Mediat tradicionale po u përshtaten vazhdimisht ndryshimeve të teknologjisë. Intervistë me Dr. Arben Mukën

2017-04-26 15:30:26 CRI Komenti juaj Printoni

Zhvillimi i vazhdueshëm i teknologjisë u ka dhënë aftësi mediave tradicionale t'u përshtaten ndryshimeve të kohës. Në mjaft raste, e ndjekim një transmetim televiziv të drejtpërdrejtë nëpër mediave sociale, Facebook-ut, Twitter-it apo platformave të tjera. Kompanitë e internetit kanë zhvilluar mjete të thjeshta dhe novatore, që përveçse e lehtëson përcjelljen e përmbajtjeve mediatike, lejon dhe komunikimin e drejtpërdrejtë të publikut me transmetuesin e programit.  

Kronikat e lajmeve i shohim të postuara në platformat sociale një e nga një pa qenë e nevojshme të ulemi para ekranit për të parë 'buletinin tradicional të lajmeve.'

Po kështu, programet e radios, janë copëtuar dhe po transmetohen gjithnjë e më shumë me anën e teknologjisë së 'podcast'-it, duke i mundësuar publikut të zgjedhë vetëm atë që i intereson. 'Podcast' po kthehet gjithashtu në një mjet shpëtimi për median e radios, pasi ato mund të shkarkohen në çdo kohë dhe të dëgjohen kudo. Për historianen dhe kritiken, Kate Maltby të Financial Times-it, 'Podcast' është teknologjia më e përshtatshme për stilin e jetës vetjake të të lindurve në mijëvjeçarin e ri.

"Nëse podcast-i është teknologjia e vetmisë, kjo ndodh sepse askush sot nuk mblidhet përreth telefonit celular për të dëgjuar së bashku," thekson Maltby.

Autorja shton gjithashtu se me zbehjen e ndikimit të progamacionit linear televiziv dhe radiofonik, po vjen dhe "vdekja" e të ndjekurit kolektiv të këtyre mediave.

 

Për dr. Arben Mukën, radio po i prodhon përmbajtjet sipas mënyrës që dëgjuesit e duan një produkt radiofonik.

"Ndërthurja e programeve radiofonike 'on air' dhe 'on line,' po shënojnë dhe jetëgjatësinë e radios," tha Muka në studion e CRI Shqip në Pekin.

"Me lindjen e 'podcast'-it bie monopoli i redaksive. Sot radio nuk bëjnë vetëm redaksitë e specializuara, por edhe një qytetar i zakonshëm me pak dhunti. Kjo do të thotë se tani publiku nuk është vetëm konsumues i produkteve audio, por edhe një prodhues i tyre," shpjegon zoti Muka.

Ai vëren gjithashtu se integrimi i shërbimeve 'on air' dhe 'on line' në Shqipëri nuk ka filluar ende në masë, pasi drejtuesit dhe menaxherët e mediave nuk e kanë kuptuar ende se shërbimet 'on line' janë e nesërmja. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore