Realiteti virtual si mundësi për të shpëtuar trashëgimitë kulturore nga turizmi, tërmetet apo ndryshimi i klimës

2017-08-09 16:16:32 CRI Komenti juaj Printoni

 

Teknologjia po përdoret për të konservuar dixhitalisht shpellat Mogao të Dunhuang-ut, ndërsa turizmi masiv po shtohet vazhdimisht. Pamjet dhe fotografitë e marra nga një dron po ndihmojnë tani grupe si CyArk për të krijuar modele tredimensionale të vendeve të trashëgimisë anembanë globit.

Këtu i ka rrënjët Kina. Shpellat Mogao, të cilat u prijnë pikave kryesore turistike në Rrugën e Mëndafshit në provincën perëndimore Gansu të Kinës, janë sa të çmuara aq dhe delikate.

Njohur gjithashtu si Shpellat e Mijëra Budave, ato formojnë një sistem prej 492 tempujsh pranë qytetit të Dunhuang, një nga shembujt më të mirë të artit budist të Kinës. Disa prej këtyre tempujve datojnë që nga viti 366 para erës sonë. Midis këtyre shpellave ndodhen rreth 45.000 metra katrorë piktura murale dhe 2.415 skulptura me ngjyra të prodhuara me argjilë, dru dhe kashtë.

Mund të tingëllojë intrigues, por ky është dhe problemi. Pjesa më e madhe e veprave të artit në muret e shpellës po përkeqësohen, një problem që i atribuohet rritjes së numrit të turistëve në këtë vend, i cili u bë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1987.

"Dyoksidi i karbonit që çlirohet nga vizitorët në shpella shkakton rritjen e të temperaturës dhe të lagështisë, e cila degradon më tej muralet dhe skulpturat," thotë Wang Xudong, drejtor i Akademisë së Kërkimeve të Dunhuang-ut.

Por ekspertët kanë gjetur një zgjidhje të mundshme: Harta dixhitale për të krijuar shpella të realitetit virtual (VR) që mund të vizitohen nga kushdo dhe kudo.

Një nismë e përbashkët e Akademisë së Kërkimeve të Dunhuang-ut, Fondacionit të Kërkimeve të Shpellave të Dunhuang-ut dhe kompanisë amerikane Seagate Teknologji, përfshin një sërë teknikash dhe teknologjish të përparuara.

"Ne po përdorim teknika fotografike, teknologjinë e përpunimit të imazhit kompjuterik, skanimin tredimensional dhe rindërtimin për të mbrojtur në mënyrë dixhitale këtë vend," thotë Ding Xiaohong nga Akademia e Kërkimit e Dunhuang-ut.

Skanimi me lazer po përdoret për të mënjanur dritën natyrale dhe për të matur distancat e sakta, ndërsa imazhet panoramike prej 360 gradësh po prodhohen duke përdorur lente në formën e syve të peshkut.

Të dhënat e hartës tredimensionale janë të përsosura për riprodhimin e këtyre shpellave në një realitet virtual, por ky proces kërkon kohë. "Kjo varet nga madhësia e shpellave. Zakonisht nevojiten disa muaj për të përfunduar skanimin tredimensional dhe rindërtimin [e një zone]," thotë Ding.

Kjo është e njëjta "sfidë e të dhënave" që ka shumë industri tani: shkencëtarët po kapin, përpunojnë dhe arkivojnë të dhëna në një shkallë të re, falë përparimeve të fundit në teknologji.

Shkencëtarët në Dunhuang shpresojnë t'u krijojnë vizitorëve një eksperiencë unike e të përhershme nëpërmjet internetit dhe realitetit virtual. Kjo do të bëjë që vizitorët të mos ndiejnë nevojën për të vizituar aq shumë shpella apo të qëndrojnë brenda tyre për kohë të gjatë.

Megjithatë, profesor Ding pranon se pavarësisht dyoksidit të karbonit shtesë që çlirojnë vizitorët, turizmi është një shpatë me dy tehe.

"Turizmi mund të ndihmojë në përhapjen e kulturës së Dunhuang-ut dhe u mundëson më shumë njerëzve të kuptojnë rëndësinë e mbrojtjes së relikteve kulturore", shton ai. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore