Presidenti Trump bën përpjekjet e tij për paqen mes Izraelit dhe Palestinës

2017-05-25 15:13:40 CRI Komenti juaj Printoni
 

Presidenti amerikan Donald Trump, që vizitoi Izraelin si pjesë e turneut të tij nëntë ditor, i paraqiti kryeministrit Benjamin Netanjahu një mesazh të papritur e të hapur: Zgjidhni bllokadën që vazhdon prej dekadash me palestinezët nëse doni paqe me kombet arabe.

Z. Trump u takua të martën me udhëheqësin palestinez, Mahmoud Abbas, përpara se të nisej për në Romë.

Deklarata e presidentit Trump për të shtuar angazhimin ndaj vendeve arabe, në ndalesën e tij të parë në Arabinë Saudite, duket si një kthim në politikën amerikane të ndërtimit të aleancave me udhëheqësit autokratë arabë kundër Iranit, deklaratë të cilën presidenti i sapozgjedhur i Iranit e quajti një teatër të pakuptimtë të zotit Trump.

Presidenti i ShBA-së, konfirmoi të hënën se ekziston një mundësi e rrallë për paqe në rajon, ndërsa filloi vizitën e tij në Izrael. Presidenti Trump u mirëprit në aeroportin Ben-Gurion të Tel Avivit me një ceremoni të kryesuar nga Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

"Kemi përpara nesh një mundësi të artë për të ofruar sigurinë, stabilitetin dhe paqen në këtë rajon", deklaroi ai në aeroportin ndërkombëtar të Tel-Avivit.

Udhëheqësi amerikan bëri thirrje për shtimin e çdo përpjekjeje të mundshme për arritjen e paqes mes Izraelit dhe Palestinës.

Ai foli gjatë një konference të përbashkët shtypi pas bisedimeve me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Trump përshëndeti angazhimin e Netanyahu-t drejt rrugës së paqes

"Besoj se një nivel i ri partneriteti është i mundur dhe do të ndodhë, një partneritet që do të sjellë më shumë siguri në këtë rajon, më shumë siguri për SHBA-në dhe prosperitet më të madh për botën. Kjo përfshin ripërtëritjen e përpjekjeve për arritjen e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve. E falënderoj kryeministrin për angazhimin e tij në rrugën e procesit të paqes. Ai po punon shumë për këtë proces dhe nuk është e lehtë. Kam dëgjuar se është një nga marrëveshjet më të vështira, por kam bindjen dhe shpresoj se do të arrihet një marrëveshje," tha Trump-i.

Kryeministri Netanyahu shprehu gatishmërinë për të punuar ngushtë me SHBA-në për arritjen e paqes në rajon, së bashku me partnerët arabë.

"Për herë të parë në shumë vjet dhe për herë të parë në jetën time shoh një shpresë të vërtetë për ndryshim. Liderët arabë me të cilët ju u takuat ditën e djeshme mund të ndihmojnë në ndryshimin e atmosferës si dhe mund të ndihmojnë në krijimin e kushteve për paqe konkrete. Këto janë shenja të shkëlqyera në vizitën tuaj historike."

Bisedimet e paqes mes Izraelit dhe Palestinës ngecën në vitin 2014 me zgjerimin e vendbanimeve hebreje në Bregun Perëndimor.

Kjo është vizita e parë e presidentit Donald Trump në Izrael si udhëheqës i Shteteve të Bashkuara. Ai ka dhënë më parë shenja për mundësinë e një rifillimi të procesit të paqes ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson u tha gazetarëve që shoqërojnë presidentin, se tani është krijuar ndjesia e një çasti të rëndësishëm dhe e një mundësie për të lëvizur drejt paqes.

Gjatë vizitës, presidenti Trump vizitoi edhe Murin Perëndimor, një objekt i shenjtë e me rëndësi për hebrenjtë.

Izraeli mori kontrollin e Jerusalemit Lindor gjatë luftës së vitit 1967, së bashku me Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.

Mrekulli
Lajmet Kryesore