Sipërmarrësja e bujqësisë organike Yang Xiuyan

2018-05-01 10:04:55 CRI Komenti juaj Printoni

Sipërmarrësja kineze Yang Xiuyan në tetë vjetët e fundit u është përkushtuar përpjekjeve për t'i udhëhequr banorët e qytezës së saj të lindjes për të dalë nga varfëria nëpërmjet bujqësisë organike, duke e shndërruar qytezën në një "shportë të gjelbër" për qytetet e mëdha pranë.

Yang Xiuyan-i është nga Shunchang-u i kontesë Shuicheng në provincën Guizhou të Kinës Jugperëndimore, një prej provincave më të varfra të vendit. 20 vjet më parë Yang mori para hua disa nga të afërmit e miqtë e saj dhe hapi një firmë veshjesh. Më vonë, ajo e zgjeroi biznesin e vet edhe në riparimin e makinave e në shitjen e lëndëve të ndërtimit.

Gjithçka shkonte mbarë dhe familja e Yang Xiuyan-it jetonte mirë. Yang mund të kishte vazhduar të kishte një jetë të tillë, por kushtet e jetesës së banorëve të tjerë në qytezën e saj e kishin shqetësuar gjithmonë.

"Shunchang-u është një qytezë tipike bujqësore. Njerëzit këtu ende bëjnë një mënyrë jetese tradicionale bujqësore: ata shkojnë për të punuar në ara sapo lind dielli dhe kthehen në shtëpi në perëndim të diellit", thotë ajo. "Toka, klima, uji dhe kushtet e tjera natyrore janë të përshtatshme për rritjen e perimeve jo të stinës. Megjithatë, fermerët mbillnin perime vetëm për të përmbushur nevojat e tyre dhe jo për t'i shitur ato e për të rritur fitimet".

Ajo shton se, përveç epërsive natyrore, në qytezën e saj nuk kishte as fabrika, as minera. "Kështu që mendova se pse të mos shfrytëzonim një përparësi të tillë për të zhvilluar blegtorinë dhe bujqësinë organike," vëren ajo.

Dhe kështu Yang nisi hulumtimin e kodrave, lumenjve dhe fushave pranë qytezës, duke marrë 300 çanta me mostra dheu, analiza e të cilave tregoi se toka aty ishte e përshtatshme për mbjelljen e perimeve të cilësisë së lartë, pa ndotje.

Në vitin 2010, Yang Xiuyan-i krijoi një fermë për rritjen e derrave dhe më vonë nisi rritjen e perimeve pranë fermës. Pas dy vjetësh ajo dhe 10 punonjës të fermës mblodhën 200 000 juanë (rreth 31 500) secili për të marrë tokë me kontratë nga fermerët e zonës për rritjen e perimeve.

Një gjë e tillë nuk ishte e lehtë. "Në fillim, fshatarët nuk pranonin të na i kalonin të drejtën e përdorimit të tokës, nga frika e humbjes së garancisë së jetesës së tyre," tregon Yang.

Pas shpjegimeve të saj të përsëritura, shtatë familje pranuan ta jepnin me qira tokën e tyre, gjithsej vetëm 0.66 hektarë . Por, për shkak të menaxhimit jo shumë të mirë, Yang humbi të gjitha investimet e saj.

"Në vitin 2013, pësova humbjet më të mëdha dhe u futa në një borxh të madh. Shumë herë nuk isha në gjendje të paguaja as punonjësit e fermës sime", shprehet ajo. "Në atë kohë, Viti i Ri Kinez po afrohej. Duhej ta mbaja fjalën dhe të mos lejoja që fermerët të humbnin, prandaj huajta para kudo".

Yang Xiuyan-i huazoi 2.2 milionë juanë (347 mijë dollarë amerikanë) nga bankat dhe kompanitë e mikrokredive, si dhe njerëzit që njihte. Me këto para, ajo pagoi shpenzimet e ndryshme dhe qiranë e tokës.

Kështu ajo fitoi besimin e fermerëve, që iu bashkuan gjithnjë e më shumë biznesit të saj.

Për shkak të humbjeve, familja e Yang Xiuyan-it kishte borxhe të mëdha. E teksa ndiente këtë trysni të madhe financiare dhe duhet të përballej me kredidhënësit, Yang Xiuyan-i po mendonte me kujdes për arsyen e dështimit të saj.

Më pas, ajo vizitoi shumë zona në provincën e saj Guizhou, si edhe në Zhejiang të Kinës Lindore dhe Yunnan të Kinës Jugperëndimore për të mësuar më shumë për bujqësinë, veçanërisht për bujqësinë organike.

Në vitin 2014, Yang ngriti një qendër për rritjen e fidanëve dhe rifilloi biznesin. Këtë herë, ajo do të kishte sukses.

Duke shfrytëzuar një model biznesi që integronte fermën dhe familjet e fermerëve, ajo i bëri këta të fundit aksionarë në biznesin e saj nëpërmjet kontributit me tokë ose para.

Deri më tani, sipërfaqja e mbjellë ka arritur në afro 25 hektarë. Nën drejtimin e Yang Xiuyan-it, fermerët i shesin prodhimet e tyre bujqësore në qytetin Guangzhou të provincës Guangdong të Kinës Jugore dhe në Chongqing të Kinës Jugperëndimore. Ata gjithashtu kanë nënshkruar marrëveshje me tregtarët me shumicë, duke krijuar kështu platforma të qëndrueshme shitjeje.

Ferma e perimeve organike e Yang Xiuyan-it punëson tani rreth 100 persona, ndërsa po nën drejtimin e saj 512 familje fshatare kanë dalë nga varfëria duke rritur taro, një bimë tropikale që kultivohet për zhardhokët dhe gjethet e saj.

Vjet Yang i nxiti fermerët në të gjithë qytezën për të mbjellë rreth 140 hektarë taro, piper, xhenxhefil dhe bimë të tjera bujqësore.

Yang Xiuyan-i thotë se plani i saj i ardhshëm ishte rritja e sipërfaqes së kultivimit të kulturave bujqësore në qytezën e saj në 200 hektarë, në mënyrë që të gjitha familjet e varfra rurale të zonës të punojnë në vendlindjen e tyre, duke vazhduar daljen nga varfëria sa më shpejt të jetë e mundur.

Mrekulli
Lajmet Kryesore