Kinë, shpejtohet reforma e pronësisë së përzier të ndërmarrjeve shtetërore

2017-07-12 15:48:43 CRI Komenti juaj Printoni

Kohët e fundit në Kinë është shpejtuar procesi i reformimit të ndërmarrjeve shtetërore. Analistët janë të mendimit që 2017-a është vit kyç për shpejtimin e reformës së sistemit të pronësisë së përzier të ndërmarrjeve shtetërore dhe për zgjidhjen e vështirësive që hasin këto ndërmarrje. Përpjekje do të bëhen veçanërisht për arritjen e përparimeve sasiore e cilësore lidhur me ndërmarrjet qendrore shtetërore.

Në vitin 2016, vëllimi i përgjithshëm i aseteve të ndërmarrjeve shtetërore i kaloi 131 trilionë juanët (rreth 19 trilionë dollarë). Të ardhurat dhe fitimet e këtyre ndërmarrjeve ruajtën rritjen e qëndrueshme, po sektorë të tillë si industria e hekurit dhe e çelikut, industria kimike dhe metalurgjia me ngjyrë përsëri ishin me humbje.

Reformimi i sistemit të pronësisë së përzier është bërë një pikë kyçe për thellimin e reformës në ndërmarrjet shtetërore. Vitet e fundit kanë ardhur duke u përshpejtuar ritmet e zhvillimit të kësaj reforme. Zëdhënësi i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës, Yan Pengcheng, shprehet:

"Që nga viti 2016 kemi nisur dy faza projektesh pilot. Tani është miratuar faza e parë me nëntë projekte pilot dhe po orientojmë ndërmarrjet përkatëse në zbatimin me sukses të tyre. Krahas kësaj, është shqyrtuar lista e fazës së dytë ku marrin pjesë dhjetë ndërmarrje dhe kemi nisur procesin e përzgjedhjes për fazën e tretë."

Yan Pengcheng shprehet se në dy fazat e para janë përfshirë sektorë si shpërndarja e energjisë, pajisjet elektrike, pajisjet hekurudhore, aviacioni civil, telekomunikacioni, industria e mbrojtjes, sektori financar etj. Shtatë prej ndërmarrjeve të përfshira i përkasin industrisë së mbrojtjes.

Ka modele të ndryshme të pronësisë së përzier të ndërmarrjeve shtetërore, si investimet private në ndërmarrjet shtetërore, investimet shtetërore në kompanitë private, ndërthurja e pronësisë shtetërore me investimet e huaja dhe partneriteti publik-privat. Zv.kryetari i Shoqatës së Reformës dhe Zhvillimit të Ndërmarrjeve të Kinës, Li Jin vlerëson se tani reforma e sistemit të pronësisë së përzier lidhur me ndërmarrjet shtetërore është futur nga faza e hartimit në fazën e zbatimit. Tani këto reforma po zbatohen njëkohësisht në ndërmarrjet qendrore dhe ato lokale.

"Në Guangdong, Shenzhen, Chongqing, Jiangxi, Zhejiang, Shangai dhe Shandong, procesi i reformës është më i shpejtë. Kohët e fundit, kompania e transportit ajror 'Eastern Airlines Cargo' dhe kompania farmaceutike 'Yunan Baiyao' kanë bërë një reformë të thellë lidhur me pronësinë e përzier dhe kapitali shtetëror i tyre është përkatësisht 50% dhe 45%, kurse përqindja e kapitalit privat është rritur me shpejtësi. Postet e menaxherëve profesionistë dhe të drejtat e menaxhimit kanë kaluar në duart e sipërmarrjeve private. Parashikojmë që në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, do të ketë progres më të madh në reformën e ndërmarrjeve qendrore, posaçërisht në sigurimin e pasurive të ndërmarrjeve shtetërore dhe në regjistrimin e tyre në bursë," thotë Li Jin.

Përveç ndërmarrjeve të para pilot, si "China Unicom", "Eastern Airlines" dhe CSG, mediat kanë njoftuar që edhe ndërmarrjet e industrisë së mbrojtjes kombëtare, si "China South Industry", "China North Industry", CSIC, CAST dhe CETC po nxisin aktivisht reformën e sistemit të pronësisë së përzier.

Në aviacionin civil, grupi "China Southern Airlines" ka deklaruar në fillim të vitit që do të nxitë reformën në këtë drejtim nëpërmjet platformës së internetit, zotërimit të përbashkët të aksioneve me udhëheqësit globalë në këtë sektor ose krijimit të kompanive të përbashkëta.

Po ashtu, edhe ndërmarrjet qendrore shtetërore, si "Sinopec", CNPC, "State Grid" dhe "China Railway" po nxisin reformat e sistemit të pronësisë së përzier.

Sipas zv.kryetarit të Shoqatës së Reformës dhe Zhvillimit të Ndërmarrjeve të Kinës Li Jin, reforma e sistemit të pronësisë së përzier në sektorët e energjetikës, naftës e gazit natyror, sektorin hekurudhor, të aviacionit civil, telekomunikacionit dhe industrinë e mbrojtjes janë simbol i thellimit dhe zgjerimit të reformës së ndërmarrjeve shtetërore në Kinë.

"Në të ardhmen, reforma e pronësisë së përzier do të ketë si synim kryesor shtimin e gjallërisë së ndërmarrjeve shtetërore dhe të marketizimit të tyre, për të lehtësuar orientimin e këtyre ndërmarrjeve drejt tregut dhe për të zgjidhur problemin e mungesës së gjallërisë së tyre. Kjo është në të mirë të nxitjes së ekonomisë reale të Kinës," thotë Li Jin. (Jiang Lei)

Mrekulli