An Kang, "mjeku i fshatit" që u bë miliarder

2017-10-10 15:34:23 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari i bordit të Kompanisë Bioinxhinierike "Hualan" An Kang i ktheu sfidat dhe vështirësitë e të shërbyerit si mjek në zonat e varfra rurale të Kinës gjatë Revolucionit Kulturor në mundësi biznesi, nëpërmjet prodhimit të produkteve për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Kompania e tij është sot ndër sipërmarrjet më të mëdha të bioinxhinierisë në Kinë, me ambicie rritjeje e zhvillimi të mëtejshëm. Ndërsa vetë An Kang-u, ndonëse është tashmë miliarder, vazhdon të bëjë një jetë larg luksit e të punojë "pa ditur se çfarë janë të dielat".

An Kang-u ka lindur në Tianjin të Kinës në vitin 1949. Babai i tij kishte kryer studimet në Universitetin e njohur Fudan të Shangait dhe ishte zyrtar shëndetësie. Kur An ishte fëmijë, ai u zhvendos bashkë me familjen nga Tianjin-i në Pekin dhe pastaj në Nankin, për të përfunduar në Datong të provincës Shanxi. Por më pas An Kang do të ndahej nga prindërit për të ndjekur shkollën e mesme në Xinxiang të provincës Henan. Gjatë Revolucionit Kulturor shkolla e tij u shndërrua në njëfarë shkolle profesionale ku nxënësve u jepeshin disa njohuri bazë për mjekësinë. Dhe kështu në vitin 1968, pasi përfundimit të shkollës, An u caktua të punonte si ndihmësmjek në një fshat në Henan. Vështirësitë e punës dhe problemet e mëdha shëndetësore, veçanërisht në zonat rurale të Kinës, e bënë të riun që të mendonte jo vetëm si ta rriste nivelin e vet profesional, por edhe për rrugët si mund t'u vinte sa më shumë në ndihmë atyre që vuanin nga shëndeti.

Në vitin 1971, An Kang nisi punë në Drejtorinë e Shëndetit dhe të Parandalimit të Epidemive të Xinxiang-ut. Në vitet në vijim kjo do t'i mundësonte atij të bënte edhe studime, duke bërë që në moshën 29-vjeçare ai të merrte një çmim kombëtar shkencor. Me kalimin e kohës An u vu në krye të kësaj drejtorie.

Por fati i keq do të godiste shëndetin e vetë An Kangut, kur në vitin 1986, një grip që e zuri u kthye në sindromën Guillain-Barré, që ndikon edhe sot në lëvizjen e muskujve të tij. Por pikërisht gjatë periudhës së mjekimit pesëmujor në Pekin për këtë sëmundje An filloi të mendojë për prodhimin e vaksinave për gripin e të llojeve të tjera të vaksinave, që janë baza e biznesit të tij sot.

Dhe kështu, pasi punoi për tre vjet si drejtues i degës në Henan të Institutit të Produkteve Biologjike të Lanzhou-t, në 1992 An Kang vendosi të nisë biznesin e vet. Dhe me 200 mijë dollarë që i huajti një i afërm nga Hong-Kongu dhe 300 000 dollarë fonde nga Instituti i Produkteve Biologjike i Lanzhou-t, që vazhdon të jetë edhe sot aksionar, An Kang krijoi në vitin 1992 "Hualan"-in.

An Kang-u vendosi që në fillim "Hualan"-i të përqendrohet në prodhimin e produkteve të gjakut, meqë Henan-i ku e kishte qendrën kompania ishte një provincë e madhe dhe kështu një burim i pasur plazme për t'u shitur spitaleve. Por më pas, kur biznesi privat në Kinë u lejua të përfshihet gjithnjë e më shumë në sektorët e kujdesit shëndetësor dhe të farmaceutikës, si për shembull në prodhimin e vaksinave, që më parë bëhej vetëm nga gjashtë kompani shtetërore, edhe sipërmarrës të aftë dhe menaxherë të mirë si An Kang nisën një biznes të tillë. An Kang-u vendosi që "Hualan"-i të të prodhonte vaksina për disa nga sëmundjet më të rënda që ai kishte parë dhe ishte përpjekur, zakonisht pa sukses, për të mjekuar në rininë e tij si mjek në fshat, duke përfshirë hepatitin dhe meningjitin, por pa dyshim edhe për gripin që kishte ndikuar drejtpërdrejtë në shëndetin e tij. "Të gjitha sëmundjet që pashë u lidhën përfundimisht me pjesën tjetër të jetës sime," thotë ai.

E megjithatë, An Kang-u nuk do që të kufizohet vetëm tek ato sëmundje që në njëfarë mënyre lidhen me të kaluarën e tij, por do ta shtojë gamën e vaksinave që kompania e tij prodhon, duke përfshirë edhe ato për sëmundjet e reja që përbëjnë shqetësim serioz për shëndetin publik . Kështu, në vitin 2009, "Hualan" u bë kompania e parë që mori miratimin nga qeveria kineze për prodhimin e vaksinave kundër gripit të derrave të shkaktuar nga virusi H1N1.

Potenciali i madh i sektorit të kujdesit shëndetësor në Kinë, duke pasur parasysh edhe rritjen e mirëqenies së njerëzve dhe ndërgjegjësimin për shëndetin e mundësitë për të siguruar një kujdes shëndetësor të nivelit të lartë, solli lulëzimin e biznesit privat të përfshirë në këtë sektor. Për këtë arsye, në vitin 2010, 10 % e njerëzve më të pasur në Kinë, duke përfshirë edhe An Kang-un i përkisnin pikërisht këtij sektori.

An Kang-u ka tani një pasuri që i kalon 1.8 miliardë dollarët, e megjithatë, kjo nuk ia ndryshuar shumë stilin e tij të kursyer të jetesës, të formësuar që në rininë e vet gjatë epokës së Revolucionit Kulturor. Miliarderi 68-vjeçar, që thotë se "nuk ka pasur një të diel pushim prej vitesh", fluturon në klasin ekonomik në aeroplan, nuk ka shofer personal dhe qëndron në hotele të lira kur shkon në udhëtime biznesi. "Nuk e di se kur fillova të shfaqem në listat e të pasurve", thotë ai. "Gjëja e vetme për të cilën mendoj është si ta çoj përpara kompaninë time."

Mrekulli
Lajmet Kryesore