Ndërmarrjet kineze marrin pjesë aktivisht në ndërtimin e "Një brez, një rrugë"

2018-05-01 10:33:14 CRI Komenti juaj Printoni

Që nga shpallja në vitin 2013, nisma e Kinës "Një brez, një rrugë", me konceptin e saj integrues, projektimin e përgjithshëm dhe konkretizimin e projekteve të ndryshme, është mirëpritur gjithnjë e më shumë nga komuniteti ndërkombëtar, duke pasur rezultate të pasura nga bashkëpunimi. Deri tani, mbi 80 vende dhe organizata ndërkombëtare kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Kinën, ndërkohë që shumë ndërmarrje kineze kanë marrë pjesë aktivisht në ndërtimin e "Një brez, një rrugë", duke eksploruar modelet e reja të bashkëpunimit.

Në Forumin e 2-të të Reformës dhe Zhvillimit të Sipërmarrjeve Kineze, që u zhvillua në prillin e sivjetshëm në Pekin, një nga temat kryesore ishte ndërtimi i përbashkët i nismës "Një brez, një rrugë" dhe përfitimet e përbashkëta prej saj. Kryemenaxheri i Kompanisë së Ndërtimit të Komunikacionit të Kinës (CCCC) Chen Fenjian u shpreh që kjo kompani ka marrë pjesë në financimin ose zbatimin e mbi 1600 projekteve përgjatë "Një brez, një rrugë" dhe vëllimi i përgjithshëm i kontratave të nënshkruara i kalon 58.5 miliardë dollarë amerikanë. Kjo, sipas tij, ka nxitur zhvillimin e kompanisë, si edhe ka favorizuar banorët vendorë.

"Projektet e grupit CCCC, si porti i Gwadarit në Pakistan, rruga Kala-Kunlun, Ura e Miqësisë Kinë-Maldive, Qyteti-Port i Kolombos në Sri-Lankë dhe ura e Danubit në Serbi, janë jo vetëm projekte të cilësisë së lartë, por edhe monumente të miqësisë dhe të kontributit të Kinës. Hekurudha Mombasa-Najrobi, që vlerësohet nga kenianët si projekti i shekullit, tregon jo vetëm cilësinë dhe shpejtësinë me të cilën punon Kina, por edhe përgjegjësinë e saj para bashkësisë ndërkombëtare," thotë Chen Fenjian.

Grupi i transportit detar i Kinës COSCO është kompania më e madhe në botë që integron logjistikën dhe transportin detar. Ky grup është i përfshirë thellësisht në transportin detar, investimet në terminalet e porteve dhe ndërtimin e rrjetit të transportit në vendet përgjatë "Një brez, një rrugë". Zv.kryemenaxheri i COSCO-s, Yu Zenggang, thotë që për kompanitë që e zgjerojnë biznesin jashtë, integrimi shumëpalësh dhe rinovimi i modelit janë zgjedhje të domosdoshme. Ai mendon se menaxhimi i portit të Pireut në Greqi është një shembull i mirë.

"Le të marrim si shembull linjën ekspres tokësore-detare në portin e Pireut. Në krahasim me linjën tradicionale detare përmes Europës Veriore dhe Perëndimore, linja jonë tokësore-detare zgjat 11 ditë më pak. Në krahasim me linjën hekurudhore, udhëtimi me linjën tonë është vetëm katër ditë më i gjatë, por ka një epërsi të pakrahasueshme për sa i përket kostos. Kështu, mund të themi që linja tokësore-detare e ka afruar Kinën me Europën Lindore e Jugore, duke hapur kanalin e tretë nga Lindja e Largët për në Europën Juglindore," thotë Yu Zenggang.

Të dhënat tregojnë se, që nga viti 2009, kur COSCO filloi të merrte pjesë në procesin e privatizimit të portit të Pireut e deri në fund të vitit të kaluar, grupi ka krijuar 2600 vende të drejtpërdrejta pune e mbi 8000 vende pune jo të drejtpërdrejta, dhe ka dhënë kontribut të drejtpërdrejtë ekonomik prej 700 milionë eurosh. Ndërkohë, kapaciteti përpunues në portin e Pireut është rritur gjithnjë e më shumë. Në vitin 2017, vlera e fitimeve në këtë port arriti 48 milionë euro, 15 herë më shumë se në fillim të projektit.

Grupi i automjeteve JAC e ka selinë në Anhui të Kinës Lindore, ndërsa biznesin e ka zgjeruar jashtë Kinës në kuadrin e nismës "Një brez, një rrugë". Kryemenaxheri i grupit, Xiang Xingchu u shpreh që prodhimi, shitja dhe menaxhimi i lokalizuar ka nxitur shndërrimin e kompanisë nga një prodhuese e thjeshtë makinash në një investitore me epërsi në teknologji dhe administrim. Kjo, sipas tij, ka realizuar prodhimin dhe përfitimin e përbashkët:

"Në Vietnam, grupi JAC ka krijuar një model të ri të biznesit jashtë vendit, duke kaluar nga tregtimi i produktit të gatshëm në investim dhe prodhim të përbashkët. Në muajin mars të vitit 2010, u krijua dega e JAC-ut në Vietnam, me 51 % investim nga grupi JAC dhe 49 % nga investitorët vendës. Nëpërmjet rrjetit të shitjeve dhe shërbimeve të ngritur jashtë Kinës, ne ofrojmë kredi për blerjen e makinave dhe nxitim 'daljen jashtë vendit' me zinxhirin e plotë të vlerës. Kjo është në të mirë jo vetëm të përmirësimit të burimeve të kompanive dhe krijimit të epërsisë konkurruese thelbësore, por edhe të përshtatjes me strategjitë e vendeve ku investojmë dhe të sjelljes së përfitimeve konkrete afatgjata për banorët vendorë."

Përveç ndërtimit të infrastrukturës, disa kompani teknologjike dhe financiare kineze kanë marrë pjesë aktivisht në nismën "Një brez, një rrugë" dhe me eksportimin e modelit të tyre të biznesit dhe të teknologjisë moderne, ato kanë ndihmuar disa vende përgjatë "Një brez, një rrugë" të ofrojnë shërbime financiare gjithëpërfshirëse. Zv.presidenti i kompanisë financiare "Ant Financial", Yu Shengfa, bëri të ditur që kjo kompani ka investuar në nëntë vende e rajone, duke zgjeruar shërbimet financiare me teknologji moderne në tregjet vendore.

"Ne kërkojmë partnerë që kanë ide, kërkesa, vizione dhe modele biznesi të afërta me ato që kemi ne. Ne u ofrojmë partnerëve tanë vendorë teknologji dhe biznes të përbashkët. Deri tani e kemi përdorur këtë model në nëntë vende e rajone përgjatë 'Një brez, një rrugë' dhe, me pagesën në celular si një projekt pilot, kemi arritur financime gjithëpërfshirëse në tregjet e tyre," thotë Yu Shengfa, zv.presidenti i kompanisë financiare "Ant Financial".

(Jiang Lei)

Mrekulli