Pastrimi i internetit, ligji i ri i sigurisë kibernetike synon mbrojtjen e të dhënave personale

2017-06-28 16:46:16 CRI Komenti juaj Printoni

Historia e një akademiku të mirënjohur pekinas u shpërnda me shpejtësi në internet pasi një pasagjere e metrosë së kryeqytetit të Kinës e akuzoi atë për ngacmim seksual.

Incidenti përfshiu 65 vjeçarin Zhong Jun (pseudonim), i cili i mohoi akuzat, por pas insistimit të vazhdueshëm të vajzës, akademiku i dha asaj një shuplakë. Për këtë veprim, ai u dënua me 5 ditë paraburgim, por më pas kjo masë u pezullua për shkak të shëndetit të tij.

Kjo ndodhi ishte vetëm fillimi i tmerrit të përjetuar nga akademiku pekinas.

Të dhënat e tij personale, duke përfshirë numrin e telefonit, vendin e punës, e-mail-in dhe fotografitë e postuara prej tij në mediat shoqërore u shpërndanë me shpejtësi në internet. Menjëherë pas kësaj ai merrte çdo ditë 500 deri në 600 mesazhe me tekst.

Eksperienca e Zhong-ut nuk është e vetmja në Kinë. Nëpërmjet 'Renrou Sousuo', mund të gjenden me lehtësi në internet të dhënat personale të shumë njerëzve.

Por pas 1 qershorit të këtij viti (2017), ata që duan të shpërndajnë të dhënat personale të shtetasve duhet të mendohen mirë.

Ligji i ri i sigurisë kibernetike i cili u miratua nga parlamenti nëntorin e vitit të kaluar, konsiderohet gjerësisht si ligji bazë që garanton sigurinë e hapësirës kibernetike të Kinës, duke nënvizuar së pari mbrojtjen e të dhënave personale të shtetasve. Sipas tij, të gjithë ata që shpërndajnë të dhënat personale pa miratimin e personave të përfshirë mund të dënohen me heqje lirie deri në tre vjet.

Ligji i ri në fakt nuk shënjestron vetëm individët që përhapin të dhënat, por edhe kompanitë e shërbimeve të internetit që mbledhin sasi të mëdha informacioni gjatë veprimit të përdoruesve të tyre.

"Falë zhvillimit të shpejtë të teknologjisë së informacionit si janë për shembull 'big data' dhe me platformat Internet Plus apo shërbimet në pajisjet e lëvizshme, Kina ndodhet në një pozicion kryesues në lidhje me përdorimin e internetit nga platformat e lëvizshme. Por ndërsa sjellin lehtësi, këto platforma mbledhin të dhënat personale të përdoruesve, duke kërcënuar sigurinë e këtyre qytetarëve," thotë Ni Guangnan, anëtar i Akademisë së Inxhinierisë së Kinës.

Ekspertët besojnë se Ligji i Sigurisë Kibernetike do të luajnë një rol të rëndësishëm për mbrojtjen e të dhënave personale dhe rregullimin e hapësirës kibernetike, duke përcaktuar një sërë detyrimesh për ofruesit e shërbimeve të internetit.

Sipas ligjit, tani ofruesit e shërbimeve në internet nuk lejohen të shpërndajnë, ndryshojnë apo dëmtojnë të dhënat personale të mbledhura dhe ndalohen t'a japin këtë informacion pa lejen e personave të përfshirë. Gjithashtu ata detyrohen të marrin masa për të mbrojtur informacionin.

Për ata që e shkelin ligjin, parashikohet një gjobë prej deri në 1 milion juan (rreth 148,000 USD), dhe nëse aktiviteti i paligjshëm ka sjellë fitime financiare gjoba mund të dhjetëfishohet.

"Ligji do të luajë një rol pozitiv për të mbrojtur të dhënat personale të publikut, pasi nuk përcakton vetëm përgjegjësitë e operatorëve të internetit, por gjithashtu parasheh dënime të ashpra për ata që e tregtojnë informacionin," thotë Wang Sixin, profesor i ligjit pranë Universitetit të Komunikimit të Kinës.

Deri në fund të vitit 2016, Kina regjistroi mbi 730 milion përdorues interneti, afërsisht sa numri i popullsisë së Europës.

Sipas një sondazhi të Shoqatës së Internetit të Kinës, rreth 84 për qind e përdoruesve të internetit të Kinës janë prekur nga rrjedhja e informacionit të tyre personal. Padyshim që zbatimi i ligjit të ri do të shërbejë si mburojë për mbrojtjen e informacionit personal të përdoruesve të internetit, theksojnë ekspertët. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore