Mirjana Kuka, pionierja e hotelerisë private në Shqipëri

2017-08-08 15:25:00 CRI Komenti juaj Printoni

Mirjana Kuka, administratorja e dy hoteleve "Diplomat" në Tiranë, njëri nga të cilët është hoteli i parë privat në Shqipëri, ka arritur të fusë konceptet moderne të hotelerisë në Shqipëri, mbështetur mbi parimin që, siç thotë vetë, "klienti është punëdhënësi im". Me shërbimin cilësor dhe menaxhimin modern, biznesi familjar që drejton zonja Kuka ka ardhur duke u zhvilluar dhe hotelet "Diplomat" janë kthyer në pika referimi dhe qëndrimi për ata që vizitojnë kryeqytetin shqiptar.

Znj. Mirjana Kuka ka lindur në Tiranë. Prindërit e saj para viteve '90 punonin në tregti dhe në vitin 1991 nisën tregtinë private. Por meritën për hyrjen e saj në rrugën e biznesit znj. Mirjana ia njeh kryesisht të atit. "Im atë ishte i pari që pati shpirtin për fillimin e tregtisë, por ka dhe meritën e veçantë se na lejoi të ishim të lirë në mendimet tona, kur bashkë me vëllanë menduam ta konsolidonim biznesin dhe vendosëm të blinim një copë tokë, ku ngritëm hotelin e parë 'Diplomat'," shprehet ajo.

Znj. Mirjana tregon se marrja me hoteleri ishte një ide e një miku të familjes së saj, arkitekt Spiro Bakallbashit, i cili ishte edhe arkitekti i hotelit "Diplomat". Dhe kështu në shtator të vitit 1993 hapi dyert i pari hotel privat në Shqipëri. Sigurisht nuk ishte diçka e lehtë, në kushtet kur sipërmarrja private në Shqipëri ishte në hapat e parë dhe kultura e hotelerisë nuk ishte e zhvilluar mirë. "Ishte fushë e panjohur, por në Tiranë ndihej mungesa e hoteleve të mira dhe të huajt po vinin përherë e më shumë. Në ato vite, hotel 'Tirana' ishte në mbyllje dhe 'Dajti' kishte degraduar. Kështu ndërtuam hotelin e parë 'Diplomat'," tregon znj. Kuka.

Përveç klientëve të parë, në hotelin "Diplomat" do të kishte zyrat që nga fillimi, për tre vjet me radhë, edhe dega e Bankës Botërore në Shqipëri, ndërsa në vitet 1997-1998 do të ishin aty zyrat e Kryqit të Kuq Shqiptar.

Mjedisi elegant dhe shërbimi cilësor bënë që biznesi i hotel "Diplomatit" të zhvillohej dhe në qershor të vitit 2004, një muaj pasi ky hotel do të klasifikohej si hotel me katër yje, në Tiranë do të fillonte nga puna "Hotel Diplomat Fashion", edhe ai me katër yje, porse një zgjedhje e ndryshme në konceptim dhe paraqitje. Teksa i pari është më klasik, ky hotel i dytë është më ekstravagant dhe ofron shërbime për festa të mëdha. "Në atë kohë, në Tiranë kishte pak hotele të mira dhe kishte kërkesa për akomodim", tregon znj. Mirjana. "Për këtë hotel të dytë punuam me një arkitekt të njohur italian dhe sot jam më e bindur se kurrë se kam bërë zgjedhjen më të mirë, kur ndodh që një klient rikthehet deri dhe 50 herë për të fjetur në 'Hotel Diplomat Fashion'".

"Këto dy projekte janë sfida e jetës sime", thekson më tej znj. Mirjana. Ajo konsultohet përherë me të rejat e fundit në botën e hotelerisë. "Hoteleria është një fushë ku nuk mjaftojnë shijet dhe imagjinata. Duhet njohur psikologjia e grupeve, që t'u ofrosh shërbimin e duhur, duhen njohur shijet, prioritetet intelektuale të cilitdo që vjen te ne. Që nga menyja, gatimi, shërbimi, deri te veshja e kamerierëve, një llojshmëri aksesorësh, janë pjesë e menaxhimit të suksesshëm. Nuk më mjafton thjesht pagesa e shërbimit, më shumë se kënaqësia dhe, mbi të gjitha, dëshirat e klientit për t'u kthyer përsëri te ne", thotë Mirjana Kuka.

Ajo synon që shërbimet në dy hotelet të përmbushin sa më mirë kërkesat e klientëve, pasi, siç thotë, "klienti është punëdhënësi im". Falë edhe këtij parimi e përkushtimi, hotelet kanë marrë certifikatën e standardit ISO dhe janë bërë pjesë rrjetit ballkanik të hotelerisë BAHA.

Znj. Mirjana Kuka ka përqafuar konceptin e "së gjelbrës" në funksionimin e dy hoteleve "Diplomat". Kuzhina e tyre ofron ushqim të freskët "bio" dhe po ashtu në të dy hotelet janë instaluar panale diellore për shfrytëzimin e energjisë së pastër. "Ne jemi krenarë që kontribuojmë në mbrojtjen e mjedisit dhe e trajtojmë mjedisin si një element thelbësor të së sotmes dhe së ardhmes," shprehet ajo.

Në të dy hotelet ndihet dora femërore e znj. Mirjana, me shumë detaje të veçanta nga një hotel te tjetri. Ndonëse ka pasur konsulencë profesionale, ajo nuk e ka lënë veten jashtë përzgjedhjeve te të dy hotelet. Mirjana Kuka është kërkuese ndaj stafit, me të cilin zhvillon çdo ditë takime pune. Ajo nuk pushon gjatë gjithë ditës, sepse kështu e kërkon ritmi i punës. Sigurisht, sipërmarrëses Mirjana Kuka nuk i mungojnë projektet e së ardhmes. Sepse, siç thotë ajo, gjithçka është në ndryshim, e kështu janë edhe shijet e klientëve, të cilët ajo i falënderon për atë që e quan bashkëpunim dhe besim të tyre te hotelet "Diplomat". "U premtoj atyre se, siç e kam nisur rrugëtimin tim me pasion, do të vazhdoj derisa të kem mundësi me të njëjtin pasion e dashuri," shprehet administatorja e hoteleve "Diplomat", znj. Mirjana Kuka.

Mrekulli