Kompanitë kineze të automjeteve shtojnë investimet në Rusi

2018-09-18 14:36:54 CRI Komenti juaj Printoni

Markat kineze të automjeteve kanë rreth dhjetë vjet që janë futur në tregun rus. Gjatë kësaj periudhe, vëllimi i shitjes së automjeteve në Rusi ka pësuar një rënie të madhe për shkak të krizës ekonomike në këtë vend dhe kompanitë evropiane dhe amerikane të automjeteve janë tërhequr nga tregu rus.

Por kohët e fundit, kompanitë kineze kanë shënuar rritje, duke shtuar nivelin e investimeve dhe duke zgjeruar rrjetin e shitjeve në Rusi. Sipas të dhënave të firmës ruse për analizën e tregut të automjeteve "Auto-statistika", në shtatë muajt e parë të vitit 2018, vëllimi i përgjithshëm i shitjeve të makinave kineze në tregun rus ishte 19 000, me një rritje vjetore prej 17 %. Markat kineze, si "Lifan", "Chery", "Geely" dhe "Changan", kanë hyrë dhe janë zgjeruar në tregun rus.

Sipas statistikave, marka më e preferuar kineze e automjeteve në Rusi është "Lifan Motors". Shitjet e saj përbëjnë gati gjysmën e vëllimit të përgjithshëm të shitjeve të makinave kineze në tregun rus. "Lifan Motors" është kompania kineze e makinave me vëllimin më të madh të shitjeve në Rusi për shtatë vjet me radhë. "Lifan Motors" e sheh Rusinë si një nga tregjet të rëndësishme strategjike jashtë Kinës. Pas hyrjes në Rusi në vitin 2007, "Lifan Motors" krijoi një kompani të pavarur shitjesh në vitin 2012. Tani ajo ka më shumë se 120 pika shitjeje në Rusi, duke ofruar shërbime cilësore pas shitjes me garanci për pesë vjet ose 150 mijë kilometra udhëtim, me synimin për të krijuar një imazh të besueshëm të markës për publikun. Zv.kryemenaxheri i përhershëm i "Lifan Motors" në Rusi, Wang Xiaolong, vuri në dukje se "Lifan Motors" në tregun rus ka shitur gjithsej 150 mijë makina dhe ka zbatuar një strategji pozitive lokalizimi. Në vitin 2015, ajo krijoi një uzinë automjetesh në Lipetsk të Rusisë, me një kapacitet vjetor prodhimi prej 60 mijë njësish. Krahas kësaj, "Lifan Motors" po futet në sektorin rus të automjeve me përdorim të përbashkët dhe taksi.

"Ne u bashkuam me partnerët rusë të automjeteve me përdorim të përbashkët, duke u bërë kompania e parë kineze e makinave që hyn në këtë treg. Kjo ka përmirësuar ndjeshëm famën e kompanisë sonë. Aktualisht, ne kemi investuar për më shumë se 600 automjete në Moskë dhe përdorimi mesatar i çdo automjeti është rreth 5-6 orë në ditë, që është një nivel i mirë," thotë Wang Xiaolong-u.

Wang Xiaolong-u u shpreh që makina me përdorim të përbashkët ende është një koncept i ri në Rusi. Numri i makinave të tilla në Moskë është më pak se 15 mijë, dhe 11 mijë prej tyre janë në qarkullim. "Lifan Motors" shpreson që të hyjë në këtë sektor sa më shpejt.

Përveç Moskës, 200 makina të tipit "X50" të prodhuara nga "Lifan Motors" janë vënë në përdorim në Jekaterinburg dhe Chelyabinsk nga qershori i vitit 2018, si makina të përdorimit të përbashkët me qira me orë. Krahas kësaj, "Lifan Motors" ka bashkëpunuar me kompanitë e mëdha të taksive në Moskë, duke ofruar më shumë se 2000 makina në sektorin e taksive dhe duke rritur kështu besimin e tregut rus për cilësinë e produkteve të markës "Lifan". Ndërkohë, "Lifan Motors" ka futur edhe makina elektrike në tregun rus, duke marrë pjesë aktivisht në procesin e caktimit të standardeve të automjeteve elektrike të Rusisë.

"Great Wall Motors" filloi të eksploronte tregun rus në vitin 2005, ndërsa në vitin 2014 vendosi të ketë një prani të fuqishme në këtë treg të madh. Në atë kohë, Rusia ndodhej në krizë ekonomike për shkak të sanksioneve. Kryemenaxheri i "Great Wall Motors" në Rusi, Cheng Xiaoguang, thotë:

"Në atë kohë, GM, 'Chevrolet' dhe kompanitë e tjera evropiane dhe amerikane të automjeteve po tërhiqeshin nga tregu rus. Ndërsa ne vepruam kundër kësaj prirjeje. Ne besojmë se kriza dhe mundësia janë të ndërlidhura bashkë. Potenciali i tregut rus është i madh dhe kriza është e përkohshme."

Tani "Great Wall Motors" ka krijuar në Rusi 19 pika të shpërndarjes së makinave të markës "Haval" të saj dhe do të përpiqet për më shumë shitje në të ardhmen. Deri në fund të këtij viti, numri i pikave të shpërndarjes do të rritet në 35 dhe vitin tjetër, ky numër do të arrijë në 65.

Marka kineze "Geely Automobile" e ka tregun rus një pjesë të rëndësishme në planin e vet strategjik global dhe po planifikon që të ofrojë produkte dhe shërbime cilësore, si makina të tipave fuoristradë, sedan, hatchback dhe crossover. Zv.presidenti ekzekutiv i kompanisë "Geely" në Rusi Zhang Shouhe thotë:

"Ne nuk shesim produkte me çmim dhe cilësi të ulët, por shesim produkte me cilësi të mirë dhe me çmime të arsyeshme. Produktet tona (në Rusi) shkojnë nga 850 mijë në rreth 2.2 milionë rubla. Ofrojmë produkte të ndryshme dhe u ofrojmë konsumatorëve mundësi të ndryshme. Kështu, mund të riformësojmë imazhin e markës 'Geely' në Rusi."

Sipas të dhënave të firmës ruse të analizës së tregut të automjeteve "Auto-statistika", në gjysmën e parë të këtij viti makinat kineze në Rusi zinin 1.9% të tregut. Kjo gjithashtu do të thotë se kompanitë kineze të makinave kanë ende një potencial të madh. Kompanitë kineze të makinave kanë përjetuar një "dimër të ftohtë" dhe po presin mundësitë e reja të zhvillimit pas rimëkëmbjes së ekonomisë ruse. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore