Vlerësuesit e produktet luksoze në Kinë, shumë të kërkuar

2019-04-15 10:09:30 CRI Komenti juaj Printoni

Të ardhurat në rritje, ngritja e nivelit të konsumit, shqetësimet për prodhimet false e bënë këtë karrierë jo të zakonshme të preferuar.

Vajzat e reja mund ta ëndërrojnë të kenë një çantë të markave të famshme -"Louis Vuitton", "Gucci" ose "Burberry" - por 35-vjeçari Zhang Chen, një vlerësues për produktet luksoze në Pekin, merret me qindra mallra të tilla përditë.

Luksi është një prirje. Në kohën kur të pasurit kinezë frekuentojnë qendra tregtare fizike ose virtuale, ose qoftë edhe platforma të mallrave të përdorura, një shërbim i tillë si i Zhang-ut është shumë i kërkuar.

Puna e tij është për të dalluar produktet autentike luksoze nga ato të falsifikuara dhe t'u japë këshilla të përshtatshme konsumatorëve.

Zhang i ofron shërbimet e tij edhe në internet, edhe me anë të ndërveprimeve njerëzore. Kur ai komunikon me klientët në internet, u kërkon atyre t'i tregojnë fotografitë e produkteve nga kënde të ndryshme.

Kur i shqyrton fizikisht produktet luksoze, Zhang vishet me doreza dhe përdor dritë me ngjyrë vjollcë, xham zmadhues, kaçavida dhe drita dore.

"Meqë industria e luksit po lulëzon në Kinë, gjithnjë e më shumë konsumatorë po blejnë produkte të përdorura, në platforma të tregtisë elektronike, ose nëpërmjet 'daigou'-t (agjentë që blejnë produkte në vende të tjera për konsumatorët në Kinën kontinentale). Meqë zakonisht kostoja është më e ulët sesa po të blinin në dyqanet e luksit në qendrat tregtare, ata janë të gatshëm të paguajnë një shumë të vogël vlerësimi për të verifikuar produktet para se t'i blejnë."

Sipas parashikimeve të kompanisë së konsultimeve "McKinsey", deri në vitin 2025, konsumatorët e pasur kinezë do të kontribuojnë për 44 për qind, ose 149 miliardë dollarë, të shitjes globale të produkteve luksoze.

Raporti i Institutit të Kërkimeve "Yaok" që fokusohet te produktet luksoze, nënvizon se në 2018-n, konsumi i mallrave të luksit nga blerësit kinezë arriti në 145.7 miliardë dollarë, një rritje prej 7 për qind në krahasim me një vit më parë dhe duke zënë 42 për qind të konsumit të përgjithshëm botëror të luksit. Ndër të gjitha shpenzimet e kinezëve në mallra luksi, 107.3 miliardë dollarë, ose 74%, u bënë jashtë shtetit, ndërsa pjesa tjetër në tregun e brendshëm.

Raporti i "Yaok-ut" tregoi gjithashtu një rritje të blerjes së mallrave të luksit në internet në Kinë. Vjet vlera e blerjes ishte 5.3 miliardë, 37 për qind më shumë se në vitin 2017, duke zënë 14 për qind të shitjeve vjetore të produkteve të luksit në tregun e brendshëm.

Parashikohet se këtë vit do të ketë një rritje të madhe të shitjeve në internet në Kinë, duke i kaluar 50 miliardë juanët, në kushtet e mbështetjes së qeverisë kineze për biznesin elektronik.

"Industria e vlerësimit për produktet e luksit do të rritet, sepse njerëzit, sidomos kinezët, janë shumë të kujdesshëm në rastin e transaksioneve të kryera në internet," tha Zhang.

 

Udhëtimi i tij në këtë karrierë është rastësor. Kur ishte në Japoni për të marrë gradën "master", Zhang përfitonte nga rasti të blinte produkte luksoze aty dhe t'ua rishiste konsumatorëve kinezë.

Megjithatë, një pjesë e konsumatorëve të tij dyshonin në vërtetësinë e produkteve. Kjo ishte arsye pse ai u regjistrua në një kurs kualifikimi për vlerësimin e produkteve.

Tani, ai është i aftë të dallojë një produkt të falsifikuar në 10 sekonda. "Për disa produkte të reja duhet më shumë kohë, meqë duhet t'u kërkoj blerësve tanë në Evropë të bëjnë krahasim."

Kur u kthye në Kinë Zhang themeloi kompaninë "Extraordinary Boutique Technology" në Pekin, duke filluar të ofrojë shërbime vlerësuese për produktet e luksit.

Kompania e tij merr përditë në internet qindra porosi. Klientët i sjellin produktet e tyre në zyrën e tij për konsultime fizike.

Konsultimet virtuale në internet kushtojnë 49 juanë për objekt, ndërsa takimi ballë për ballë kushton 200 deri në 300 juanë rmb për objekt.

"Pjesa më e vështirë e kësaj pune është që produktet luksoze janë të punuara me dorë dhe të pastandardizuara. Produktet e të njëjtit stil, por të prodhuara në kontigjente të ndryshme, ndryshojnë nga njëri-tjetri. Krahas kësaj, çdo markë luksoze ka teknologjinë e saj të përpunimit dhe kjo teknologji është gjithmonë në ndryshim e sipër. Nuk ka rregulla specifike. Kjo kërkon që të kesh një kujtesë të mirë. Duhet të mësosh në çdo kohë, sepse shfaqen stile të reja. Gjithashtu teknologjia e falsifikimit përditësohet shpesh."

Sipas Zhang-ut, tani në Kinë kanë rreth 10 000 vlerësues të produkteve, por vetëm më pak se 50 prej tyre mund të vlerësojnë produktet e të gjitha markave luksoze. "Kësaj industrie i mungojnë talentet, sepse ka kërkesa jashtëzakonisht të mëdha për vlerësuesin e mallrave të luksit."

Falë oreksit të rritur të konsumatorëve kinezë për produktet e luksit dhe shqetësimeve të tyre lidhur me falsifikimet, për kompaninë e Zhang-ut, "Extraordinary Boutique", numri i porosive për vlerësim vjet u rrit 70 për qind në krahasim me vitin 2017

Specialistët e tregut thonë që për vlerësuesit ka një të ardhme të ndritshme, meqë po shikohet një rritje në të ardhurat e disponueshme të shtresës së mesme kineze dhe kërkesa për mallra luksoze do të rritet me siguri në kohën e ngritjes së nivelit të konsumit, sidomos në qytetet e nivelit të dytë e të tretë. "Vlerësuesit ndodhen në qendër të industrisë së mallrave luksoze dhe janë një objektiv i nxehtë në tregun e talenteve," përfundon 35-vjeçari që vlerëson luksin.

(Wang Xianya)

 

Mrekulli
Lajmet Kryesore