Bujqësia urbane, xhunglat e betonit po kthehen në kopshte perimesh

2017-06-14 10:40:39 CRI Komenti juaj Printoni

Që nga agimi i qytetërimit kinez njerëzit kanë dëshiruar një jetë idilike të rrethuar nga natyra, larg turmave të çmendura. Kjo ëndërr e gjelbër ka ndryshuar gjatë mijëvjeçarëve në shoqërinë moderne kineze që tani jeton epokën e teknologjisë urbane.

Megjithatë, pamjaftueshmëria e tokës në qytetet e mëdha nuk e ka zvogëluar ëndrrën.

Misri, perimet dhe frutat tani nuk janë më vetëm privilegj i fermave të fshatrave. Ato tani mund rriten edhe në ballkonet e apartamenteve apo në tarracat e ndërtesave të larta. Kjo është një përvojë e re për shumë banorë të qyteteve, që e përdorin kopshtarinë si një mënyrë për t'u çlodhur apo dhe për të mësuar diçka të re.

Që nga gushti i vitit të kaluar 61-vjeçarja Xiao Shujuan dhe bashkëshorti i saj, shpenzojnë shumë kohë për rritjen e perimeve të ndryshme në kopshtin e tyre, duke përfshirë lakrën kineze, marulen, majdanozin, qepët dhe hudhrat.

"Rezultati është i mirë dhe arrijmë të prodhojmë të paktën gjysmën e perimeve që i duhen familjes sonë në ditë," thotë Xiao.

"Gjelbërimi para banesës më jep një ndjenjë qetësie natyrale dhe jam e kënaqur sa herë që shoh tokën time të vogël bujqësore," shton ajo.

Me dendësinë e madhe të popullsisë në qytetet e mëdha të Kinës dhe me rritjen e kostove të banimit, kinezë të tjerë si zonja Xiao, që duan të rritin perimet e tyre, po gjejnë hapësirë në tarraca, ballkone dhe dritare për t'u marrë me atë që tani po njihet si bujqësia urbane.

Teknika Moderne

Nuk është e lehtë për të rritur perime në qytetet e mëdha, pasi ka një ndryshim të madh të mjedisit rural dhe urban. Bujqësia rurale ka specifikat e saj në disa drejtim, duke përfshirë tokën, temperaturën dhe plehrat kimike, të cilat nuk mund të gjenden me lehtësi në zonat urbane.

Por vitet e fundit, disa organizata bujqësore po ofrojnë zgjidhje të ndryshme për të mbështetur bujqësinë urbane. Një prej këtyre organizatave është dhe Qendra e Nxitjes së Teknikave Bujqësore Daxing Agro e Pekinit, e cila ka ndërmarrë një sërë eksperimentesh për të ndihmuar zhvillimin e teknikave që ndihmojnë bujqësinë urbene.

Që prej vitit 2009, qendra ka ndërmarrë një sërë programesh për të përhapur bujqësinë në shtëpi. Ajo gjithashtu ka prodhuar disa kontejnerë, me qëllim që rritja e perimeve t'u përshtatet kushteve të shtëpisë.

Qendra ka krijuar edhe fara të posaçme për mbjelljen e perimeve të cilat mundësojnë rritjen e tyre të shpejtë.

Përfitime të shumëfishta

Bujqësia urbane gjeneron gjithashtu përfitime të shumëfishta. Për shumicën e banorëve të qyteteve, kjo është një mënyrë për të korrur ushqim të shëndetshëm, pas skandaleve që rrethojnë sigurinë e ushqimit në Kinë.

I gjithë procesi i rilidhjes me natyrën, duke qenë i vetëdijshëm për origjinën e ushqimit dhe zvogëlimin e largësisë nga vendi i prodhimit, do të thotë ushqim i freskët i sezonit në zonat urbane.

Përveç kësaj, me ndihmën e kësaj lloj bujqësie të re në kopshte e ballkone, po krijohet një mjedis më i mirë urban. Përfitime të tilla i hapin rrugë mbështetjes më të madhe të bujqësisë urbane në të ardhmen. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore