Porti i Pireut, përfitime të përbashkëta për Kinën dhe Greqinë

2018-10-02 10:51:52 CRI Komenti juaj Printoni

Porti grek i Pireut është porti i dytë më i madh në detin e Mesdheut. Pak vjet më parë, ndërmarrjet kineze nisën të bënin investime në këtë port, duke filluar ndërtimin e përbashkët të tij. Tani, kushtet e infrastrukturës dhe aftësia e menaxhimit në këtë port janë përmirësuar në mënyrë të dukshme dhe pagat e punonjësve grekë janë rritur shumë. Porti i Pireut është bërë një dëshmitar kryesor i bashkëpunimit Greqi-Kinë për zbatimin e nismës "Një brez, një rrugë" dhe i përfitimeve të përbashkëta mes dy vendeve.

Në skelën e portit të Pireut janë vendosur shumë kontejnerë. 27-vjeçari Nikos Katsafados është operatori i makinës pirun. Ai ka lindur në Pire dhe ka punuar pothuajse pesë vjet në këtë skelë.

"Më pëlqen të punoj këtu. Pas fillimit të menaxhimit të ri, porti ynë po bëhet gjithnjë e më i madh dhe gjithnjë e më shumë anije po presin shërbimet tona," thotë ai.

Katsafados-i ka një rrogë mujore prej 1200 eurosh, që është mjaft e mirë në gjendjen e tanishme ekonomike të Greqisë. 10 vjet më parë, një rrogë e tillë në portin e Pireut ishte e paimagjinueshme. Në vitin 2008, kriza financiare ndikoi në mbarë botën dhe ky port pësoi një goditje të rëndë. Përveç ndikimit të krizës së borxheve në Greqi, biznesi i portit të Pireut vazhdoi të ulej, punëtorët organizonin shpeshherë grevë dhe puna e përditshme nuk ishte e qëndrueshme.

Por atë vit, nëpërmjet ankandit, një kompani kineze e quajtur COSCO mori me koncesion të drejtat e menaxhimit të skelave 2 dhe 3 të portit. Tetë vjet më pas, grupi i riorganizuar "COSCO Shipping" bëri blerjen e 67 % të aksioneve të Autoritetit Portual të Pireut dhe zyrtarisht u bë operatori i këtij porti.

Presidenti i kompanisë "COSCO Shipping" në portin e Pireut, Fu Chengqiu, ka qenë menaxheri i skelave 2 dhe 3 në këtë port. Në fillim, ai e drejtoi ekipin e tij në përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe efikasitetit të portit, duke përdorur një sistem modern menaxhimi. Kështu, kriza u përballua me sukses. Tani i gjithë porti është rigjallëruar.

"Në vitin e parë (2008), numri i përgjithshëm i kontejnerëve në portin e Pireut ishte 685 mijë, kurse në fund të vitit 2017, arriti në 4.15 milion. Në fillim ky port renditej në vendin e 93-të ndër 100 portet më të mëdha të botës, por tani është ngjitur në vendin e 36-të," thotë Fu Chengqiu.

Zhvillimi i portit ka tërhequr një numër gjithnjë e më të madh kompanish të transportit detar. Përgjegjësi i kompanisë së terminalit të kontejnerëve në portin e Pireut Wang Jihang u shpreh që tani në portin e Pireut kompanitë kryesore të transportit në botë kanë dhjetë linja kryesore, gjashtë linja dytësore dhe më shumë se 30 linja degë.

"Para se të vinim këtu, kishte vetëm një klient kryesor të portit të Pireut, MSC ("Mediterranean Shipping"). MSC-ja e përdorte atë si një port të vetin dhe nuk mund të shihnim kontejnerë të klientëve të tjerë. Nga ajo kohë me vetëm një kompani, klientët tanë tani përfshijnë më shumë se 20 kompani transporti. Tani, tre aleancat më të mëdha të anijeve në botë kanë linja kryesore në portin tonë dhe ka gjithsej 10 linja kryesore të lidhura me skelat tona," thotë Wang Jihang-u.

Gjatë 10 vjetëve të fundit, porti i Pireut ka dëshmuar bashkëpunimin e ngushtë mes Greqisë e Kinës dhe respektin e mirëkuptimin mes dy popujve. Në projektin e "COSCO Shipping" në portin e Pireut, përveç 15 menaxherëve kinezë, pjesa tjetër e punonjësve janë grekë. Deri më tani, ky projekt ka krijuar 2600 vende të drejtpërdrejta pune për banorët vendorë dhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ka hapur më shumë se 8000 vende pune.

Menaxheri i departamentit të dëmshpërblimeve pranë kompanisë së terminalit të kontejnerëve në portin e Pireut, Nikolaos Petsos, thotë:

"Projekti i portit të Pireut është një ndërthurje e dy qytetërimeve të lashta. Për një synim të qëndrueshëm, ne kemi arritur një konsensus thelbësor mbi mënyrën e bashkëpunimit, dhe kjo ndërthurje e bën projektin tonë shumë të suksesshëm. Ne kemi pasur një komunikim të mirë me ekipin kinez dhe menaxherët nga Kina vendosën një objektiv shumë të qartë për zhvillimin e kompanisë. Ne e zbatuam objektivin sipas mënyrës greke. Edhe jashtë punës, ne kemi një komunikim të shpeshtë me punonjësit kinezë, gjë prej së cilës kemi përfituar shumë."

Kompanitë kineze në portin e Pireut kanë fituar respekt dhe besim. Ky është rezultati i objektivit të nismës "Një brez, një rrugë" për "diskutim të përbashkët, ndërtim të përbashkët dhe përfitime të përbashkëta", si edhe një dëshmi e mirë që kjo nismë e paraqitur nga Kina po pritet pozitivisht nga tërë bota.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore