Kohë përplasjesh në gadishullin Korean, Pekini drejton thirrjet për dialog

2017-04-12 09:22:37 CRI Komenti juaj Printoni

Në një kohë që Uashingtoni ka dërguar një flotë të Paqësorit drejt gadishullit Korean, të drejtuar nga aeroplanmbajtësja Carl Vinson, Pekini nisi në kryeqytetin jugkorean, diplomatin e posaçëm për çështjet e gadishullit, Wu Dawei.

Diplomati kinez mbërriti në Seul të dielën për të diskutuar çështjen bërthamore, por edhe dislokimin e sistemin amerikan të mbrojtës nga raketat, THAAD.

Seuli druan zhvillimin e një prove tjetër bërthamore me rastin e festimeve të 105-vjetorit të lindjes së themeluesit të Koresë së Veriut, Kim il-Sung. Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut, Hwang kyo-ahn, tha se provokimet e Penianit mund të përsëriten.



Provat e fundit të raketave balistike të Penianit e detyruan presidentin amerikan Donald Trump t'u kërkojë zyrtarëve të mbrojtjes t'i paraqesin alternativa për të eliminuar kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut. Këtë e konfirmoi të dielën këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Herbert Raymond McMaster.

Zoti McMaster i tha televizionit Fox News se dërgimi i aeroplanmbajtëses Carl Vinson drejt gadishullit Korean është një vendim "i matur" për të mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara në Paqësorin Perëndimor. Por disa analistë thonë se tregimi i forcës nënvizon mungesën e alternativave të tjera të presidentit Turmp.

Zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Jugut, Moon Sang Gyun, tha të hënën se dislokimi i aeroplanmbajtëses USS Carl Vinson dhe i disa luftanijeve mbështetëse në rajon erdhi në përgjigje të "gjendjes së rëndë" në gadishull.



"Komanda e Paqësorit e ShBA-së njoftoi më 8 prill se kishte dislokuar aeroplanmbajtësen 'USS Carl Vinson' dhe disa luftanije mbështetëse në rajonin e Paqësorit Perëndimor në vend të Australisë, destinacionit fillestar. Ne mendojmë se ky është një veprim i bërë duke marrë në konsideratë gjendjen serioze në Gadishullin Korean. Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut janë plotësisht të përgatitur për ndonjë provokim të mundshëm të Koresë së Veriut, në një kohë kur provokimet e strategjike të Penianit, duke përfshirë provat bërthamore dhe balistike po rriten."

Koreja e Veriut po përpiqet të prodhojë një raketë me rreze të gjatë veprimi, me mbushje bërthamore që mund të godasë territorin e Shteteve të Bashkuara, një distancë prej rreth 8,000 kilometrash. Peniani deri më tani ka bërë pesë prova bërthamore dhe mund të jetë duke u përgatitur për provën e gjashtë. Të gjithë këto prova kanë shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në këtë gjendje të krijuar në gadishull Pekini ka marrë një qasje më të butë. I dërguar i posaçëm Wu Dawei, u takua veças me ministrin e Punëve të Jashtme Yun Byung-se dhe Përfaqësuesin e Posaçëm për Paqen dhe Sigurinë në gadishullin Korean, Hong-kyun.

Gjatë takimeve Wu, ra dakord për të forcuar sanksionet ndaj Penianit nëse përsërit provat bërthamore të raketave balistike me rreze të gjatë veprimi.

Pas takimit me përfaqësuesin e posaçëm të Kinës, përfaqësuesi i posaçëm për Paqen dhe Sigurinë në gadishullin Korean, Hong-kyun, u shpreh se të dy palët ranë dakord për të forcuar sanksionet nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

"Të dy palët ranë dakord se pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare, nëse Koreja e Veriut bën provokime strategjike si për shembull ndonjë provë bërthamore apo me raketa balistike, atëherë do të ketë masa të forta sanksionesh në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në këtë drejtim të dy palët ranë dakord të ruajnë komunikimin e ngushtë," tha Hong.

Wu gjithashtu, ripërsëriti qëndrimin e Kinës për kthimin e palëve në tryezën e bisedimeve gjashtëpalëshe dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut. Që prej disa vitesh Kina ka kërkuar vazhdimisht rifillimin e bisedimeve.

Edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Hua Chunying, tha se Kina është e vendosur për çarmatimin bërthamor të gadishullit Korean.

"Gjatë takimit midis presidentëve të Kinës dhe të ShBA-së në rezortin Mar-a-lago, ata shprehën qëndrimin për çarmatimin bërthamor të gadishullit Korean si dhe u zotuan të zbatojnë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ata gjithashtu ranë dakord të ruajnë komunikimin dhe koordinimin mbi çështjen koreane. Pala kineze ripërsëriti qëndrimin se është e vendosur për të kryer çarmatimin bërthamor të gadishullit Korean dhe është e vendosur për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon. Pala kineze bë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve si dhe ka propozuar qasjen e 'Dy ndalimeve' për zgjidhjen e problemit bërthamor korean: ndalimin e provave bërthamore nga Koreja e Veriut dhe ndalimin e manovrave të përbashkëta amerikane-koreanojugore. Shpresojmë se palët e ndryshme do të marrin parasysh sugjerimet e Kinës," theksoi zëdhënësja Hua Chunying.

Kohët e fundit Peniani bëri një provë me raketë balistike, duke shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ndalojnë këto lloje provash.



Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i presidentit amerikan, Herbert Raymond McMaster, tha se presidenti Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping janë pajtuar në takimin e tyre në Florida javën e kaluar se "sjelljet provokuese" të Penianit dhe përpjekjet për të prodhuar armë bërthamore janë të papranueshme.

Presidenti Trump i ka bërë thirrje Kinës, aleatit kryesor të Koresë së Veriut, që të marrë masa më të forta për të frenuar ambiciet bërthamore të Penianit. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore