Pagesa e lëvizshme, një prirje globale

2018-03-01 15:43:00 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit, agjencia e studimit të tregut "Forex Bonuses" publikoi renditjen e dhjetë vendeve kryesore për pagesën "non-cash" (pagesa pa para në dorë) në botë. Gjashtë vendet e para në këtë renditje janë përkatësisht Kanadaja, Suedia, Britania, Franca, ShBA-ja dhe Kina. 57 % e kanadezëve bëjnë pagesë nëpërmjet platformave "non-cash", kurse në Suedi niveli arrin në 59 %.

Tani në mbarë botën, duket sikur "non-cash" po bëhet një prirje e pakthyeshme dhe bankat qendrore të vendeve si Kina, Suedia, Kanadaja dhe Britania kanë nisur studimin e monedhës digjitale. A do të thotë që një botë "pa para fizike" do të vijë së shpejti? Për këtë, analistja e Agjencisë së Lajmeve CNS të Kinës, Sun Qiuxia, mendon që pas zhdukjes së pagesës me para në dorë, ajo që do ta zëvendësojë nuk është pagesa e lëvizshme.

Pse preferohet "non-cash"?

Nga viti 2007 deri në 2016, qarkullimi monetar në tregun e Suedisë u ul nga 10.5 miliardë në 6.5 miliardë korona. Në vitin 2016, vëllimi i pagesave me para në dorë zinte vetëm 20 % të të gjitha pagesave, që është shumë larg nivelit botëror prej 75%. Krahas Suedisë, edhe në Danimarkë niveli i pagesave jo me para në dorë është i lartë. Në vitin 2015, 87% e qytetarëve danezë të moshës 16-74 vjeçare e bënë 25 % të vëllimit të përgjithshëm të pagesave të tyre në internet. Vlen të përmendet që, në pagesat e përditshme të qytetarëve në Gadishullin Skandinavian, pagesa me para në dorë zë më pak se 6%.

Pse në vendet e Europës Veriore pëlqehet pagesa "non-cash"?

Drejtori i Institutit të Studimeve të Financës dhe Ekonomisë Ndërkombëtare pranë Akademisë së Shkencave të Kinës Cheng Lian thotë që një prej arsyeve kryesore për këtë është që vendet e këtij rajoni të Europës po përpiqen të luftojnë krimet financiare, duke ulur njëkohësisht kostot e institucioneve financiare gjatë procesit të pagesës.

"Vendet e Europës Veriore e nxitin pagesën pa para në dorë për disa arsye kryesore. Së pari, kjo mund të pakësojë krimet, si pastrimi i parave etj. Së dyti, 'non-cash' mund të shfrytëzohet si fuqi nxitëse për zhvillimin e sektorit të teknologjisë financiare. Së treti, kjo mund të ulë kostot e institucioneve financiare," thotë Cheng Lian.

Studiuesi i lartë i Institutit të Financave të Universitetit Renmin, Dong Ximiao, thekson që pagesa pa para në dorë është në të mirë të uljes së kostos së pagesave dhe të parandalimit të pastrimit të parave e të korrupsionit. Ajo mund të lehtësojë edhe jetesën e qytetarëve dhe të nxitë zhvillimin ekonomik.

"Pagesa me para në dorë ka disa probleme, si ndjekja e vështirë e pagesave dhe kostoja e lartë e transaksioneve. Pakësimi i pagesës me para në dorë në fakt është një synim i përbashkët i vendeve të ndryshme," thotë Dong Ximiao.

A do të zhduket paraja fizike?

Me nxitjen e vazhdueshme të pagesës "non-cash", njerëzit po pyesin në do të zhduket paraja fizike? Lidhur me këtë, ekspertët financiarë mbajnë qëndrime të ndryshme.

Kryestudiuesi i Bankës së Kinës, Zong Liang, thotë: "Në përgjithësi, përdorimi i parave fizike do të pakësohet, por nxjerrja nga qarkullimi i tyre brenda një kohe të shkurtër mund të shkaktonte probleme të tjera. Nga ana e zhvillimit, duhet të përshtatemi me prirjen e kohës dhe të pakësojmë gradualisht qarkullimin e parasë fizike, duke garantuar qarkullimin e arsyeshëm financiar."

Edhe Cheng Lian mendon që pagesa me para në dorë do të zëvendësohet nga pagesa "non-cash". Ai vë në dukje: "Siç mund të shohim nga procesi i ndryshimit të monedhave, përdorimi i monedhave do të bëhet më i lehtë dhe më i shpejtë. Monedha reale do të zëvendësohet nga monedha elektronike. Pyetja e vetme është se kur do të zëvendësohet."

Ndërsa Dong Ximiao shprehet që, megjithëse pagesa "non-cash" ka pasur zhvillim shumë të vrullshëm, në mbarë botën ende ka kërkesë të madhe për para fizike dhe në disa rajone kjo prirje madje është në rritje. P.sh., në Kinë, sipas raportit të publikuar nga Banka Popullore e Kinës, në vitin 2016, paraja fizike që qarkullonte në tregun kinez aritii vlerën e 6.83 trilionë juanëve, 8.07 % më shumë se në vitin 2015.

Dong thekson që përdorimi i pagesës "non-cash" nuk pakëson përdorimin e parave fizike. Në kohën kur përdoret më shumë pagesa "non-cash", edhe përdorimi i parave fizike është në rritje. "Prandaj, në të ardhmen të afërt, paratë fizike sigurisht do të ekzistojnë, sepse jo të gjithë njerëzit preferojnë të paguajnë me 'Alipay', 'Wechatpay' ose karta krediti. Disa janë mësuar me para në dorë. Prandaj duhet të respektojmë zgjedhjen e të gjithëve dhe t'i japim secilit mundësinë e zgjedhjes."

Pas parave fizike, si do të jetë monedha e ardhshme?

Megjithëse ende po diskutohet përdorimi apo jo i parave fizike, fakti është që bankat qendrore të shumë vendeve kanë nisur studimin mbi monedhat dgjitale të ligjshme.

Qysh nga viti 2014, Banka Popullore e Kinës ka krijuar një ekip studimi mbi nxjerrjen e monedhës digjitale. Ndërkohë, për të mbrojtur aftësinë e bankës qendrore për emetimin e monedhës dhe rregullimin ekonomik nëpërmjet mjeteve monetare, edhe banka qendrore e Suedisë mori vendim që të prodhojë monedhën e vet elektronike "E-krona". Po ashtu edhe Japonia po planifikon të nxjerrë monedhën kombëtare digjitale "J Coin" para hapjes së Olimpiadës së Tokios.

Dong Ximiao vuri në dukje se monedha digjitale nuk është as monedhë elektronike, as virtuale. "Monedha digjitale është digjitalizimi i monedhës së ligjshme dhe ka të njëjtin status me monedhat e emetuara nga banka qendrore. Ndërsa monedha virtuale, si 'Bitcoin', nuk është monedhë. Sipas bankës qendrore, 'Bitcon'-i është një produkt virtual," thotë Dong Ximiao.

Kryestudiuesi i Bankës së Kinës, Zong Liang, shprehet se emetimi i monedhës digjitale duhet të bazohet te teknologjitë krejtësisht të reja, si i ashtuquajturi "zinxhir i blloqeve" dhe kodimi. Ndërkohë, duhet të ketë një rregullore për hedhjen në qarkullim të monedhës digjitale. Kjo nuk është detyra e një vendi, por duhet edhe bashkërendim global, si ai ndërmjet bankave qendrore dhe institucioneve financiare ndërkombëtare si FMN-ja.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore