Liu Nan-i, nga nënë e re në biznesmene e suksesshme

2017-12-05 16:44:51 CRI Komenti juaj Printoni

Themeluesja e kryezyrtarja ekzekutive e "Mia.com", Liu Nan-i, e nisi rrugën e biznesit rastësisht, pasi u bë nënë, por ka krijuar një ndër platformat më të mëdha të tregtimit në internet të produkteve të kujdesit për nënën dhe foshnjat në Kinë.

Liu Nan-i ka lindur 33 vjet më parë në Xian të provincës Shaanxi të Kinës Veriperëndimore. Pas diplomimit me rezultate shumë të mira në Shkollën e Gazetarisë dhe të Komunikimit të Universitetit të Pekinit në vitin 2008, Liu Nan-i zgjodhi të punonte në degën e gjigantit amerikan "DOW Chemicals" në Kinë, sepse, siç thotë, "isha kureshtare të dija se si i bënin paratë të pasurit tradicionalë". Por rutina e përditshme e një kompanie industriale nuk i ngjallte shumë emocion e pasion të resë, kështu që pas dy vjetësh vendosi ta lërë punën, duke iu përkushtuar më pas rritjes së vajzës së vet të sapolindur.

"Ashtu si çdo nënë e re, doja t'i jepja më të mirën në botë sime bije," shprehet Liu Nan-i. Dhe për të gjetur produktet më të mira për foshnjat, Liu Nan-i nisi të lexojë komentet në uebsajtet e huaja, si "Amazon.com". Krahas blerjes së një numri produktesh të markave të huaja, Liu filloi të bënte edhe vetë komente, duke u bërë një emër i njohur në forumet e nënave të reja. E pikërisht duke ndarë përvojën e vet, Liu Nan-i kuptoi se kërkesa për produkte importi për nënat dhe fëmijët po rritej me shpejtësi në Kinë. "Shërbimet e papërshtatshme të dërgimit, pengesat gjuhësore, çmimet e larta dhe falsifikimi i mallrave krijonin sfida për blerësit kinezë," shprehet Liu.

Duke e parë këtë si një mundësi biznesi, Liu Nan-i hapi në vitin 2011 një "dyqan" në platformën e tregtisë elektronike "Taobao".

Për befasinë e saj, ditën e parë shitjet arritën 60 mijë juanë (afro 9 mijë dollarë). Bashkëbisedueset e Liu Nan-it nëpër forume u bënë klientet e saj të para, të cilat më pas e përhapën fjalën edhe tek të tjerët, duke qenë kështu agjentet më të mira të reklamës të dyqanit në internet të Liu Nan-it. Brenda dy vjetësh, shitjet vjetore arritën në 30 milionë juanë (4.5 milionë dollarë).

Në mars 2014, Liu Nan-i formoi kompaninë e vet, duke krijuar uebsajtin "Mia.com", ku shiten mallra importi të kujdesit për nënën dhe fëmijët me çmime konkurruese. Objektivi i saj kryesor është klasa e mesme gjithnjë e në rritje në Kinë.

"Kërkesa e kësaj shtrese për produkte me cilësi më të mirë po rritet," thotë ajo. "Në vend të artikujve të lirë që shiten në internet, ata duan produkte të cilësisë së lartë nga e gjithë bota për fëmijët e tyre."

Çmimet konkurruese janë një faktor kyç për suksesin e bizneseve të tregtisë elektronike si ai i Liu Nan-it. Sigurimi i mallrave drejtpërdrejt duke shmangur hallkat ndërmjetëse, mund ta ulë rreth 20 për qind koston dhe të ofrojë kështu çmime më të ulëta për konsumatorët.

Liu Nan-i e kuptoi se në këtë biznes me rritje të shpejtë e me rivalitet të ashpër, ajo duhet të veprojë me shpejtësi e të jetë më konkurruese. "Përndryshe, nuk mund të mbijetosh kur të tjerët e kopjojnë modelin tënd të biznesit", vëren ajo.

Duke vënë në vend të parë nevojat e klientëve, Liu Nan-i u kushton shumë vëmendje blerjeve prej tyre të produkteve në celular. Aplikacioni në celular i kompanisë së saj njohu rritje të konsiderueshme që kur u krijua në qershor 2014. Sipas Liu Nan-it, blerjet nëpërmjet celularit përbëjnë mbi 80 për qind të vëllimit të përgjithshëm të shitjeve të firmës së saj.

Përveç zhvillimit të platformës së tregtisë elektronike dhe aplikacionit në celular, Liu Nan-i ka bërë përpjekje edhe për hapjen e dyqaneve fizike. Ajo e hapi për herë të parë një dyqan të tillë para dy vjetësh në qytetin turistik Sanya në ishullin tropikal Hainan në jug të Kinës.

Por Liu Nan-i synon të hapë dyqane të tilla jo vetëm në pikat turistike. Kohët e fundit ajo hapi dyqanin e nëntë të kompanisë së saj në provincën Shanxi të Kinës Veriperëndimore. Kur ajo nisi dyqanin në internet, produktet e importit për nënat dhe foshnjat mund të gjendeshin lehtë vetëm nga një numër i vogël familjesh të pasura në Kinë. Por sot shumë marka të huaja janë bërë emra të njohur në familjet e qyteteve të mëdha të Kinës. "Nuk do të duhet shumë kohë që etja e blerjes së produkteve të huaja të zgjerohet në qyteza apo komuna", vëren Liu. Ajo shpreson që edhe gratë në qytetet e vogla e në fshat do të kenë mundësi të blejnë produkte të cilësisë së lartë për nënat dhe foshnjat.

Kompania e Liu Nan-it po ashtu ka ngritur kënde lojërash për fëmijë, të cilat synon t'i përhapë në mbarë vendin, kurse vetë Liu Nan-i është përfshirë edhe në veprimtari bamirësie, të cilat sigurisht kanë në qendër nënat dhe fëmijët.

Mrekulli