Emmanuel Macron zotohet "të shërojë" ndasitë e Francës

2017-05-10 19:12:46 CRI Komenti juaj Printoni

Pro-europiani, Emmanuel Macron, i zgjedhur president ka nisur punën për formimin e qeverisë së tij dhe betejën e vështirë të zgjedhjeve legjislative të qershorit në një Francë thellësisht të ndarë.

Në shenjë të angazhimit të tij ndaj Europës, Macron u ngjit në skenë për të mbajtur fjalimin e fitores, nën tingujt e himnit të Bashkimit Europian dhe jo atij francez.

"Unë i di ndasitë që ekzistojnë në vendin tonë dhe që i kanë nxitur disa drejt ekstremit. Unë i respektoj ata. Unë e di zemërimin, ankthin dhe dyshimet që shumë prej tyre kanë shprehur. Unë do ta mbroj Europën, qytetërimi ynë është në rrezik. Do të punoj për të rindërtuar lidhjet midis Europës dhe qytetarëve të saj. Europa dhe bota po presin që ne të mbrojmë frymën e iluminizmit, të kërcënuar në shumë vende, "shtoi ai.

Macron u shfaq të hënën përkrah presidentit socialist në ikje, François Hollande në ceremonitë përkujtimore të fitores së 8 majit të vitit 1945 në Paris, para kalimit të pushtetit parashikuar fundjavën e ardhshme.

Shtypi nënvizoi vështirësitë e detyrës në të ardhmen

Për të përditshmen e majtë "Libération", bëhet fjalë për një "fitore nën presion", sepse abstenimi i fortë, pavarësisht kërcënimit të ekstremit të djathë, është tashmë shenjë e një pakënaqësie përballë presidentit të ri.

E përditshmja e djathtë "Le Figaro" e shikon zgjedhjen e Macron-it me shumë nuanca, shoqëruar nga abstenimi më i fortë popullore që prej vitit 1969 dhe një ndarje të elektoratit në katër blloqe. E përditshmja parashikon zgjedhje legjislative të vështira për presidentin e ri.

Vetë Emmanuel Macron-i, i cili do të bëhet presidenti më i ri i historisë së Francës në moshën 39-vjeçare, pranoi se nuk kishte marrë një mandat të fortë nga zgjedhësit, pavarësisht fitores së thellë me 66 për qind të votave përballë kreut të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, që siguroi gjithashtu një rezultat historik me 34 për qind të votave.

Mes abstenimit rekord të 24.95 për qind të elektoratit dhe një numri historik të votave të bardha dhe të pavlefshme, rreth katër milionë, më shumë se një në tre francezë ka refuzuar të zgjedhë mes Macron-it dhe Marine Le Pen-it.

"Do të luftoj me të gjitha forcat kundër ndasive që na kanë përçarë," theksoi Macron.

Para mijëra mbështetësve të mbledhur në oborrin e Luvrit në Paris, ai u shpreh se e kishte dëgjuar nervozizmin e atyre që kanë votuar për rivalen e tij.

Projekte të mëdha e presin tashmë presidentin e ri, midis të cilave frenimin e papunësisë galoponte, përballimin e një kërcënimi të fortë terrorist dhe rimëkëmbjen e një Europe të dobësuar.

Macron do të zbulojë në ditët e ardhshme emrin e kryeministrit dhe përbërjen e qeverisë së ardhshme para se të kërkojë një shumicë parlamentare në zgjedhjet legjislative që do të zhvillohet më 11 dhe 18 qershor, për të vënë në zbatim programin e tij, reformat për të drejtën e punës, reduktimin e shpenzimeve publike dhe riforcimin e partneritetit franko-gjerman.

Një muaj para zgjedhjeve, ai u bëri thirrje zgjedhësve t'i japin një shumicë të vërtetë, të fortë, një shumicë të ndryshimit.

Zgjedhja e Emmanuel Macron-it, lehtësoi ndërkohë vendet e tjera europiane që gjithashtu i frikësohen populizmit dhe forcave ekstremiste.

Presidenti amerikan, Donald Trump i dërgoi Macron-it përshëndetjet e tij.

Ndërsa presidenti kinez Xi Jinping theksoi në mesazhin e tij se marrëdhëniet kino-franceze kanë një domethënie të rëndësishme strategjike dhe ndikim ndërkombëtar. "Nga këto marrëdhënie të qëndrueshme dhe të shëndetshme përfitojnë jo vetëm të dy vendet dhe popujt, por ato ndikojnë dhe në paqen, stabilitetin dhe prosperitetin botëror", theksohet në mesazhin e urimit të presidentit kinez Xi.

Euro reagoi pozitivisht përballë dollarit në tregjet e këmbimit në Azi.

Mrekulli
Lajmet Kryesore