Ekskluzive:Presidenti shqiptar Ilir Meta, mik i Kinës

2017-07-26 17:29:39 CRI Komenti juaj Printoni

Të hënën në Tiranë u zhvillua ceremonia e betimit të presidentit të ri të Republikës, zotit Ilir Meta. Pas detyrës së deritanishme si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Meta bëhet presidenti i 7-të i Republikës së Shqipërisë. Presidenti shqiptar Ilir Meta mori një mesazh urimi këto ditë nga homologu i tij kinez Xi Jinping, i cili e quan atë "mik i vjetër i popullit kinez, që ka bërë punë të shumta për nxitjen e miqësisë midis dy vendeve".

Presidenti Xi Jinping në mesazhin e tij për homologun shqiptar Meta shpreh bindjen se në udhëheqjen e tij " vendi do të arrijë të zhvillohet me rezultate të reja dhe të dy popujt tanë përgëzojnë miqësinë e thellë tradicionale".

Kreu i shtetit i Kinës nënvizon ndërtimin e përbashkët të 'Një brez, një rrugë', "për të shtyrë vazhdimisht përpara marrëdhëniet miqësore kino-shqiptare, në të mirë të të dy vendeve dhe dy popujve."

Ilir Meta në cilësinë e ish kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, apo ish kryeministrit ka patur kontakte të vazhdueshme me Kinën. Në një intervistë ekskluzive për Seksionin Shqip të Radios së Jashtme të Kinës CRI Shqip, zoti Meta atëherë në detyrën e kryetarit të Kuvendit tha se "Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kinës po ecën me rezultate të prekshme. Kina po bëhet partner gjithnjë e më i rëndësishëm tregtar dhe ekonomik i vendit tone. Njëkohësisht investimet kineze janë në rritje në Shqipëri, në fusha nga më të ndryshmet dhe nga më të rëndësishmet, që nga Aeroporti i Tiranës, në fushën e energjisë, të naftës, të industrisë së bakrit, telekomunikacionit etj. Dhe natyrisht dhe në kuadër të nismës 16+1. Shqipëria ka qenë dhe është mjaft aktive dhe synon të jape dhe ajo kontributin e saj, nga i cili edhe të përfitojë për zhvillimin e projekteve me interes rajonal"

Takimet e zotit Meta me autoritetet e larta të Kinës

Tetorin e kaluar në krye të një delegacioni të madh të parlamentit shqiptar zoti Meta vizitoi Pekinin, duke rritur dukshëm nivelin e shkëmbimeve parlamentare dypalëshe, të cilat kanë ndikuar në suksesin e marrëdhënieve dypalëshe në përgjithësi.

Këtë e dëshmoi dhe vizita në Tiranë e një delegacioni parlamentar kinez të drejtuar nga nënkryetari i Asamblesë Popullore, z. Ji Bingxuan.

Gjatë takimit me ministrin për marrëdhëniet me jashtë të KQ të PKK-së Song Tao, gjatë vizitës së tij në Pekin, kryeparlamentari Meta vlerësoi rolin transformues të PKK-së dhe theksoi se në Shqipëri çdo parti parlamentare mbështet marrëdhëniet me Kinën.

Gjatë vizitës zyrtare në Kinë me ftesë të Kryetarit të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, z. Yu Zhengsheng, zoti Meta kërkoi që marrëdhëniet dypalëshe miqësore tradicionale të ridimensionohen në kushtet e zhvillimeve të reja globale.

(Takim me kryetarin e Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, Yu Zhengsheng)

Në takimin e parë me ambasadoren e Kinës në Shqipëri, zonjën Jiang Yu, kur sapo kishte nisur misionin e saj diplomatik në Tiranë, kryeparlamentari Meta tha se Kina përfaqëson një partner të rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin dhe miqësia tradicionale mes dy popujve duhet përkthyer në projekte investimesh konkrete ekonomike dhe tregtare.

( Takim me ambasadoren e Kinës në Shqipëri, Jiang Yu)

Duke parë kontaktet e vazhdueshme dhe deklaratat e zotit Meta lidhur me marrëdhëniet dypalëshe në fushën parlamentare, politike, apo ekonomike nuk mund të mos përmendim bashkëbisedimin e tij të ngrohtë me zonjën Deng Rong, nënkryetare e Shoqatës së Kinës për Marrëdhënie Miqësore Ndërkombëtare. Ajo është e bija e liderit të njohur të Kinës Deng Xiaoping dhe u surprizua kur zoti Ilir Meta i dhuroi librin e saj "Deng Xiaoping dhe Revolucioni Kulturor", të përkthyer në shqip.

Ilir Meta që prej të hënës është president i Republikës së Shqipërisë dhe shpresojmë se ashtu si deri tani do të kontribuojë në zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.(Zhang Yan/ Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore