Zona e Tregtisë së Lirë e Shangait, model që përhapet në mbarë Kinën

2018-01-02 16:39:40 CRI Komenti juaj Printoni

Zona e Tregtisë së Lirë e Shangait është zona e parë pilot e tregtisë së lirë në Kinë. Në maj të vitit 2014, presidenti i Kinës Xi Jinping bëri një vizitë në Shangai, ku u shpreh në mënyrë të figurshme se Zona e Tregtisë së Lirë e këtij qyteti është si një tokë e madhe eksperimentale, e cila kërkon farëra cilësore e përkujdesje dhe që duhet të përhapë përvojën e vet të suksesshme në krahina të tjera të vendit.

Gjatë këtyre vjetëve, Zona e Tregtisë së Lirë e Shangait ka eksperimentuar pandërprerë, duke krijuar shumë risi dhe duke formuar rregulla tregtare që përshtaten me tregun ndërkombëtar. Tani, përvoja e kësaj zone është përhapur në mbarë Kinën.

Zona pilot e Tregtisë së Lirë e Shangait u krijua zyrtarisht në fund të shtatorit të vitit 2013. Disa ditë më pas nisi të zbatohet në këtë zonë sistemi i "pikës së vetme", çka është një risi e rëndësishme. Sistemi i "pikës së vetme" do të thotë se dokumentet mund të paraqiten në një qendër të vetme dhe mund të shqyrtohen e miratohen nga një organ i vetëm. Ky koncept i ri është një ndihmë e madhe për kursimin e kohës nga bizneset. Punonjësja në qendrën e shërbimeve komplekse "Waigaoqiao" të Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait Wang Lianfeng thotë:

"Para formimit të Zonës së Tregtisë së Lirë, koha e marrjes së licensës ishte afro 29 ditë pune. Pas formimit të kësaj zone, sipas premtimit tonë të 'pikës së vetme', për gjithçka kërkohen vetëm katër ditë pune."

Në muajin maj të vitit 2014, presidenti Xi Jinping bëri një vizitë në qendrën e shërbimeve "Waigaoqiao" të Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangai. Wang Lianfeng-u e njohu presidentin Xi me ndryshimet e mëdha të sjella nga risia e "pikës së vetme". Pas vizitës së Xi Jinping-ut, ritmet e zhvillimit të Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait nisën të përshpejtohen dhe sipas Wang Lianfeng-ut, pothuajse çdo muaj zbatohet një politikë e re në këtë zonë.

Në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait zbatohen modeli i menaxhimit me "trajtim kombëtar" të investimeve të huaja para hyrjes në tregun kinez dhe "listë negative". "Trajtim kombëtar" do të thotë se kompanitë e huaja që duan të investojnë në Kinë trajtohen njësoj si ato kineze. Për sa i përket "listës negative", deri tani, pas tre rishikimeve të saj, numri i pikave të përfshira në këtë listë është pakësuar nga 190 në më pak se 100. Gjithashtu, mbi 95 % e sektorëve të ekonomisë kombëtare përfaqësohen në këtë zonë. Me modelin e ri të menaxhimit me listë negative, koha e regjistrimit është shkurtuar në vetëm një ditë pune, nga tetë që ishte më parë. Zv.drejtori i Drejtorisë së Tregtisë të Bashkisë së Shangait Shen Weihua shprehet:

"Këto masa menaxhimi ka pasur efektivitet mjaft të dukshëm. Nga krijimi i saj deri në korrik të vitit 2017, Zona e Tregtisë së Lirë e Shangait ka tërhequr 91.3 miliardë dollarë investime nga 7860 kompani të huaja. Mbi 99 % e këtyre kompanive janë regjistruar me këtë model. Kjo shënon vërtet krijimin e një sistemi të ri menaxhimi."

Mbi këtë bazë, në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait është formuar gradualisht një sistem shërbimesh që është tërheqës për investitorët e huaj. Kompanitë e huaja i vlerësojnë pozitivisht risitë në këtë Zonë. Në muajin shtator të vitit 2014, gjiganti amerikan GE vuri në funksionim në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait qendrën e vet operacionale për Azi-Paqësorin. Zv.presidentja e GE-së, Duan Xiaoying, e vlerëson lart mbështetjen që kjo kompani ka marrë në këtë zone të tregtisë së lirë.

"Qendra jonë operacionale e Azi-Paqësorit u krijua tre vjet më parë në Shangai. Fokusi i kësaj qendre është ofrimi i shërbimeve për Kinën, si edhe për të gjitha bizneset e tetë degëve kryesore të GE-së në rajonin e Azi-Paqësorit. Me mbështetjen e politikave të Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait, për të gjithë procesin operacional, si procedurat dhe pagesat, ka pasur një mjedis shumë të mirë strategjik, duke përfshirë edhe strategjinë e zhvillimit," thotë Duan Xiaoying.

Zv.kryetari i Komisionit të Zhvillimit dhe Reformës së Shangait Zhu Min bëri të ditur që Zona e Tregtisë së Lirë e Shangait jo vetëm ofron zgjidhje për investimet e huaja, por edhe përbën një model që mund të zbatohet në mbarë vendin.

"Masat e reformës, si regjistrimi i investimeve të huaja, mund të ndiqen dhe të zgjerohen në mbarë vendin. Masat e tilla, si në fillim hyrja në zonë dhe pastaj deklarimi, ose deklarimi pas disa hyrje-daljesh, janë zbatuar në mënyrë të rregullt në pika të posaçme të kontrollit doganor dhe madje në mbarë vendin. Ndërkohë, 23 masa të reja financiare, si financimi ndërkufitar dhe përcaktimi i kursit valutor nga tregu, janë zgjeruar në mbarë vendin sipas gjendjes lokale," thotë Zhu Min. (Jiang Lei)

Mrekulli