimi total i importeve dhe i eksporteve arriti në 49.33 miliardë dollarë; prodhimi i sektorit të automjeteve arriti në milionë njësi; 316 prej 500 kompanive më të mëdha të globait janë vendosur këtu.

"Ne renditemi shumë të lart në treguesin e zhvillimit të Kinës dhe radhitemi të gjashtët në aspektin e PBB-së, por ne mundemi dhe do të ngjitemi më lart", thotë Xiao Yonggang, zëvendësdrejtor i Departamentit të Protokollit dhe Informacionit pranë Zyrës së Punëve të Jashtme dhe të provincës.

Katër përparësitë

Qeveria e provincës po u kushton tani më shumë rëndësi industrive dytësore, veçanërisht teknologjisë së informacionit (IT), prodhimit të pajisjeve për prodhimin e energjisë, sektorit të automobilave dhe përpunimit ushqimor.

"Vitet e fundit, Sichuan-i ka tërhequr shumë kompani të mëdha të teknologjisë së informacionit, si për shembull Intel dhe Foxconn. Vëllimi i përgjithshëm i industrisë së teknologjisë së informacionit është rreth 100 miliardë dollarë. Gjenerimi i energjisë elektrike është gjithashtu një element i rëndësishëm i industrisë dytësore," thotë Kan Zelan, një zyrtar i Komisioni të Zhvillimit dhe i Reformës së provincës.

E pozicionuar midis rrafshnaltës Qinghai-Tibet dhe basenit të Sichuan-it, provinca ka potencial të madh për gjenerimin e hidro-energjisë për shkak të përparësive gjeografike.

Gjithashtu në listën e përparësive është industria e makinave, e cila ironikisht u "humb" në vitin 1997, kur Chongqing-u iu hoq provincës dhe u bë bashki e varur direkt nga qeveria qendrore. "Në atë kohë, industria e automobilave u zhvendos në Chongqing, kështu ne duhet ta fillojmë nga zero", thotë Kan.

Në vitet e fundit, Sichuan-i ka tërhequr prodhues të automobilave si Toyota, Volkswagen, Honda dhe Volvo, ndërkohë që tani prodhimi vjetor i tejkalon 1 milion njësi. Shkalla e rritjes së industrisë së prodhimit të automjeteve ka arritur 14.2 për qind, duke përbërë 6 për qind të prodhimit industrial të krahinës.

Prodhimet bujqësore dhe përpunimi i ushqimit përbëjnë sektorët me përparësi jetësore për Sichuan-in. "Prodhimi në Sichuan jo vetëm që plotëson kërkesat e popullsisë së provincës, por gjithashtu ndihmon qytetarët në provinca të tjera. Ne duhet të punojmë për zhvillimin e një sistemi modern të transportit për të ndihmuar në mbështetjen e këtij zhvillimi ekonomik dhe industrial", thekson Kan Zelan, një zyrtar i Komisioni të Zhvillimit dhe të Reformës së provincës. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore