Chishui, pasurim nga bima mjekësore

2018-10-16 14:42:11 CRI Komenti juaj Printoni

Provinca Guizhou e Kinës Jugperëndimore është e njohur për biodiversitetin dhe burimet e pasura natyrore, megjithatë është edhe një ndër zonat më të varfra në Kinë. Përpara fundit të vitit të kaluar, edhe Chishui ishte një nga ato zona. Por tani ai ka hyrë në rrugën e pasurimit, falë edhe kultivimit të një bime mjekësore.

Chishui është një konte me rreth 300 mijë banorë në veriperëndim të provincës Guizhou. Megjithëse është një zonë e pasur me bambu, që quhet edhe si "ari i gjelbër", Chishui ka qenë për një kohë të gjatë një zonë e goditur rëndë nga skamja. Deri në vitin 2014, 14.6 % e popullsisë jetonte ende nën nivelin e varfërisë, që do të thotë se 3 në 20 banorë jetonin me të ardhura vjetore rreth 360 dollarë, ose më pak se 1 dollar në ditë.

Përveç bambusë, Chishui është i famshëm edhe për një bimë tjetër të quajtur jinchai shihu ose thjesht shihu, me emrin shkencor Dendrobium nobile, një nga bimët që përdoren në mjekësinë tradicionale kineze. Kultivimi i kësaj bime ka sjellë vitet e fundit pasurimin e mjaft banorëve të Chishui-t. Një prej tyre është Yuan Tuhui, 39 vjeçe, e cila është marrë me rritjen e shihu-së që nga viti 2008.

"Shihu-ja rritet kryesisht në shkëmbinjtë këtu në Chishui. Sipas 'Përmbledhjes së Materia Medica', shënimet e mjekësisë së lashtë kineze, shihu është një nga nëntë barërat e rralla të çmuara. Ajo është e efektshme në trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe cerebrovaskulare," shpjegon ajo.

"Më parë unë punoja për të tjerët, si edhe shitja perime," vazhdon Yuan Tuhui. "Të ardhurat ishin vërtet shumë të pakta. Bëja vetëm disa mijëra juanë në vit. Por më vonë, me nxitjen që i bëri pushteti vendor kultivimit të shihu-së, unë pashë një mundësi të mirë. U regjistrova dhe fillova të mësoj si të ngre një plantacion me shihu".

Yuan Tuhui e filloi biznesin e saj të rritjes së shihu-së në vitin 2008. Në fillim ajo ngriti vetëm dy serra, kurse deri në fund të vitit 2017, numri i tyre arriti në më shumë se 60. Përveç tyre, ajo zotëron mbi 13 hektarë me shihu në mal. Të ardhurat e saj vitin e kaluar arritën më shumë se 300 000 juanë, ose rreth 47 000 dollarë.

Tani në Chishui ka mbi 5300 hektarë tokë ku kultivohet shihu. Ashtu si Yuan Tuhui, shumë fermerë të tjerë, duke përfshirë edhe të moshuarit, po merren me rritjen e shihu-së. Liu Yurong nga zyra e uljes së varfërisë e kontesë, shtjellon: "Ka rreth 20 000 fermerë në Chishui që rritin shihu. Rendimenti është 150 - 300 kg shihu për mu, që është rreth 667 metra katrorë, duke fituar 6000 deri në 8000 juanë në vit. Çmimi në treg për kërcejtë e shihu-së është 70 juan për kilogram, ndërsa për lulet e saj është deri në 3 000 juanë për kilogram. Nga 2 ose 3 mu tokë të mbjellë me shihu, një familje mund të shpëtojë nga varfëria. Përveç kësaj, kultivimi i shihu-së nuk kërkon shumë përkujdes, saqë edhe një 80-vjeçar mund ta kultivojë dhe të sigurojë jetesën nëpërmjet shihu-së."

Liu Yurong-u thotë se një ndihmesë në daljen nga varfëria ka dhënë edhe ndërtimi i rrugëve të reja, që e lidhin Chishui-n me zonat e tjera dhe që mundësojnë transportin e produkteve që prodhohen në këtë konte. "Pa rrugë nuk ka pasuri," shprehet Liu Yurong-u.

Në Chishui ka hapur një degë të saj një kompani farmaceutike. Fermerët mund të blejnë fidanë cilësorë shihu-je nga kjo kompani dhe t'i rritin në tokat e tyre. Kompania farmaceutike pastaj e blen shihu-në nga fermerët për të prodhuar barna, gjë që e rrit vlerën e kësaj bime. Si kompania, ashtu dhe fermerët kanë përfituar shumë nga kultivimi i shihu-së.

Deri në fund të vitit 2017, më shumë se 25 000 veta kanë dalë nga varfëria në Chishui.

Mrekulli
Lajmet Kryesore