Mu Huiyan-i, kamerierja që u bë pronare restorantesh

2017-11-14 16:36:45 CRI Komenti juaj Printoni

Nga kameriere në pronare të një zinxhiri të njohur restorantesh në Pekin, Mu Huiyan-i me pasion e këmbëngulje arriti të realizojë brenda pak vjetësh ëndrrën e vet për të qenë një sipërmarrëse e suksesshme.

Mu Huiyan-i dhe i shoqi, shef kuzhine, shkuan në Pekin në vitin 1996, kur ajo ishte 22 vjeçe dhe ata sapo ishin martuar. "Nëna ime kishte një restorant të vogël," thotë Mu Huiyan-i. "Por në atë kohë mendoja se në Pekin mund të fitoheshin më shumë para dhe më lehtë sesa në vendlindjen time, prandaj vendosëm të shkonim në Pekin".

Mu Huiyan-i dhe i shoqi gjetën punë në një restorant në distriktin Fengtai të kryeqytetit kinez. Ajo ishte një ndër gjashtë kamerieret, por fillimi ishte i vështirë. "Në fillim nuk e dija se si t'u shërbeja klientëve, dhe kisha frikë sidomos se do të më pyesnin për llojin dhe shijen e gjellëve," shprehet ajo.

Megjithatë, si një njeri me vullnet të fortë, Mu Huiyan-i vendosi të mësojë të gjitha gjellët e menysë dhe brenda dy ditësh i mbante mend të gjithë emrat e tyre, ndërsa më vonë zotëroi edhe një informacion më të plotë për to. Kështu, pas pak kohësh, kur klientët pyetnin për gjellët, ajo mund t'u thoshte lehtësisht se ç'shije kishin dhe se me çfarë e si ishin gatuar.

"Ndieja kënaqësi të madhe kur shihja klientët që tundnin kokën e porositnin gjellët pasi u kisha dhënë informacion për to," shprehet Mu.

Por përveç recetave të gjellëve, e reja tregonte vëmendje edhe për të mësuar se si shtrohej tryeza e çdo element tjetër që kishte të bënte me shërbimin. Synimi i saj ishte më tepër sesa thjesht të ishte një kameriere e mirë.

Dhe kështu, pas tre vjet pune si kameriere, Mu Huiyan-i vendosi që bashkë me të shoqin të nisnin biznesin e tyre privat, duke hapur një të ashtuquajtur "restorant të tenxheres së zjarrtë", ose hotpot.

Në një restorant hotpot, klientit i sillen përbërësit të pagatuar, të cilët ai më pas i fut në një tenxhere me lëngun që valon. Këta përbërës janë zakonisht mish i prerë në thella të holla, zarzavate, fruta deti etj. Restorantet me specialitet frutat e detit, janë mjaft të përhapur në vendlindjen e Mu Huiyan-it, kështu që ajo vendosi të hapë një të tillë edhe në Pekin.

Fillimisht, restoranti i saj dhe i të shoqit ishte mjaft i vogël, vetëm 30 metra katrorë dhe me katër tavolina.

Çdo ditë në mëngjes, çifti shkonte në treg për të blerë fruta deti dhe zarzavate të freskëta, të cilat pastaj i pastronin dhe i bënin gati. Të gjithë punën e bënin vetëm ata të dy dhe filluan të ishin aq të zënë, saqë ndonjëherë nuk u dilte koha as për të ngrënë derisa të largohej edhe klienti i fundit. "Ajo periudhë kohe ishte me të vërtetë shumë e vështirë," shprehet Mu Huiyan. "Po isha shumë e gëzuar dhe dukej sikur çdo ditë zotëroja një forcë të pashtershme."

Pas gjysmë viti, teksa shtimi i punës sigurisht solli edhe rritjen e fitimeve, Mu Huiyan-i dhe i shoqi e zgjeruan sipërfaqen e restorantit të tyre në 100 metra katrorë e filluan të punësojnë edhe të tjerë. Pas disa vjetësh, restoranti kishte një sipërfaqe prej tre mijë metrash katrorë. E megjithëse vendndodhja e tij kishte ndryshuar disa herë, klientët e rregullt nuk përtonin të shkonin aty kudo që ai të ndodhej.

Kur flet për suksesin e biznesit të vet, Mu Haiyan-i shprehet se sekreti janë çmimet e përballueshme nga të gjithë, shërbimi i mirë, përbërësit e freskët dhe lëngu i veçantë që përdorin për gatim.

Mu thotë se përgjatë gjithë viteve ka këmbëngulur në blerjen e përbërësve të freskët dhe në ndjekjen e rregullave të rrepta të pastërtisë e të higjienës ushqimore. Ndërkohë, ajo u kërkon kuzhinierëve të mos përdorin përbërës shtesë. "Shpresoj që klientët të shijojnë gjellë të pastra e të shëndetshme dhe t'i bëj ata të ndihen kur hanë në restorantin tone sikur po hanë në shtëpi", vëren Mu.

Tani Mu Haiyan-i e ka zgjeruar biznesin e vet edhe në tregtimin e frutave të detit. Ndërkohë, si kryetare e Shoqatës së Industrisë së Shërbimeve të Kateringut të distriktit Fengtai, Mu ka luajtur një rol aktiv në organizimin e trajnimeve për sigurinë ushqimore për kamerierët, kuzhinierët dhe stafin e menaxhimit të restoranteve.

Përveç biznesit, Mu Haiyan-i merr pjesë aktivisht edhe në bamirësi. Ajo dhe pjesëtare të tjera të Shoqatës së Grave Sipërmarrëse të distriktit Fengtai ku është anëtare, bëjnë vizita të rregullta në një shtëpi të kujdesit për fëmijët me aftësi të kufizuara. "Unë shkova për herë të parë aty në vitin 2010. Kur pashë ata fëmijë me aftësi të kufizuara fizike, u ndjeva shumë e trishtuar. Që nga ajo kohë, i vizitoj shpesh, duke dhuruar ushqime e sende të tjera të përdorimit të përditshëm," shprehet Mu.

Mu Haiyan-ipo ashtu ka bërë dhurime të ndryshme për kopshtet e fëmijëve të distriktit.

"Pjesëmarrja në bamirësi më bën të ndihem e kënaqur dhe e lumtur, edhe pse unë kam vuajtur shumë nga presionet," thotë Mu Haiyan-i. "Do të vazhdoj të përpiqem për të bërë vepra të mira edhe në të ardhmen".

Mrekulli
Lajmet Kryesore