Asnjëherë nuk është vonë për t'u ushtruar në Tai Chi

2017-06-12 17:17:26 CRI Komenti juaj Printoni

Perceptimet rreth tai chi-së, artit marcial të Kinës, i kanë ndarë praktikuesit në dy grupe. Disa e konsiderojnë atë si një stërvitje të trupit që kryhet nga të moshuarit, ndërsa disa të tjerë e konsiderojnë atë një art luftarak misterioz dhe shpërthyes që zotërohet nga disa praktikues të talentuar.

Por, çfarë është tai chi-a tradicionale?

Asnjë nuk e përcakton dot plotësisht se çfarë është tai chi-a, thotë mjeshtri i stilit Chen, Chen Zhenglei, 68 vjeç, nga fshati Chenjiagou, djepi i tai chi-së që ndodhet rreth 75 km në verilindje të Tempullit Shaolin në provincën qendrore Henan të Kinës.

Fshati Chenjiagou me një popullsi prej 2,700 banorësh dallohet për kultivimin e kulturave të grurit dhe misrit dhe vitet e fundit ka shënuar rritje ekonomike në sajë të prodhimtarisë së mbarë të tyre. Por të ardhurat e banorëve janë rritur edhe falë turizmit kulturor, kryefjala e të cilit është arti marcial tai chi.

Dikur fshati Chenjiagou përballej me varfëri ekonomike por çdo gjë ndryshoi pas viteve 80-të të shekullit të kaluar kur nisi promovimi i kësaj tradite të lashtë kulturore të tij.

Nga një fshat i vogël, Chenjiagou u bë i njohur dhe gjatë 10 vjetëve të fundit kur qeveria qendrore i ka akorduar fonde për zhvillimin e mëtejshëm. Një ndihmë të madhe në zhvillimin e tij ka dhënë dhe biznesi privat.

Stili Chen i tai chi-së u krijua në fillim të shekullit të 17-të nga Chen Wangting, i cili besohet se është babai këtij arti marcial që u rendit si trashëgimi kulturore e Kinës në vitin 2006.

Si një pasardhës i familjes Chen, mjeshtri i ta chi-së filloi të ushtrohej në këtë art marcial që në moshën 8 vjeçare.

Ai ka kaluar dhe gradën e nëntë të provimit kinez Wushu Duanwei, grada më e lartë e vlerësimit të zotërimit të arteve marciale, sipas Shoqatës Wushu të Kinës. Në moshën 60 vjeçare ai u emërua si trashëgimtari i stilit Chen të tai chi-së.

"Tai chi-a pa dyshim është një mjet luftarak. Është një art luftarak i cili u krijua për herë të parë për të luftuar pushtuesit ose armiqtë në epokën e armëve të ftohta", thotë Chen, duke shtuar se paraardhësit e tij ishin gjeneralë ose truproja.

Ai vë në dukje se teknikat luftuese të tai chi-së, duke përfshirë kundërpërgjigjen dhe vetëmbrojtjen, që kërkojnë një lloj stërvitjeje të fortë, janë duke u margjinalizuar gradualisht nga përdorimi i armëve të zjarrit. Gjithnjë e më shumë kinezë priren të praktikojnë lëvizjet bazë dhe të ngadalta të tai chi-së për të mbajtur trupin në formë, shton ai.

Chen i ndan praktikuesit e tai chi-së në dy grupe: ata që "luajnë" me lëvizjet për relaksim dhe trashëgimin e filozofisë së kulturës së tai-chi-së, dhe ata që stërviten fort për të fiar aftësi ushtarake.

"Midis qindra miliona praktikuesve të tai chi-së, ata që mund të luftojnë përbëjnë vetëm një pjesë të vogël, rreth 5 deri në 10 për qind," thotë Chen. "Sipas një thënieje: Një mjeku të tai chi-së i duhen 10 vjet për të fituar aftësinë për të luftuar, ndërsa një murgu në Tempullin Shaolin vetëm tre vjet."

Praktikuesit e tai chi-së, për të qenë elastikë dhe të shpejtë në luftim, duhet t'i nënshtrohen stërvitjes periodike.

"Pas rreth 10 vjet përpjekjesh dhe stërvitjeje, një praktikues i tai-chi-së mund të jetë në gjendje të luftojë," thotë Chen. Me "përpjekje të mëdha", ai nënkupton stërvitjen e rreptë në deri në tetë orë në ditë sipas udhëzimeve të një trajneri profesionist.

Vetëm në këtë mënyrë lëvizjet e një praktikanti të tai chi-së mund të ngrihen në niveli e luftimit. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore