Biznesi në Kupën e Botës 2018 në futboll

2018-07-10 15:49:07 CRI Komenti juaj Printoni

Më 14 qershor ka filluar në Rusi Kupa e Botës në futboll, ku 32 ekipe kombëtare do të zhvillojnë 64 ndeshje për të konkurruar për trofeun e kampionit.

Krahas entuziazmit të tifozëve, në fushën e blertë përveç futbollit, janë "shfaqur" edhe para të shumta. Modeli "platformë sportive për fitime ekonomike" tani është i mirënjohur në tërë botën. Ka analistë që besojnë se kjo festë fillon me futbollin dhe mbaron me një llogaritje ekonomike dhe ky është kuptimi i vërtetë i Kupës së Botës.

Kompanitë kineze "Wanda", "Mengniu", "Hisense", "Vivo", "Yadi", "Diking" dhe "LUCI" janë ndër sponsorët e botërorit të futbollit. Vlera e përgjithshme e sponsorizimit të tyre është më shumë se 300 milionë dollarë.

Si sporti numër një në botë, futbolli vetë po përfshin mundësi të panumërta biznesi. "Nuk është topi i futbollit që rrotullohet në fushë, por ari," thotë legjendari i futbollit Franc Bekenbauer.

Krahasuar me Lojërat Olimpike, Kupa e Botës në futboll ka një efekt më të fortë reklamimi dhe një vlerë më të lartë komerciale. Një raport i publikuar nga kompania "Deloitte" tregon se futbolli është projekti më i madh në industrinë e sportit. Vlera e tij vjetore i kalon 500 miliardë dollarët, duke përbërë më shumë se 40 % të vlerës së prodhimit sportiv dhe është "ekonomia e 17-të më e madhe në botë". Për këtë arsye, Kupa e Botës është bërë "klubi luksoz" i markave kryesore botërore të sektorëve të ndryshëm.

Duke mbajtur parasysh mundësitë e mëdha të biznesit të futbollit, FIFA ka vendosur standarde të rrepta. Prej vjetësh, sponsorizimi i FIFA-s kontrollohej nga kompani të mëdha ndërkombëtare, si "Coca Cola" e "Sony", dhe FIFA nuk pranonte të shtonte sponsorët. Prandaj ishte e vështirë për kompanitë kineze që të merrnin pozicionin e sponsorit.

Megjithatë, me ngadalësimin e rritjes së ekonomisë botërore dhe përfshirjen e FIFA-s në skandalet e korrupsionit, disa sponsorë kryesorë nga Europa dhe SHBA-ja filluan të "largohen" nga FIFA dhe nuk kanë rinovuar kontratat e tyre.

Në Kupën e Botës të Rusisë, që prej 7 qershorit, shtatë kompani kineze kanë marrë pjesë si sponsorë. "Wanda", "Mengniu", "Hisense", "Vivo", "Yadi", "Diking", "LUCI" dhe kompani të tjera të panumërta, që shpresojnë të shtojnë ndikimin e tyre me rastin e Kupës së Botës, kanë futur shumë elemente kineze, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt daljes së markave kineze në tregun global.

Sponsorizimi i botërorëve të futbollit ka sjellë përfitime kolosale për markat. Deri para Kupës së Botës të vitit 2002 që u zhvillua në Korenë e Jugut dhe Japoni, sponsorët zyrtarë të kësaj veprimtarie kishin qenë "fytyrat e njohura", si "Coca-Cola" dhe "McDonald's" dhe nuk kishte pasur kurrë sponsor nga kompanitë aziatike. Por në Kupën e Botës 2002, shtatë kompani aziatike, si "Hyundai Motors", "Sony" e "Toshiba" u bënë sponsorët zyrtarë, duke përbërë pothuajse gjysmën e sponsorëve. Kështu markat aziatike filluan të bëheshin të njohura në botë.

Analistët janë të mendimit që nxjerrja e fitimeve nga "ekonomia e 17-të më e madhe në botë" dhe bërja sponsor i nivelit të lartë i Kupës së Botës është jo vetëm një moment historik për ndërkombëtarizimin e kompanive, por edhe tregon fuqinë ekonomike dhe statusin ndërkombëtar të një vendi a të një kontinenti.

Në vitin 1978 GDP-ja e Kinës zinte vetëm 1.8 % të GDP-së botërore, ndërsa në vitin 2017 shifra arriti në 14.8%. Krahas kësaj, edhe shtresa e mesme në Kinë arriti në 230 milionë, më shumë se çdo vend tjetër i zhvilluar përveç ShBA-së. Përkatësisht 115 ndër 500 kompanitë më të mëdha në botë dhe dy ndër dhjetë kompanitë me vlerë më të madhe të tregut janë kompani kineze.

Presidenti i FIFA-s Giovanni Infantino e ka theksuar shumë herë se "në planin global të zhvillimit të FIFA-s, Kina është në një pozicion veçanërisht të rëndësishëm." Kryezyrtari Tregtar i FIFA-s Philippe Le Floc'h është shprehur gjithashtu: "Kina është një objektiv kyç i punës sonë. FIFA shpreson të përdorë ndikimin e kompanive kineze te konsumatorët kinezë, për të krijuar një platformë për përgatitjen e brezit të ri të tifozëve të futbollit dhe për të ndërvepruar me ta."

Në të kaluarën, sponsorët e Kupës së Botës ishin kryesisht markat kryesore nga Europa, ShBA-ja, Japonia e Koreja e Jugut dhe asnjë kompani kineze nuk përfshihej. Në vitin 2010, falë tërheqjes së një sponsori origjinal, kompania e energjisë së gjelbër "Yingli" u bë sponsori i parë kinez në historinë e Kupës së Botës.

Përpjekjet e "Yingli"-së kanë sjellë përfitime të mëdha. Në vitin 2011, niveli global i shitjeve të produkteve të kompanisë ishte 1604 megavatë dhe 3200 megavatë në vitin 2013. Gjatë Kupës së Botës në Afrikën e Jugut 2010, numri i klikimeve në uebsajtin zyrtar të "Yingli"-së u shtua pesë herë dhe çmimi i aksioneve të kompanisë u rrit me gati 40 % në muajin e parë të Kupës së Botës.

Suksesi i "Yingli"-së u ka shërbyer kompanive kineze si shembull. Sot, kompanitë kineze jo vetëm janë "vizitorë" të shpeshtë në Kupën e Botës, por edhe janë bërë sponsorë kryesorë të këtij aktiviteti global.

Më 18 mars 2016, FIFA nënshkroi marrëveshjen strategjike për bashkëpunim me "Wanda Group", cili është bërë sponsori i parë i FIFA-s në Kinë, me një afat marrëveshjeje 15-vjeçar.

Tani sponsorët e Kupën e Botës të FIFA-s ndahen kryesisht në tre nivele, secili me prag sponsorizimi dhe të drejta të ndryshme. Niveli i parë është partner i FIFA-s. Aktualisht, partnerët globalë të FIFA-s janë shtatë kompani, përfshirë "Wanda Group".

Niveli i dytë janë sponsorët e Kupës së Botës të FIFA-s. Tre kompani kineze, "Hisense", "Vivo" dhe "Mengniu", përfshihen në këtë listë prej pesë kompanish, duke zënë kështu më shumë se gjysmën.

Niveli i tretë është ai i sponsorëve rajonalë. Kjo është një gjë e re në Kupën e Botës në Rusi. Megjithëse ka shumë kufizime në këtë nivel, në rajonin e Azisë ka gjithsej katër sponsorë, tre nga të cilët janë kompanitë kineze "Yadi", "LUCI" dhe "Diking".

Zv.kryemenaxheri i "Wanda Sport" Zhao Xianglin ka thënë në një intervistë për revistën "China Economic Weekly": "Nga ana e sponsorizimit në sportet ndërkombëtare, gjithnjë e më shumë elemente kineze dhe kompani kineze po futen në arenën sportive ndërkombëtare të nivelit më të lartë të botës. Kjo nga një anë tregon fuqinë ekonomike të Kinës dhe synimin e saj për shtimin e 'fuqisë së butë' kulturore."

Kompania "Shankai Sports" është ndërmjetësi i kompanisë "Hisense" me FIFA-n. Ish-zv.presidenti i operacioneve i "Shankai Sports" Ding Minghao është i mendimit që marketingu sportiv është një rrugë e shkurtër për ndërkombëtarizimin e markave kineze dhe është mënyra më e përshtatshme për shtimin e ndikimit të tyre në tregun ndërkombëtar. "Me mbështetjen e Kampionatit Europian dhe Kupës së Botës, 'Hisense' mund të kursejë 5-8 vjet për të bindur konsumatorët e huaj," thotë Ding Minghao.

Si sponsori i parë prodhues i produkteve të qumështit në historinë e FIFA-s, "Mengniu" shpreson që të shënojë një faqe të re në Kupën e Botës. Departamenti i markës i "Mengniu"-t deklaroi që në Kupën e Botës, kjo kompani jo vetëm po përpiqet për marketizimin e produkteve të saj, "por shpresojmë edhe që të dërgojmë sinjale të shëndetshme dhe energjike nëpërmjet aktiviteteve sportive". (Jiang Lei)

Mrekulli