Kina po përqafon tregun financiar global me hapje më të madhe

2019-11-19 14:23:10 CRI Komenti juaj Printoni

Në fund të tetorit u zhvillua në Guangzhou të Kinës Jugore seminari mbi hapjen financiare të Kinës dhe tregun financiar global.

Për hapjen financiare, mbi dy vjet më parë, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së dhe kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping theksoi në mbledhjen e Grupit Qendror të Punës Ekonomike se shtimi i hapjes së sektorit financiar është një pjesë e rëndësishme e hapjes së Kinës me botën e jashtme.

Që prej atëherë, Kina ka zbatuar konkretisht masat e hapjes në sektorin financiar, si heqja e kufizimeve për investitorët e huaj institucionalë të kualifikuar (QFII) dhe për investitorët e huaj institucionalë të kualifikuar në RMB (RQFII), caktimi i kohës për heqjen e kufizimeve për nivelin e aksioneve të zotëruara nga investitorët e huaj në tregun e letrave me vlerë, lehtësimi i vazhdueshëm i pragut të hyrjes në tregun kinez për bankat dhe kompanitë e huaja të sigurimeve, lehtësimi i mëtejshëm i investimeve të institucioneve të huaja në tregun ndërbankar të letrave me vlerë etj. Të gjitha këto tregojnë që sektori financiar i Kinës po futet në një periudhë me hapje të gjithanshme, si dhe vendosmërinë e Kinës për t'u integruar në tregun financiar global.

Në këtë seminar ekspertët financiarë kanë vlerësuar masat e Kinës për hapjen e sektorit financiar. Ata janë të mendimit që pas zhvillimit 40-vjeçar, sektori financiar i Kinës është i aftë të përballet me konkurrencën ndërkombëtare. Shtimi i hapjes jo vetëm do të favorizojë konsumatorët kinezë, por edhe do të shtojë forcën konkurruese të sektorit financiar kinez në tregun ndërkombëtar. Kjo është një gjë pozitive për zhvillimin afatgjatë.

"Metoda më e mirë për zhvillimin financiar është globalizimi i këtij sektori, se kjo do të nxitë standardet dhe sistemin global," tha ish-kryeministri pakistanez Shaukat Azizi, i cili mendon që pjesëmarrja në konkurrencën globale mund të rritë nivelin e përgjithshëm të sektorit financiar.

Për këtë, kanë të njëjtin mendim edhe kryemenaxheri e kryeekonomisti për Kinën në Bursën e Hong-Kongut dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Financave pranë Universitetit të Pekinit Ba Shusong, dhe ish-zv.presidenti i FMN-së Zhu Min.

Z. Ba Shusong u shpreh: "Tani Kina ndodhet në fazën kur ka nevojë të madhe për hapjen e sektorit financiar." Kinës i duhet hyrja e kapitaleve për të balancuar makroekonominë. Krahas kësaj, ndërmarrjet kineze kanë nevojë për hapjen e sektorit financiar gjatë konkurrencës globale.

Nga ana e tij, Zhu Min është i mendimit që financat janë pjesë e globalizimit. Ai vuri në dukje se tani niveli i hapjes i sektorit financiar në Kinë ende nuk është i mjaftueshëm: "Reforma dhe Hapja kanë filluar prej 40 vjetësh dhe tregu financiar është zgjeruar pandërprerë, por përqindja e investimeve të huaja është e ulët. Një nga arsyet kryesore është që hapja në këtë drejtim nuk është e mjaftueshme, prandaj duhet të ngulim këmbë te hapja."

Atëherë, ku është fokusi i hapjes së sektorit financiar? Ish-zv.guvernatori i Bankës së Kinës Wang Yongli pranon që, për hapjen e sektorit financiar, fokusi i vërtetë është hapja e tregtisë financiare, si tregu i aksioneve, i letrave me vlerë, i arit, i valutave të huaja, i kontratave me zbatim të ardhshëm etj. "Për të pasur ndikueshmëri ndërkombëtare, duhet medoemos të hapet tregu financiar dhe të tërhiqen burimet financiare të tërë botës në tregun e këtushëm," thotë Wang Yongli.

Hapja e sektorit financiar do të jetë një periudhë me mundësi dhe sfida për Kinën dhe tërë botën. Por është e dukshme që mundësitë janë më të mëdha se sfidat.

Kryezyrtari ekzekutiv i degës në Kinë të kompanisë së vlerësimit "Standard&Poor's" Jin Jixiang u shpreh që, me hapjen e sektorit financiar, "Standard&Poor's" në vitin 2019 është kualifikuar për të hyrë në sektorin bankar të Kinës. "Vlerësimet e kredive në tregun e financave janë një pjesë e rëndësishme. 'Standar&Poor's', me standarin e saj botëror, ka krijuar një sistem vlerësimesh për Kinën," bëri të ditur Jin Jinxiang-u.

"Far East" është një kompani kineze e vlerësimit të kredive. Presidenti i kompanisë Li Yong e pranon që institucionet kineze të vlerësimit të kredive po e zvogëlojnë hendekun me simotrat e tyre në rang botëror, si "Standard&Poor's", "Moody's" dhe "Fitch Ratings". Tani, me hapjen e tregut të vlerësimit financiar, hyrja e institucioneve të huaja në Kinë do të ngrejë nivelin e konkurrueshmërisë së institucioneve kineze në këtë drejtim.

Li Yong shtoi gjithashtu që, megjithëse tani institucionet kineze të këtij sektori janë në përmasa të vogla dhe niveli i ndërkombëtarizimit të tyre nuk është i lartë, pas praktikave dhe zhvillimit prej dhjetëra vjetësh, "kemi bazën dhe burimet e duhura dhe mund të dalim edhe jashtë vendit". (Jiang Lei)

Mrekulli