Hong-Kongu, ndryshime dhe mosndryshime gjatë 20 vjetëve

2017-07-04 15:03:00 CRI Komenti juaj Printoni

Më 1 korrik 1997, qeveria qendrore kineze rimori sovranitetin mbi Hong-Kongun, duke deklaruar zyrtarisht formimin e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut. Gjatë këtyre 20 vjetëve, qytetarët e Hong-Kongut kanë njohur ndryshime të dukshme, por njëkohësisht edhe kanë ruajtur mënyrën e tyre të jetesës.

Çdo të mërkurë dhe të diel, në dy hipodrome të Hong-Kongut zhvillohen garat e kuajve, që shikohen nga mijëra njerëz. Gjatë 20 vjetëve pas kthimit të Hong-Kongut në atdhe, gara e kuajve vazhdon të jetë një nga aktivitetet më të pëlqyera nga hongkongasit. Ky është vetëm një element i vogël që tregon mosndryshimin e mënyrës së jetesës së tyre. Kryeekzekutivi i parë i Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut, Tung Chee-hwa, u shpreh që mënyra e jetesës është ruajtur, ndërsa janë shtuar lidhjet mes Hong-Kongut dhe pjesës kontinentale të Kinës, çka ka ndikur në ekonominë dhe shoqërinë hongkongase.

"Mënyra dhe zakonet e jetesës së hongkongasve nuk kanë ndryshuar. Çfarë ka ndryshuar? Tani më shumë hongkongas flasin gjuhën letrare kineze dhe kanë filluar ta njohin më mirë atdheun. Po ashtu, lidhjet e ndërsjella janë shtuar, veçanërisht shkëmbimet njerëzore dhe ekonomike. Më parë, ekonomia e Hong-Kongut ka pasur lidhje të ngushta me ShBA-në dhe Europën, ndërsa tani ka ardhur duke u ndërvarur gjithnjë e më shumë nga ajo e pjesës kontinentale të vendit. Këto janë ndryshime të mëdha," thotë Tung Chee-hwa.

Me thellimin e shkëmbimeve dhe të bashkëpunimit, gjithnjë e më shumë të rinj hongkongas kanë shkuar në pjesën kontinentale për studim dhe biznes. Sipas një sondazhi nga Shoqata e të Rinjve e Hong-Kongut, afro gjysma e të rinjve hongkongas të pyetur planifikojnë të bëjnë biznes jashtë Hong-Kongut, dy të tretat e të cilëve kanë pjesën kontinentale si objektiv të tyre. Johnny Ng, presidenti i grupit UCF, që ka hapur biznes në pjesën kontinentale, thotë që në vitin 2004, ai u bë i pari i ri nga Hong-Kongu që ka ndjekur studimet postdoktoraturë në Universitetin Tsinghua, duke arritur një zhvillim shumë të madh në biznesin e tij.

"Më parë unë merresha me teknologjinë e identifikimit të fytyrës, por në Hong-Kong kishte vështirësi për të arritur ndonjë përparim në këtë drejtim. Në vitin 2004, shkova në Universitetin Tsinghua, për të gjetur një zgjidhje. Aty gjeta një profesor shumë të mirë, si dhe një grup shumë profesionist. Arritëm një sukses teknologjik, i cili është vënë në zbatim në një pikë kalimi kufitar në pjesën kontinentale, duke pasur numrin më të madh të përdoruesve në mbarë botën. Sot teknologjia jonë tregtohet edhe jashtë vendit, në ShBA, Japoni dhe Lindjen e Mesme," vëren Johnny Ng.

Gjatë 20 vjetëve pas kthimit në atdhe, megjithëse ka pësuar krizën financiare aziatike, epideminë e SARS-it dhe krizën financiare globale, zhvillimi ekonomik i Hong-Kongut ka ruajtur një rritje të dukshme. Sekretari i Financave i Hong-Kongut Paul Chen prezanton:

"Për sa i përket GDP-së, në vitin 2016, GDP-ja e Hong-Kongut ishte 2.5 trilionë dollarë hongkongas, ose 44 mijë dollarë amerikanë për frymë, më e madhe se e Japonisë dhe e Europës, dhe afro 60% më shumë se në vitin 1997. Nga ana e punësimit, numri i të punësuarve është afro 3.8 milionë veta, 600 mijë më shumë se në vitin 1997. Së treti, nëse shohim rezervën tonë fiskale, në kohën e rikthimit ajo ishte afro 370 miliardë dollarë hongkongas, kurse tani afro 1 trilion dollarë hongkongas, 1.5 herë më shumë."

Duke folur për ndryshimet dhe gjërat që kanë mbetur të pandryshuara, drejtori i Zyrës së Lidhjeve të PKK-së në Hong-Kong Zhang Xiaoming thotë se ato gjëra që njerëzit ishin të shqetësuar se do të ndryshonin, nuk kanë ndryshuar, dhe ato që kanë ndryshuar, janë ato gjëra që njerëzit kanë dëshiruar të ndryshojnë.

"Objektet infrastrukturore kanë ndryshuar, pamja e qytetit ka ndryshuar dhe janë arritur shumë përparime në çështjet shoqërore që shikohen ose nuk shikohen dot drejtpërdrejt. Ndryshimet përfshijnë edhe lidhjet më të ngushta mes Hong-Kongut dhe pjesës kontinentale të vendit. Hong-Kongu ka marrë mbështetje më të drejtpërdrejtë, më të gjithanshme dhe më të fuqishme nga zhvillimi i vendit. Krahas kësaj, Hong-Kongu ka shtuar pandërprerë lidhjet me jashtë, duke rritur më tej ndikimin e tij në arenën ndërkombëtare," vëren Zhang Xiaoming.(Jiang Lei)

Mrekulli