Yan Zhi, biznesmeni poet

2018-01-30 15:56:21 CRI Komenti juaj Printoni

Themeluesi dhe drejtuesi i Grupit "Zall" Yan Zhi mund të quhet edhe biznesmeni poet. Megjithëse poezia dhe biznesi duken si dy gjëra të largëta, pasioni që ka pasur Yan Zhi që në rininë e hershme për poezinë, nuk e ka penguar që të jetë një ndër sipërmarrësit më të suksesshëm, sidomos në sektorin e ndërtimit, duke qenë edhe një ndër njerëzit më të pasur në Kinë. Sot pasuria e Yan Zhi-së i kalon 10 miliardë dollarët.

Yan Zhi ka lindur në vitin 1972 në kontenë Luotian të provincës Hubei. Kur ishte 17 vjeç ai e la shkollën, për t'i ardhur në ndihmë familjes, pasi i ati u sëmur. Yan zuri vendin e punës së të atit në zyrën pyjore të kontesë Luotian. Për shkak të punës atij i duhej të shkonte edhe në terren, në malet dhe pyjet e kontesë. Gjatë kësaj periudhe, të cilën e ka quajtur si më të vetmuarën në jetën e tij, Yan filloi të shkruante poezi, e më pas edhe prozë të shkurtër, duke arritur edhe të botojë. Njërin nga tregimet e tij e lexoi shkrimtari i njohur kinez Liu Xinglong, i cili e rekomandoi krijuesin e ri të punonte si redaktor në gazetën vendore të Huanggang-ut në Hubei. Dhe kështu në vitin 1992, Yan Zhi filloi të punojë në këtë gazetë. Pas katër vjetësh, në moshën 24-vjeçare, ai vendosi të nisë biznesin e vet, duke krijuar "Zall Media".

Një ndër veprimet e para të Yan Zhi-së ishte blerja e hapësirës në gazeta të ndryshme vendore, duke bindur më pas 50 firma pajisjesh elektro-shtëpiake t'i reklamonin aty produktet e tyre. Brenda disa vjetësh "Zall Media" u kthye në agjencinë më të madhe të reklamave në provincën Hubei, e ndër më kryesoret në mbarë vendin.

Yan Zhi do të përfshihej në sektorin e pasurive të patundshme në vitin 2003, dhe kjo ndodhi vetëm për shkak se po ndeshte vështirësi për të gjetur për kompaninë e vet, e cila sa vinte e po zgjerohej, një seli të re në kryeqendrën e provincës Hubei, Wuhan. Ai mësoi se edhe shumë biznesmenë të tjerë kishin hasur në të njëjtin problem, dhe kështu vendosi të krijonte kompaninë e ndërtimit "Zall Development".

Në vitin 2005 kompania e re ndërtoi projektin e vet të parë, të quajtur "Kompleksi i sipërmarrjeve nr. 1". Projekti synonte pikërisht të shërbente si një qendër ku mund të vendoseshin selitë e kompanive të ndryshme të vogla e të mesme, për të zgjidhur atë çështje që Yan Zhi kishte hasur edhe vetë. Brenda dy vjetësh, më shumë se 100 kompani i vendosën selitë e tyre në këtë kompleks.

Por Yan Zhi nuk u ndal këtu. Ëndrra e tij tashmë është që ta kthejë Wuhan-in në atë rol që ka pasur 500 vjet më parë, në një qendër të tregtisë me shumicë. Për këtë qëllim ai zgjodhi Hankoun Verior.

Në vitin 2007 Hankou ishte vetëm një pikë për grumbullimin e mbeturinave në rrethinën veriore të Wuhan-it, por Yan Zhi ka investuar 6 miliardë juanë (rreth 950 milionë dollarë) për të ndërtuar Qendrën Tregtare Ndërkombëtare të Hankout Verior, që mbulon një sipërfaqe prej tre milionë metrash katrorë. Qendra shërben si treg shumice kryesisht për artikuj si këpucë e veshje dhe shumë firma janë zhvendosur nga qendra e vjetër tregtare "Hanzhengjie" e Wuhan-it në objektin e ri të Yan Zhi-së.

Për mendimin e Yan Zhi-së, Wuhan-i, që ndodhet në Kinën Qendore, në rrjedhën e mesme të Jancesë, ka një vendndodhje të mirë, teksa manifaktura në Kinë po kalon nga zona bregdetare lindore në perëndim.

Yan parashikon se Janceja do të bëhet një arterie edhe më e rëndësishme dhe ka blerë edhe një operator portual për të mbështetur investimet e veta të tjera në Wuhan.

Yan Zhi ka si qëllim diversifikimin e biznesit të vet edhe në aviacionin civil. Kompania e tij ka shpallur një plan për të investuar 10 juanë miliardë (rreth 1.6 miliardë dollarë) për të ndërtuar në Wuhan një qendër për prodhimin e avionëve.

Zgjerimi i biznesit të kompanisë së Yan Zhi-së ka sjellë një rritje të madhe të pasurisë së tij, veçanërisht në këta më pak se dy vjetët e fundit. Sipas vlerësimit të "Forbes"-it, në maj të vitit 2016 pasuria e Yan Zhi-së arrinte në 3.7 miliard dollarë, duke u ngjitur në 6.7 miliardë në nëntorin e vjetshëm e duke arritur tashmë në plot 10.2 miliardë dollarë.

Yan Zhi është i përfshirë edhe bamirësi, duke ndihmuar kryesisht në fushën e arsimit. Ai ka dhuruar dhjetëra milionë dollarë për Projektin "Shpresë" të Hubei-t, në ndihmë të nxënësve nga familje të varfra. Yan Zhi ka krijuar po ashtu "Bursën e studimit 'Zall'" në universitetin ku ka studiuar vetë, Universtitetin e Wuhan-it, teksa i ka dhuruar po ashtu dhjetëra milionë dollarë këtij universiteti.

Yan Zhi nuk e ka harruar pasionin e vet, letërsinë, sidomos poezinë. Ai ka botuar deri më tani 18 libra, kryesisht me poezi. "Disave u pëlqen të shkojnë në spa, ose grave u pëlqen të lyejnë thonjtë. Mua më pëlqen poezia, ky është hobi im," është shprehur ai.

Por 45-vjeçari ka edhe një passion tjetër: sportin, sidomos futbollin. Për këtë arsye në vitin 2015 ai bleu për 20.6 milionë juanë (afro 3.2 milionë dollarë) klubin e futbollit të Wuhan-it, që sot quhet Klubi "Zall" i Wuhan-it. Po atë vit Yan Zhi investoi 9 milionë dollarë për ndërtimin e një stadiumi të ri për klubin, të cilin synon ta bëjë në futboll po aq të suksesshëm sa është edhe ai vetë në biznes. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore