Sekreti i Kinës gjatë 40 vjetëve të Reformës dhe Hapjes

2018-09-11 14:46:51 CRI Komenti juaj Printoni

Sipas teorisë ekonomike të Kejnzit, që njohur edhe si kejnzianizëm, sistemi i ekonomisë moderne zakonisht përbëhet nga mekanizmat e tregut dhe kontrolli makroekonomik. Në kohën e sotme, shumë pak njerëz janë dakord si me ekonominë plotësisht të planifikuar, ashtu edhe me skajin tjetër, liberalizmin e plotë ekonomik. Çështja tani është që kur duhet të centralizohet dhe kur duhet të decentralizohet vendimmarrja. Këtu përfshihet një pyetje thelbësore: Cili është kufiri ndërmjet qeverisë dhe tregut? Për këtë, ka shumë përgjigje dhe një standard më i qartë dhe më i zbatueshëm është niveli i informacionit.

Përqendrim apo decentralizim

Për vendet që janë zhvilluara të parat, futja në civilizimin modern është një proces që mund të quhet "nga 0 në 1", ku nuk ka asnjë shembull për t'u ndjekur dhe paqartësitë dhe të panjohurat kanë qenë të shumta. Në atë kohë, duhej të shfrytëzohej sistemi i tregut, ku grupet, kompanitë, madje vendet e ndryshme mund të bënin eksplorime të shumëllojshme.

Por në vendet me zhvillim ekonomik më të vonë, ky proces ka paqëndrueshmëri të madhe dhe madje nuk ekziston. Për shumë nga objektivat e tyre të zhvillimit, ato nuk kanë më nevojë të krijojnë "nga 0 në 1", por vetëm të mësojnë nga përvojat e vendeve të zhvilluara më parë. Në këtë kohë, përqendrimi i forcave të ndryshme është një epërsi e madhe dhe shpeshherë mund të realizojë arritje të dukshme në mënyrë efikase.

Për këtë arsye, vendet që zhvillohen më vonë shpeshherë duhet të shfrytëzojnë më shumë rolin e qeverisë sesa ato të zhvilluara më parë. Fituesi i çmimit "Nobel" në ekonomi Arthur Lewis ka vënë në dukje se "qeveria luan një rol më të madh në vendet që zhvillohen vonë". Kështu problemi se kur duhet të ketë përqendrim e kur shpërndarje të vendimmarrjes, varet nga niveli i informacionit për objektivin. Nëse objektivi është i qartë dhe informacioni është i plotë, duhet të ketë përqendrim më të madh. Në rast të kundërt, duhet të lejohen më shumë metoda të ndryshme vendimmarrëse, për të dhënë hapësirë të lirë për sipërmarrësit në treg.

"Përqendrimi i forcave për sukses të madh"

Kina është një vend i madh që në vetvete integron faza të ndryshme zhvillimi. Në Kinë, ka objektiva për t'u imituar dhe për t'u kaluar, si edhe objektiva për t'u krijuar dhe ndjekur. Kjo ka sjellë që reformat në Kinë duhet të shfrytëzojnë në mënyrë komplekse dy forcat, përqendrimin dhe decentralizimin, qeverinë dhe tregun. Për sektorët e prapambetur, janë përdorur forcat në mënyrë të përqendruar, ndërsa për sektorët e përparuar, janë shfrytëzuar forcat në mënyrë të decentralizuar. Me këtë model, mund të realizohet imitimi dhe tejkalimi i sukseseve ekzistuese, si edhe mund të përballohen të panjohurat me përpjekje të shumëfishta.

Kina ka zbatuar sistemin e tregut në reformat e saj ekonomike, por kurrë nuk e ka braktisur parimin "Përqendrim i forcave për sukses të madh" dhe i kushton rëndësi përdorimit të epërsisë së këtij sistemi gjatë procesit të reformës. Tani, gjithnjë e më shumë njerëzit kanë arritur një unanimitet: nuk duhet të mohohen 30 vjetët e ardhshëm me 30 vjetët e mëparshëm dhe nuk duhet të mohohen 30 vjetët e mëparshëm me 30 vjetët e ardhshëm. Periudha e ekonomisë së planifikuar para Reformës dhe Hapjes dhe periudha e ekonomisë së tregut pas Reformës dhe Hapjes në fakt kanë një pikë që i bashkon, e cila është shfrytëzimi i epërsisë së parimit "Përqendrim i forcave për sukses të madh" në nivel kombëtar.

Kina ka pasur përparime të vrullshme në sektorë si industria hapësinore, trenat me shpejtësi të madhe dhe avionët e mëdhenj. Këta shembuj kanë një tipar të përbashkët: në këto fusha ka përvoja që mund të merren prej vendeve të zhvilluara dhe ka një objektiv shumë të qartë. Prandaj, efektiviteti është shumë i lartë, sepse mund të përqendrohen të gjitha forcat dhe në këtë bazë, mund të realizohet tejkalimi i shpejtë.

"Rruga e tretë"

Mendimtari Karl Polanyi e shikon ekonominë e tregut me një këndvështrim të veçantë. Sipas tij, tregu në fakt është "mishëruar" në shoqëri dhe "rregullimi dhe tregu rriten në të njëjtën kohë". Mendimtari dhe ekonomisti Ronald Coase i përshkruan sipërmarrjet në një artikull të tij si "ishuj të fuqisë së vetëdijshme në këtë oqean bashkëveprimi të pavetëdijshëm si gjalpë i mpiksur në enën e qumështit." "Oqeani" i tregut nuk mund të përmbytë "ishujt" e sipërmarrjeve, dhe "ishujt" e sipërmarrjeve nuk mund të zotërojnë tërë oqeanin. Në këtë mënyrë, fuqia e vetëlindur e tregut dhe fuqia e planifikuar e sipërmarrjeve formojnë një gjendje të integruar me bashkëjetesë dhe bashkëzhvillim.

Përqendrimi dhe decentralizimi, planifikimi dhe liberalizmi kanë kuptimin dhe rëndësinë e tyre. Një sistem ideal nuk është ekstrem, por duhet t'i kombinojë këto të dyja në mënyrë të arsyeshme. Kështu që mund të shfrytëzohen të dyja forcat. Që nga fillimi i reformës ekonomike në Kinë është kërkuar që të shfrytëzohen forcat e qeverisë dhe të tregut, përqendrimit dhe decentralizimit, planifikimit dhe liberalizmit dhe me sukses Kina ka gjetur një rrugë të mesme, që njihet gjithashtu si "rruga e tretë".

Posaçërisht në këtë periudhë, në disa sektorë Kina ende është në një fazë zhvillimi të vonshëm dhe ende duhet t'i përqendrojë përpjekjet e saj në zgjidhjen e problemeve kyçe; por në sektorë të tjerë, Kina tani renditet në pozicion drejtues në botë, madje ka hyrë në një "tokë të shkretë", duke përballuar paqartësi të mëdha. Kështu, Kina duhet të gjejë një rrugë të re me risi. Prandaj, ajo duhet të stimulojë eksplorimin nëpërmjet sistemit të tregut.

Disa shekuj më parë, mendimtari i madh Tokëvil bëri një parashikim befasues: Për të arritur qëllimet e veta, amerikanët të motivuar nga interesat personale, i lejojnë njerëzit t'i përdorin energjinë dhe talentin e tyre pa asnjë kufizim. Ndërsa për këtë qëllim, rusët i kishin përqendruar pothuajse të gjitha fuqitë e shoqërisë në dorën e një personi... Secili nga këta popuj dukej sikur ishte përzgjedhur në mënyrë të fshehtë nga Zoti dhe një ditë në të ardhmen, këto dy superfuqi do të dominonin fatin e gjysmës së botës.

Tokëvili nuk parashikonte që në Lindje të botës, kur kinezët u futën në valën e modernizimit, ata trashëgonin një mënyrë gjithëpërfshirëse të mendimit nga kultura e lashtë tradicionale. Kinezët i shohin qeverinë dhe tregun në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe përpiqen që t'i përfshijnë brenda një kornize.

ShBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik kanë qenë fuqitë që sundonin fatet e gjysmës së botës, ndërsa mençuria gjithëpërfshirëse e treguar nga procesi i reformës dhe rruga e tretë e gjetur nga Kina paralajmëron një drejtim të ri për zhvillimin e njerëzimit. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore