'Brezi dhe Rruga' në fokus të sesionit parlamentar të Kinës

2017-03-08 11:47:46 CRI Komenti juaj Printoni

Ashtu siç ishte parashikuar, nisma "Brezi dhe Rruga" e Kinës po diskutohet gjerësisht gjatë sesionit vjetor parlamentar. Disa prej këshilltarëve kryesorë thonë se tani programi po fiton vëmendje më të madhe në botë.

Vetë presidenti Xi Jinping u kërkoi autoriteteve të Shangait të zgjerojnë mundësitë brenda Zonës së Tregtisë së Lirë të qytetit si dhe të nxisin zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë.

Shangai ka qenë qendra financiare e pjesës kontinentale të Kinës për shumë dekada si dhe një qytet kryesues në programin e reformës dhe hapjes së Kinës.

"Shangai duhet ta kthejë Zonën e Tregtisë së Lirë në një zonë të hapjes dhe të novacionit për t'i shërbyer Nismës 'Rruga dhe Brezi' dhe për të ndihmuar bizneset vendëse të zgjerohen jashtë vendit. Qyteti duhet të shfrytëzojë epërsitë në tregtinë ndërkombëtare dhe të përmbushë standardet dhe rregullat ndërkombëtare të tregtisë dhe investimeve."

Që nga propozimi në vitin 2014, mbi 100 vende dhe organizata ndërkombëtare kanë njoftuar përfshirjen e tyre në nismën e Kinës "Brezi dhe Rruga".

Mbi 40 vende dhe organizata ndërkombëtare kanë nënshkruar tashmë marrëveshje konkrete për këtë nismë.

Cheng Guoping, ish-zv./ministri i Jashtëm i Kinës, thotë se programi do të nxisë bashkëpunimin me vendet e përfshira në sektorë të ndryshëm.

"Vendet dhe qeveritë e tyre përgjatë nismës Brezi dhe Rruga kanë treguar aspiratën e tyre dhe pritje për forcimin ekonomik, tregtar dhe shkëmbimet midis popujve me Kinën nëpërmjet nismës Brezi dhe Rruga."

Anëtarët e tjerë konferencës thonë se përveç tregtisë, nisma po ndihmon diplomacinë. Shi Mingde, ambasadori i Kinës në Gjermani, thotë se programi ka gjeneruar pritshmëri të mëdha në ekonomitë kryesore të Europës.

"Nisma Brezi dhe Rruga ka lëvizur nga prezantimi në zbatim në shkallë të madhe. Pas hezitimit, vendet europiane, sidomos ato të mëdha si Gjermania, Britania dhe Franca, kanë filluar të mbajnë një qasje pozitive për nismën."

Li Yining, një nga ekonomistët më në zë të Kinës, tha se qeveria duhet të fokusohet në kuadër të kësaj nisme në shpërndarjen e energjisë elektrike në vendet e Azisë Jugore të cilat kanë shumë nevojë për të.

"Kina po formon një rrjet global të energjisë, përmes të cilit energji e mjaftueshme mund të transmetohet nga Kina Perëndimore në Azinë Jugore. Ne i kemi kushtet për të transmetuar energji elektrike të pastër në distancë të madhe", tha Li Yining.

Përveç sugjerimit lidhur me shpërndarjen e energjisë në vendet e nismës "Një brez, një rrugë", zëvendësministri kinez i financave, Zhu Guangyao u bëri thirrje kompanive kineze të zgjerojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet këtij programi.

"Eksportimi i kapacitetit prodhues nga Kina përbën një formë të këtij bashkëpunimi. Kapaciteti ynë i prodhimit është shumë i përparuar, siç mund të shihet përmes të drejtave të pronësisë intelektuale. Përhapja e njohurive praktike dhe teknologjisë së Kinës do të mirëpritet nga vendet përgjatë nismës "Një brez, një rrugë", duke na krijuar mundësi për thellimin e bashkëpunimit", tha zëvendësministri kinez i financave.

Diskutim rreth nismës "Brezi dhe Rruga" ndodh përpara mbajtjes së një forumi të madh ndërkombëtar që do të mbahet në Pekin në maj. Aty pritet të marrin pjesë të paktën 20 kryetarë shtetesh dhe qeverish.

Mrekulli
Lajmet Kryesore