Che Fengsheng, nga neurolog në sipërmarrës miliarder farmacetike

2017-08-01 15:53:48 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari i bordit i Grupit Farmaceutik "Sihuan" Che Fengsheng e ka kthyer kompaninë e krijuar prej tij në një ndër kompanitë më të mëdha farmaceutike të Kinës, falë modelit të veçantë të marketingut e shitjeve, rrjetit mbarëkombëtar të shpërndarjes dhe aftësive në kërkim-zhvillim. Suksesi i kompanisë është përkthyer sigurisht edhe në sukses financiar për Che Fengsheng-un, i cili është tashmë pjesëtar i grupit gjithnjë e në rritje të miliarderëve kinezë.

Che Fengsheng-u ka lindur në provincën Shandong të Kinës Lindore në vitin 1962. Ai u diplomua për mjekësi aviacioni në Universitetin e Mjekësisë Ushtarake të Xian-it, kryeqendra e provincës Shaanxi në Kinën Veriperëndimore. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1984, Che Fengsheng-u nisi punë në universitetin ku kishte studiuar, fillimisht si asistentpedagog dhe pastaj, pas marrjes së gradës "master" në neurologji në vitin 1990, si neurolog. Një vit më pas Che Fengsheng-u u bë pjesë e stafit të Universitetit të Mjekësisë Ushtarake të Guangzhou-t në provincën Guangdong, ku punoi si pedagog dhe mjek neurolog. Po, duke qenë në një provincë si Guangdong-u, ku sipërmarrja private në vitet '80 - '90 të shekullit të kaluar kishte marrë një zhvillim të shpejtë, edhe Che Fengsheng-u vendosi të përfshihet në sektorin privat. Dhe kështu në vitin 1993, ai shkoi në Shenzhen po në provincën Guangdong, ku 31-vjeçari i atëhershëm nisi punë në Kompaninë e Farmaceutikës e të Kujdesit Shëndetësor të Qytetit Shenzhen si menaxher i promovimit të produkteve dhe menaxher i shitjeve e marketingut për rajonin e Kinës Lindore. Ajo që dukej se ishte një ulje në karrierën profesionale do të kthehej në nisjen e karrierës së Che Fengsheng-ut si manjat farmaceutike.

Nga viti 1995 deri në 1997 Che Fengsheng-u do të ishte ndihmësmenaxher i përgjithshëm dhe zv.menaxher i marketingut i Kompanisë së Produkteve të Reja të Posaçme Farmaceutike të Qytetit Shenzhen.

Dukej sikur Che Fengsheng-u ndiqte të njëjtin model të të punuarit dy vjet në të njëjtin vend, megjithatë ai do të qëndronte dy herë më gjatë në Kompaninë Farmaceutike "Kang Tong" të Hainanit, pikërisht nga 1997 deri në 2001. Në "Kang Tong" Che Fengsheng-u kishte postin e menaxherit të përgjithshëm, duke sjellë rritjen e shpejtë të kompanisë.

Por në vitin 2001 Che vendosi se kishte ardhur koha të niste biznesin e vet privat. Dhe kështu, bashkë me një shok të universitetit, ai themeloi Kompaninë Farmaceutike "Sihuan" të Hainan-it. Che Fengsheng-u përgjigjej për menaxhimin e përgjithshëm, planifikimin strategjik dhe zhvillimin e biznesit të kompanisë. Ai ka rol kryesor në rritjen dhe zgjerimin e biznesit të "Sihuan"-it, që shpejt u bë një ndër distributorët më të mëdhenj në Kinë të barnave të importuara. "Sihuan"-i po ashtu u bë ndër kompanitë e para private në Kinë që tregtonin barna kineze që jepen me recetën e mjekut, kryesisht për spitalet.

Në vitin 2007, "Sihuan"-i u bë një kompani publike, duke u regjistruar në Bursën e Singaporit. Megjithatë, i pakënaqur me interesin e investitorëve, Che Fengsheng-u e çregjistroi kompaninë në vitin 2009, duke e listuar përsëri një vit më pas, në vitin 2010, këtë herë në Hong Kong, me një ofertë publike fillestare pesë herë më të madhe se herën e parë në Bursën e Singaporit. Fondi "Quantum" i Xhorxh Sorosit ishte ndër investitorët kryesorë në ofertën publike fillestare të "Sihuan"-it.

"Sihuan"-i është shndërruar tashmë nga një kompani tregtuese e distributore, në një grup që ka 11 baza prodhimi barnash, tre kompani tregtimi dhe dy baza kërkimore-shkencore. "Sihuan" është kthyer në një ndër prodhueset më të mëdha të barnave në Kinë.

Në vitin 2014, gjatë shpërthimit të ebolës në Afrikë, "Sihuan"-i tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare, kur shpalli se po kërkonte një kurë të shpejtë për mjekimin e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse. Grupi pagoi 1.6 milionë dollarë për të blerë të drejtat komerciale të një ilaçi për mjekimin e ebolës, të krijuar nga Akademia e Shkencave Mjekësore Ushtarake e Kinës. Kjo solli rritjen e ndjeshme të aksioneve të "Sihuan"-it, duke e çuar për njëfarë periudhe vlerën e grupit në 6 miliardë dollarë.

"Sihuan"-i ka sot rrjetin më të madh të shitjes me ekskluzivitet të barnave për sëmundjet kardiovaskulare në Kinë, ndërkohë që e ushtron veprimtarinë e vet edhe në fusha të tjera terapeutike mjekësore, si sistemi qendror nervor, metabolizmi etj.

Vetë Che Fengsheng-u ka qenë zv.kryetar i Dhomës së Farmaceutikës të Federatës Mbarëkineze të Tregtisë e të Industrisë në periudhën 2010-2011. Ai ka marrë Çmimin "Ernst & Young" të Sipërmarrësit të Industrisë së Shkencave të Jetës të Kinës në vitin 2012. Pasuria e Che Fengsheng-ut tani arrin në 1.78 miliardë dollarë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore