Kina synon zhvillimin me cilësi të lartë në 2018-n

2018-02-14 16:05:40 CRI Komenti juaj Printoni

Në fillim të çdo viti, sektori kinez i statistikave publikon të dhënat ekonomike të vitit të kaluar, çka tërheq vëmendjen e gjerë të publikut. Në këtë periudhë të re, ku fokusi nuk vihet vetëm tek GDP-ja, shifrat dhe të dhënat statistikore mund të japin më shumë sinjale mbi gjendjen e ekonomisë së dytë të botës.

Më 18 janar, Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës publikoi të dhënat kryesore ekonomike, sipas të cilave vëllimi i përgjithshëm i prodhimit të brendshëm bruto të Kinës arriti vlerën 82 trilionë e 712 miliardë e 200 milionë juanë, 6.9 % më shumë në krahasim me vitin 2016, duke shënuar shtimin e parë të ritmeve të rritjes ekonomike në shtatë vjetët e fundit. Krahas rritjes më të madhe, vlen të përmendet që në vitin që shkoi, ekonomia kineze ka treguar disa veçanti të reja, si përmirësimi i strukturës, ndryshimi i fuqisë nxitëse dhe zhvillimi me cilësi më të lartë.

Në fund të vitit 2017, kur u zhvillua mbledhja qendrore e punës ekonomike, u shpall që veçantia kryesore e ekonomisë kineze në epokën e re do të jetë kalimi nga rritja e shpejtë te rritja me cilësi të lartë. Thelbi i zhvillimit me cilësi të lartë është "fokusimi te cilësia dhe fitimet". Nga ana e së ashtuquajturës "trojkë ekonomike", vjet në Kinë investimet kanë pasur rënie, niveli i konsumit shënoi rritje të qëndrueshme dhe eksporti u përmirësua në mënyrë të dukshme.

Sipas të dhënave statistikore, në vitin 2017, niveli i investimeve në pasuritë fikse në mbarë Kinën shënoi vlerën mbi 63 trilionë juanë, 7.2% më shumë se në 2016-n. Në vitet e kaluara, kur ekonomia kineze zhvillohej me ritme të shpejta, investimet jepnin kontribut të madh, por me më pak ndikime nga sektorët tradicionalë, ekonomia kineze duhet medoemos të ndryshojë gjendjen e varësisë kryesisht nga investimet në pasuritë e patundshme dhe ndërtimin infrastrukturor. Për këtë arsye, një rritje në sfondin e rënies së investimeve, është padyshim një lajm i mirë.

Në vitin e kaluar, vëllimi i përgjithshëm i shitjes me pakicë të mallrave të konsumit arriti më shumë se 36 trilionë e 626 miliardë juanë, me një rritje vjetore 10.2%. Megjithëse 0.2 pikë përqindjeje më pak se në vitin 2016, sërish është ruajtur rritja dyshifrore që ka vazhduar prej shumë vjetësh. Vitet e fundit, konsumi ka dhënë kontribut prej mbi 60% të rritjes ekonomike dhe bankat ndërkombëtare të investimeve parashikojnë që sivjet niveli i shitjes me pakicë në Kinë mund të barazohet për herë të parë me atë të ShBA-së, ose madje edhe mund ta kalojë. Kërkesa e brendshme është një bazë kryesore për ekonominë e një vendi. Tani në Kinë, struktura e konsumit nuk është përmirësuar sa duhet, por ajo vlerësohet si një potencial për zhvillim me cilësi më të lartë.

Lidhur me import-eksportin, nën ndikimin e mëkëmbjes së ekonomisë globale, niveli i përgjithshëm i importeve dhe eksporteve kineze vitin e kaluar ishte mbi 27 trilionë e 792 miliardë juanë, 14.2 % më shumë se një vit më parë. Prej tyre, eksportet ishin 15 trilionë juanë, me një rritje që është në nivelin 10.8 %, duke përfunduar rënien që vazhdonte prej dy vjetësh.

Për zhvillimin me cilësi të lartë, nevojë e brendshme është përmirësimi i dukshëm dhe i vazhdueshëm i nivelit të jetesës dhe kyçi është shtimi i të ardhurave. Të dhënat tregojnë që në vitin 2017, të ardhurat e konsumit për frymë në mbarë Kinën ishin 25 974 juanë, me një rritje reale 7.3%, pa llogaritur faktorin e rritjes së çmimeve, 1 pikë përqindjeje më shumë se në vitin 2016. Sipas kursit të fundit të këmbimit, GDP-ja për frymë e Kinës vjet arriti 9270 dollarë amerikanë, që vlerësohet si nivel i mesëm të ardhurash.

I ashtuquajturi "kurth i të ardhurave të mesme" është në fakt një gjë që Kina duhet ta përballojë patjetër. Kalimi nga faza e të ardhurave të mesme në fazën e të ardhurave të larta, duket si një problem i rritjes ekonomike, por përbën në fakt një varg problemesh strukturore, ku përfshihen përmirësimi teknologjik dhe industrial, zvogëlimi i hendekut të të ardhurave, shtimi i lëvizshërisë shoqërore dhe një zhvillimi më përfshirës. Për të hyrë në fazën e zhvillimit me cilësi më të lartë, duhet të trajtohen në mënyrë të përshtatshme këto probleme strukturore. Kështu, Kina do të futet në listën e vendeve me të ardhura të larta në mënyrë të suksesshme dhe të konsoliduar.

Edhe mjedisi luan një rol shumë të rëndësishëm kur vjen fjala te zhvillimi me cilësi të lartë. Gjendja jo e mirë mjedisore në këto vite është bërë një problem i dukshëm, që ka ndikuar në cilësinë e jetesës së njerëzve. Në vitin 2017, mjedisi ekologjik i Kinës u përmirësua në mënyrë graduale dhe numri i ditëve me smog u pakësua në mënyrë të dukshme. Ministria e Mjedisit e Kinës ka publikuar një raport mbi gjendjen e ajrit, sipas të cilit në vitin 2017, në 338 qytetet kryesore të Kinës, numri i ditëve me cilësi të mirë të ajrit arriti 78% dhe niveli i ndotjes nga grimcat PM2.5 dhe PM10 shënoi rënie krahasuar me vitin 2016. Krahas kësaj, në mbledhjen qendrore të punës ekonomike të zhvilluar në fund të vitit 2017, parandalimi i ndotjes u përcaktua si një nga tre sfidat në tre vjetët e ardhshëm.

Në fakt, zhvillimi me cilësi të lartë përfshin tre elemente bazë: cilësinë e mallrave, që do të thotë cilësia e lartë e shërbimeve dhe e furnizimit të mallrave; cilësinë e njerëzve, që do të thotë rritje e të ardhurave dhe e nivelit kulturor e teknik të njerëzve; cilësinë e lartë mjedisore, që do të thotë përmirësimi i mjedisit ku jetojnë dhe punojnë njerëzit. Nga gjendja e zhvillimit të vitit 2017, mund të shohim që këto tre elemente bazë janë përmirësuar në mënyrë të dukshme, por ende ka potenciale të mëdha, veçanërisht në strukturën ekonomike, të ardhurat për frymë dhe mjedisin ekologjik. Ato përbëjnë drejtimin e zhvillimit ku po synon Kina dhe janë përmbajtja thelbësore e zhvillimit me cilësi të lartë të Kinës.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore