Ulen tensionet në kufirin kino-indian, rriten shpresat për një marrëveshje diplomatike

2017-08-30 14:24:05 CRI Komenti juaj Printoni

Kina është shprehur e kënaqur pasi India ra dakord për tërheqjen e trupave të saj nga zona e kontestuar në kufi me Bhutanin, duke i dhënë fund dy muaj konfrontimesh të tendosura mes ushtrive kineze dhe indiane.

Zëdhënësja e Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Hua Chunying konfirmoi se ushtarakët indianë janë tërhequr nga kjo zonë e Himalajeve, ndërkohë që trupat kineze po vijojnë patrullimet e kufirit. Në një konferencë shtypi të hënën, zëdhënësja theksoi se Kina do të vazhdojë ta mbrojë sovranitetin territorial, sipas marrëveshjes historike të kufirit.

"Qeveria kineze i kushton rëndësi zhvillimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Indinë dhe shpreson se India do ta respektojë marrëveshjen historike të kufirit e parimet themelore të ligjit ndërkombëtar për të mbrojtur së bashku harmoninë në zonën kufitare, në bazë të respektit të ndërsjellë të sovranitetit territorial dhe për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm të marrëdhënieve dypalëshe."

Më 18 qershor, trupat kufitare indiane hynë në mënyrë të paligjshme në zonën Doklam të Kinës. Pas kësaj, Kina i paraqiti një notë proteste palës indiane, si dhe e njohu komunitetin ndërkombëtar me ngjarjen. Pekini i kërkoi palës indiane të tërheqë menjëherë trupat që kishin kaluar kufirin. Në të njëjtën kohë, trupat kineze morën masa për të mbrojtur sovranitetin territorial dhe interesat legjitime të shtetit.

Edhe Ministria e Mbrojtjes e Kinës u shpreh të hënën se trupat kineze do të jenë në gatishmëri të lartë për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin territorial të vendit. Zëdhënësi Wu Qian, i bëri njëkohësisht thirrje palës indiane të nxjerrë mësime nga incidenti në kufi.

"Paqja e qetësia në zonën kufitare midis Kinës e Indisë lidhen me paqen e stabilitetin rajonal dhe përputhen me interesat e përbashkëta të të dy vendeve dhe të dy popujve. Ne e kujtojmë palën indiane të nxjerrë mësime nga ky incident, të respektojë marrëveshjen historike të kufirit dhe parimet e ligjit ndërkombëtar dhe të veprojë së bashku me palën kineze për të mbrojtur paqen në këtë zonë, duke nxitur zhvillimin e shëndetshëm të marrëdhënieve midis dy ushtrive. Sot bota nuk është shumë e qetë dhe duhet të mbrohet paqja. Trupat kineze kanë besim e aftësi të mbrojnë sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të shtetit dhe do të japin kontribut më të madh për mbrojtjen e paqes botërore."

Kina dha India njoftuan më herët "mosangazhimin" e trupave të tyre në pllajën malore në Doklam apo Donglang në gjuhën kineze.

E vendosur në pjesën perëndimore të Butanit dhe në lindje të shtetit indian të Sikkim, kjo zonë strategjike mundëson lidhjen mes territoreve indiane, kineze dhe bhutaneze.

Sfondi i ngjarjeve në vijnë kufitare

Kundërvënia e fundit në kufi midis Kinës dhe Indisë u fokusua në rrafshnaltën Doklam. Kjo nuk është hera e parë që midis dy vendeve ndodh përplasje, por kësaj here në rrafshnaltën Doklam, ajo është më e ashpër. Edhe pse India nuk ka ndonjë shkak të arsyeshëm, trupat indiane kaluan kufirin me Kinën në Doklam dhe duken të vendosura të mos tërhiqen. Kjo ngjarje nuk ndodhi rastësisht.

Rrafshnalta Doklam gjendet në kufirin midis Kinës, Indisë dhe Bhutanit. Kjo tokë kineze e rrethuar nga territori i Indisë duket si një thikë që pret barkun e këtij vendi. Ajo që e frikëson më shumë Indinë është korridori Siliguri, i cili shërben si kanal që lidh pjesën perëndimore të Indisë me atë lindore.

Kjo zonë me gjerësi vetëm 20 km konsiderohet si gryka e Indisë. Në rast se do të shpërthejë lufta, trupat kineze mund të shkojnë me shpejtësi nga rrafshnalta Doklam drejt jugut. Në qoftë se Kina do ta kontrollonte korridorin Siliguri, ajo do të zoteronte grykën e Indisë dhe trupat e pjesës perëndimore indiane nuk do të kishin mundësi të shkonin në pjesën lindore.

India shqetësohet shumë ndaj veprimeve të Kinës në rrafshnaltën Doklam, por ajo nuk mund të fabrikojë ngjarje, sepse kjo pjesë e kufirit midis Indisë dhe Kinës është e përcaktuar qartë. E vetmja mënyrë e Indisë është të manipulojë Bhutanin, i cili nuk ka marrëveshje diplomatike me Kinën dhe nuk e ka përcaktuar ende kufirin me të.

Bhutani është një shtet kukull nën kontrollin e Indisë. India pretendon se i dërgoi trupat në Doklam me kërkesën e Bhutanit, por Bhutani nuk ka bërë asnjë deklaratë për këtë.

Rrafshnalta Doklam është aq e rëndësishme, sa që Kina dhe Bhutani nuk kanë mundur të arrijnë asnjë rezultat edhe pas mbi 20 raunde bisedimesh. Për Kinën, s'ka arsye të tërhiqet nga kjo zonë me rëndësi kaq strategjike që i përket Tibetit të Kinës, që nga lashtësia. Ndërsa për Indinë, kontrolli i Doklamit nga Kina nënkupton epërsi strategjike, prandaj ajo e detyron Bhutanin ta fitojë këtë zonë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore