Huamao, fshati i pasuruar nga turizmi dhe mjeshtëritë tradicionale

2018-02-20 09:13:54 CRI Komenti juaj Printoni

Në vitin 2015, presidenti kinez Xi Jinping bëri një vizitë në fshatin Huamao në provincën Guizhou, ku jetojnë një numër i madh i pakicave kombëtare kineze. Gjatë ndalesës së tij Xi u interesua ndër të tjera edhe për ecurinë e projekteve të uljes së varfërisë. Huamao është kthyer tashmë në një shembull të hyrjes në rrugën e pasurimit nëpërmjet turizmit rural dhe mjeshtërive tradicionale, nga i cili mund të mësojnë edhe fshatrat e tjerë në zonat e varfra të Kinës.

Rrugët e pastra, shtëpitë e bukura, retë e bardha dhe malet e gjelbra, si edhe banorët e thjeshtë dhe mikpritës, janë ato që të presin kur viziton Huamaon. Në të vërtetë, ky fshat nuk është quajtur gjithmonë kështu. Dikur emri i tij ishte Huangmaotian, që fjalë për fjalë do të thotë "një vend i shkretë dhe i pabanueshëm nga njerëzit". Më vonë fshatarët ia ndryshuan emrin në Huamao, një simbol i dëshirës së tyre për begati e mirëqenie. Dhe duket se një gjë e tillë funksionoi, por jo si me magji, por falë punës e këmbënguljes së fshatarëve për të dalë nga varfëria shekullore, si edhe masave të marra nga pushteti vendor për zhvillimin e bujqësisë moderne e të turizmit rural.

Në Huamao, shumë nga banorët i kanë kthyer shtëpitë në hotele. Gjithashtu, vizitorët mund të marrin me qira një pjesë të tokës për të mbjellë perime ose mund të vjelin vetë frutat. Në këtë mënyrë, ata që e vizitojnë Huamaon mund të kenë një përvojë të këndshme e të hanë ushqime organike, kurse fshati vetë siguron të ardhura vjetore që i kalojnë 1 milion juanët (16 mijë dollarë), të cilat përmirësojnë kështu jetën e banorëve të tij.

Tani në fshat ka afro 50 hotele, me një xhiro të përgjithshme vjetore që arrin në më shumë se 135 milionë juanë (21.5 milionë dollarë), ndërsa më shumë se 250 banorë të Huamaos të larguar për të punuar në qytete të ndryshme janë kthyer për të filluar bizneset e tyre.

Të ardhurat vjetore të fshatarëve të Huamaos vitet e fundit kanë njohur një rritje mesatare vjetore 50 %, duke arritur vitin e kaluar në rreth 20 mijë juanë (më shumë se 3 mijë dollarë).

Huamao është gjithashtu i njohur për prodhimin e qeramikës, e cila ka këtu një histori më shumë se 400-vjeçare.

Rakia e njohur kineze "Moutai" fitoi medaljen e artë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Tregtisë "Expocomer" edhe për shkak të shisheve të saj të bëra me qeramikën e Huamaos, e cila e ka bërë këtë fshat të njohur si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

Në këtë epokë të teknologjisë së lartë, shumë banorë të Huamaos kanë zgjedhur të ruajnë e të punojnë në punishtet tradicionale. Mu Xiangang-u është një prej tyre.

"Mbajtja e punishtes së qeramikës nuk ishte një vendim i lehtë për mua, pasi biznesi në dekadat e fundit ishte në rënie. Megjithatë, nuk doja të humbisja kulturën dhe mjeshtërinë tradicionale të familjes sime, kështu që vazhdova të merrem me qeramikën," thotë Mu.

Dhe ishte një vendim i mirë. Biznesi i tij tani ka filluar rritjen. Përveçse shet produktet e veta, Mu Xiangangu u ofron turistëve të punojnë vetë qeramikën, për 20 juanë (rreth 3 dollarë).

"Shumica e njerëzve që vizitojnë fshatin tonë, vijnë në punishten time për të blerë vepra arti ose thjesht për të provuar kënaqësinë e punimit të qeramikës," shton ai. "Të ardhurat e mia vjetore janë rritur nga 30 000 në 300 000 juanë".

Prodhimi i letrës është një tjetër traditë e vjetër në Huamao.

Zhang Shengdi është një sipërmarrëse, kompania e së cilës dikur tregtonte rakinë "Moutai". Tani ajo ka krijuar një të ashtuquajtur "markë kulturore" me emrin "Huamao Renjia", që do të thotë "Familjet e Huamaos".

Zhang bisedoi me anëtarë të familjeve që merrnin ndihmë ekonomike nga shteti dhe kuptoi se kjo nuk ishte mënyra më e mirë për përmirësimin e gjendjes së tyre. Ajo vendosi t'i përfshinte ata në prodhimin e letrës, e cila në Huamao bëhet duke zier lëvoren e drurit të manit. Zhang hartoi një plan për shtimin e produkteve të letrës, duke përfshirë blloqet e shënimeve, ombrellat, fenerët etj., e duke përfshirë edhe ajo klientët në procesin e prodhimit.

"Një fjalë e urtë kineze thotë: 'Më mirë sesa t'i japësh dikujt peshq, mësoje atë se si të peshkojë vetë," shprehet Zhang.

Tani familjet që punojnë në këtë projekt kanë arritur edhe ato shtimin e të ardhurave.

"Puna me këtë projekt të uljes së varfërisë më ka dhënë edhe mua një ndjenjë vetërealizimi," thotë Zhang Shengdi.

Mrekulli
Lajmet Kryesore