Shen Wenrong, "Andrew Carnegie i industrisë kineze të çelikut"

2018-02-06 15:17:13 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari i grupit "Shanang" të Kinës Shen Wenrong e ka kthyer një uzinë të vogël çeliku në kompaninë më të madhe të prodhimit të çelikut në Kinë dhe në një ndër më të mëdhatë në botë. Kthesa e madhe mund të thuhet se erdhi kur ai bleu një uzinë prodhimi çeliku në Gjermani, që po shkonte drejt falimentimit, të cilën e çmontoi dhe e dërgoi në Kinë brenda kohës rekord të më pak se një viti. Vendimet e zgjuara që ka marrë në biznes e kanë kthyer atë në një ndër sipërmarrësit më të suksesshëm kinezë dhe në një miliarder, duke bërë të quhet edhe "Andrew Carnegie i industrisë së çelikut në Kinë".

Shen Wenrong-u ka lindur në Zhangjiagang të provincës kineze Jiangsu në vitin 1946. Pas përfundimit të Shkollës së Mesme të Përpunimit të Pambukut, ai nisi punë në Fabrikën e Zhveshjes së Pambukut të Jinfeng-ut, e cila ishte në pronësi shtetërore. Në fillim ai ishte një punëtor i thjeshtë, po falë përkushtimit e punës së palodhur, fitoi besimin e drejtuesve të fabrikës, duke kaluar menaxher i një uzine çeliku që kishte ngritur fabrika në vitin 1984.

Në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar, Shen Wenrong-u e bleu uzinën që drejtonte me paratë që kishte kursyer dhe me hua të marra nga miqtë dhe të afërmit. Kjo do të ishte pararendësja fillimisht e kompanisë "Shanang" dhe më pas e grupit me të njëjtin emër. Shen vendosi që uzina të mos prodhonte vetëm për fabrikën e pambukut, por ta zgjeronte biznesin e vet dhe të merrej me prodhimin e kornizave prej çeliku të dritareve. Ishte gjëja e duhur që duhej bërë në një kohë kur në Kinë sektori i ndërtimit po merrte një zhvillim të madh. Në vitin 1988, vëllimi i prodhimit të uzinës së Shen Wenrong-ut arriti në 130 mijë tonë, duke zënë 60 % të tregut vendës të këtyre produkteve.

Teksa kompania e krijuar tashmë mbi bazën e uzinës së çelikut vazhdonte të rritej, Shen Wenrong-u nisi të blinte uzinat e çelikut pranë, por një gjë e tillë doli se ishte e pamjaftueshme. Ai vendosi t'i hedhë sytë jashtë vendit. Në fillim "Shanang"-u bleu një uzinë të vogël çeliku në Angli, ndërsa në vitin 2001, Shen nënshkroi marrëveshjen që do ta bënte të njohur jo vetëm në Gjermani, por edhe më tej, në qarqet botërore të metalurgjisë së zezë: blerjen e uzinës së çelikut të grupit "ThyssenKrupp" në Dortmund, e cila ishte drejt falimentimit.

Media gjermane e pagëzoi këtë si "marrja me vete më e madhe" nga një kompani kineze. Dhe jo pa të drejtë. Në më pak se një vit, punëtorët e "Shanang"-ut e kishin çmontuar të gjithë uzinën dhe e kishin dërguar Kinë, në vendlindjen e Shen Wenrong-ut, Zhangjiagang. Pesha e përgjithshme e ngarkesës ishte 250 mijë tonë. "Shanang"-u pagoi vetëm 24 milionë dollarë për blerjen e uzinës që kishte kohë që dilte me humbje, si edhe 12 milionë dollarë për transportin, por plot 1.2 miliardë dollarë për rikonstruksionin e saj. E megjithatë, doli se ishte tjetër vendim i matur i Shen Wenrong-ut: uzina e rinovuar solli dyfishimin e prodhimit të kompanisë "Shanang", duke e çuar atë në 10 milionë tonë, për vetëm 60 % të kostos së ndërtimit të një fabrike të re.

Krahasuar me konkurrentët e vet që kishin marrë hua për të blerë pajisje e makineri të shtrenjta jashtë vendit, blerja e një uzine të përdorur i kishte dhënë epërsi kompanisë "Shanang" të Shen Wenrong-ut për sa i përket anës financiare. Dhe kështu, teksa kërkesa për çelik filloi të zvogëlohej, shumë uzina në Kinë u gjendën në vështirësi, me përjashtim të "Shanang"-ut, që filloi të zgjerohej nëpërmjet blerjeve jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë, pikërisht në Australi. Siç u shpreh në atë kohë me bindje Shen Wenrong-u: "Sikur edhe vetëm dy kompani çeliku të mbeten në Kinë, ne do të jemi patjetër një prej tyre".

"Shanang"-u u bë kompania më e madhe e prodhimit të çelikut në Kinë dhe një ndër më të mëdhatë në botë, por në vitin 2008 u bë kompania private numër një në Kinë për sa u përket të ardhurave, duke kaluar gjigantin e teknologjisë "Lenovo", që e zinte prej dhjetë vjetësh atë vend. Po atë vit "Shanang"-u u përfshi në "Listën e 500 kompanive kryesore të botës", duke qenë e vetmja kompani private nga pjesa kontinentale e Kinës në këtë listë.

Në vitin 2012 "Shanang"-u do të zinte përsëri vendin e parë në listën e 500 kompanive joshtetërore kineze. Po atë vit kompania u bë publike nëpërmjet blerjes së një ndërmarrjeje shtetërore që ishte tashmë e regjistruar në bursë.

"Shanang"-u ka tashmë një pasuri të përgjithshme me vlerë më shumë se 20 miliardë. Kapaciteti vjetor i prodhimit është mbi 39 milionë tonë çelik, 32 milionë tonë hekur dhe më shumë se 37 milionë produkte të petëzuara.

Pasuria e Shen Wenrong-ut arrin tani në 2.6 miliardë dollarë. E megjithatë, ai vazhdon të punojë dhjetë orë në ditë, si atëherë kur ishte një punëtor krahu. Siç thotë edhe e shoqja e Shen Wenrong-ut, marrja me hekurin e me çelikun është kthyer në pasionin më të madh të jetës së tij. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore