Fan Bingbing, ylli i kinematografisë që "gjithçka e kthen në ar"

2017-12-26 15:41:25 CRI Komenti juaj Printoni

Fan Bingbing-u është një nga aktoret më të njohura kineze, fama e së cilës tashmë i ka kaluar kufijtë e atdheut të saj. Ajo është gjithashtu edhe këngëtare, si edhe një sipërmarrëse, që ka krijuar kompaninë e vet kinematografike. Falë talentit, bukurisë dhe sharmit të saj, ajo është kthyer në një "Mbretëreshë të qilimit të kuq". Fan Bingbing-u është sot jo vetëm aktorja më e paguar në Kinë, por edhe një ndër aktoret më të mirëpaguara të botës, duke ua kaluar edhe ikonave të "Hollivudit" si Angelina Jolie, Julia Roberts apo Jennifer Aniston. Një pjesë të mirë të këtyre fitimeve ajo e jep për bamirësi, kryesisht për të ndihmuar fëmijët që vuajnë nga sëmundje të zemrës. Dhe pikërisht këtë ajo e quan si arritjen e vet më të madhe në jetë.

Fan Bingbing-u ka lindur më 16 shtator 1981, në Qingdao të provincës Shandong të Kinës Lindore, por u rrit në një tjetër qytet të kësaj province, në Yantai, ku familja e saj u zhvendos jo shumë kohë pas lindjes së saj. Dëshira e Fan Bingbing-u për t'u bërë aktore lindi që fëmijë. "Kur isha 12 vjeçe e kisha tashmë ëndërr për t'u bërë aktore. Përjetimi i gëzimeve dhe i dhimbjeve të njerëzve të tjerë duke luajtur jetën e tyre më magjepste," është shprehur ajo.

Dhe objektivi i Fan Bingbing-ut për t'u bërë aktore nisi rrugën e realizimit kur ajo ndoqi Shkollën e Artit "Xie Jin" në Shangai, duke luajtur ndërkohë disa role të vogla në një numër telenovelash. Më pas Fan Bingbing-u hyri në Akademinë e Teatrit të Shangait, me mjaft emër në Kinë dhe jashtë saj.

Gjatë kohës së studimit në këtë akademi Fan Bingbing-u luajti edhe rolin që do të fillonte ta bënte të njohur, atë të Jin Suo-s në serialin televiziv "Princeshë Perla", duke fituar vlerësimet e publikut e të kritikës.

Më pas aktorja e re nënshkroi një kontratë me kompaninë kinematografike "Huayi Brothers", duke interpretuar në një numër serialesh të suksesshme televizive. Gjatë kësaj periudhe Fan Bingbing-u luajti edhe në disa filma, si "Celulari", që ishte filmi me fitimet më të mëdha nga shitja e biletave të kinemave në Kinë në vitin 2003.

Përveçse aktore, Fan Bingbing-u ka provuar edhe karrierën e këngëtares. Në vitin 2005 ajo nxori albumin e vet muzikor, të titulluar "Just begun", që përmbante muzikë nga kompozitorët me të cilët ajo kishte bashkëpunuar gjatë prodhimit të filmave. Albumi u kthye në një superhit.

Në 2007 Fan Bingbing-u krijoi studion e vet kinematografike, së cilës i vuri emrin e vet. Ajo po ashtu mori postin e drejtoreshës së shkollës artistike që kishin themeluar prindërit e saj, si edhe u bë drejtuese në një kompanie filmash në internet.

Por bukuroshja kineze nuk e la pas pasionin e vet: aktrimin. Fan interpretoi në një numër filmash të tjerë, jo vetëm kinezë, por edhe të "Hollivudit". Dhe filmat amerikanë ku ka interpretuar ajo, si "Transformers: Age of Extinction", "Iron Man 3", "X-Men: Days of Future Past" janë kthyer në suksese të vërteta komerciale në Kinë, tregu i dytë për nga madhësia i filmit në botë.

Fama, bukuria dhe sharmi i Fan Bingbing-ut kanë bërë që ajo të jetë e lakmuar për të qenë edhe imazhi i shumë kompanive të njohura ndërkombëtare, si "L'Oreal", "Adidas" etj. Media ka njoftuar gjithashtu se ajo është paguar mbi 400 mijë dollarë për të marrë pjesë në një event të vetëm.

Fan Bingbing-u është tashmë aktorja më e paguar kineze dhe ndër aktoret më të paguara në botë.

Sivjet Fan Bingbing-u zuri për të katërtin vit me radhë vendin e parë në listën e 100 njerëzve më të famshëm të showbiz-it në Kinë. Pasuria e saj vlerësohet se arrin sot në 300 milionë dollarë.

Aktorja kineze është quajtur edhe një "ikonë e modës globale" për shkak të pjesëmarrjes së saj të shpeshtë në premierat e filmave dhe sfilatat e modes, duke u quajtur edhe "Mbretëresha e qilimit të kuq". Siç është thënë, gjithçka që Fan Bingbing prek kthehet në ar. Shumë nga veshjet e saj nxirren në ankand dhe të ardhurat jepen për bamirësi.

Sepse, megjithëse bën të ashtuquajturën "jetë luksi" që shumë njerëz mund ta kishin zili, Fan Bingbing-u është mjaft e përfshirë në ndihmën ndaj njerëzve në nevojë, veçanërisht fëmijëve. Ajo ka bashkëthemeluar projektin "Heart Ali", për të ndihmuar fëmijët që vuajnë nga sëmundje të lindura të zemrës në Tibet. Fan Bingbing-u ka financuar ndërhyrjen kirurgjikale për dhjetëra fëmijë me defekte të lindura në zemër.

Dhe kur e pyet se cila është arritja më e madhe në jetën e saj, përgjigjja nuk është fama apo paraja: "Është pikërisht ky projekt bamirësie," thotë ylli kinez i filmit. "Kur i hedh sytë pas dhe shikoj se sa shumë fëmijë ka ndihmuar 'Heart Ali', të duket disi sikur po shkruan një ditar: një faqe në ditë ngjan se nuk është shumë, por pas disa kohësh që e ke mbajtuar ditarin, sheh papritur se ai është bërë shumë i trashë. Mendoj se kjo është ndjesia e të arriturit vërtet diçka në jetë." (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore