"Kumbari i biznesit" Xu Lianjie

2017-06-27 16:58:18 CRI Komenti juaj Printoni

Me gjithë mungesën e arsimit, për shkak të ndërprerjes së shkollës nga varfëria, themeluesi i Kompanisë Industriale "Hengan" Xu Lianjie është sot një ndër biznesmenët më të suksesshëm kinezë, duke u quajtur edhe "kumbari i biznesit" i provincës Fujian të Kinës.

Xu Lianjie ka lindur në kontenë Jinjiang të provincës Fujian të Kinës Lindore në vitin 1953. Familja e tij ishte shumë e varfër, kështu që Xu nuk arriti të përfundonte dot as shkollën fillore. Por, megjithatë, me aftësitë për të bërë para, që ai i tregoi që në moshë të vogël, Xu Lianjie arriti ta ndihmojë sadopak familjen e vet. Duke shitur fillimisht vezë e perime, e më pas duke arritur ta zgjerojë gradualisht tregtinë e tij, Xu Lianjie më në fund arriti të grumbullojë kapitalin e nevojshëm për të ndërtuar në vitin 1979 fabrikën e vet të veshjeve. Pas disa vjetësh ai ngriti një tjetër fabrikë, këtë herë për prodhimin e zinxhirëve të veshjeve.

Në vitin 1984, Xu Lianjie dhe ortakët e tij investuan 200 mijë dollarë për ndërtimin jashtë vendit të një linje prodhimi pecetash higjienike, që në atë kohë ishin diçka jo shumë e njohur në Kinë.

Kur në vitin 1985 Xu Lianjie krijoi në vendlindjen e vet Jinjiang Kompaninë Industriale "Hengan", ai në të vërtetë po jepte kontributin e vet për krijimin e një tregu krejtësisht të ri. Xu Lianjie kujton: "Në vitin 1985, kur themelova kompaninë, kishte shumë prodhues të vegjël veshjesh në Jinjiang. Këto fabrika nuk kishin markat e veta dhe po bënin pak para. Unë nuk dija asgjë për veshjet, po mendoja se tregu i produkteve të higjienës femërore ishte i paeksploruar."

Xu Lianjie e pranon se vendimin e mori më shumë nga njëfarë nuhatjeje që kishte për potencialin e madh të rritjes sesa nga një hetim i hollësishëm i tregut. "Po të më kishit kërkuar të bëja studime të fizibilitetit të tregut, nuk do të kisha prodhuar produkte të kujdesit femëror. Nuk kishte materialet e duhura për të bërë këto produkte në Kinë; 90 % e këtyre materialeve duhej të importoheshin. Dhe si një kompani private, duhet të përdornim një kuotë të caktuar valutore për të blerë lëndën e parë të importuar. Pagova më shumë se dyfishin e çmimit që paguanin katër kompanitë shtetërore që ishin konkurrente në atë kohë. Por vendosa çmim më të lartë për produktet tona, pasi cilësia e tyre ishte më e mirë. Edhe pse çmimi ishte më i lartë, shitjet shkuan mirë," shprehet ai.

"Hengan" nisi t'i tregtonte produktet e veta nën markën "Anle". "'Anle', që do të thotë 'siguri dhe lumturi', eshtë një emër i mirë dhe i lehtë për t'u lexuar e për t'u mbajtur mend. Kur produktet tona hynë në Shangai, shumë shpejt zunë 70 % deri në 80 % të tregut," vëren Xu Lianjie.

Në vitin 1988 gjiganti "Procter & Gamble" hyri në tregun e Kinës. "Shumë veta në industrinë tonë në atë kohë thanë se 'po vjen ujku', pasi ata ishin vërtet të mëdhenj dhe ne ishim të vegjël, si elefanti me milingonat", thotë Xu. "Po ne ndoqëm një qasje të ndryshme për të pozicionuar produktet tona, duke prodhuar për tregjet e konsumit masiv, kurse 'Procter & Gamble' për tregje të një niveli edhe më të lartë. Dhe ne arritën të kishim ende një rritje të madhe."

Dhe vërtet zhvillimi i shpejtë i kompanisë të tij do të vazhdonte. Në vitin 1992 "Hengan" do të kishte 40 % të tregut në mbarë Kinën.

Por me intensifikimin e konkurrencës, pas shtimit të kompanive vendëse e të huaja në industrinë e produkteve të higjienës femërore në Kinë, Xu Lianjie bëri investime të mëdha për të ruajtur pjesën e tregut të "Hengan"-it. Në vitin 1993, ai bleu një linjë moderne në Itali, që mundësoi ardhjen në Kinë të teknologjisë më të fundit.

Më pas "Hengan"-i nisi prodhimin e pecetave të letrës, duke u bërë pa kaluar shumë një ndër prodhuesit më të mëdhenj të këtij produkti në Kinë. Pak pas fillimit të krizës financiare globale, në një kohë kur shumë kompani po kalonin vështirësi, "Hengan" e dyfishoi prodhimin vjetor të pecetave të letrës, duke e çuar në 600 000 tonë.

"Hengan" u regjistrua në Bursën e Hong-Kongut në vitin 1998. Ndryshe nga sa ndodh me shumë kompani të tjera, që synojnë hyrjen në bursë për grumbullim kapitalesh me qëllim zgjerimin e mëtejshëm, Xu thotë se në rastin e "Hengan"-it synimi ishte diçka tjetër: "Qëllimi i bërjes publike të kompanisë sonë ishte përmirësimi i strukturës sonë të menaxhimit dhe jo financimi. Ne siguruam 700 milionë dollarë hongkongas nga oferta publike fillestare në Bursën e Hong-Kongut dhe këto para u përdorën të gjitha vetëm në vitin 2003, për të bërë blerje kompanish të tjera."

"Hengan" ka tani një kapitalizim tregu prej afro 100 miliardë dollarësh hongkongas. Kompania ka një rrjet prej më shumë se 700 000 dyqanesh të shitjes me pakicë në të gjithë Kinën.

Xu shpreson ta shfrytëzojë këtë rrjet të gjerë për të tregtuar edhe lloje të tjera produktesh, duke përfshirë ushqimet dhe produktet e kujdesit të përditshëm shëndetësor. Objektivi i tij është që Grupi "Hengan" ta forcojë pozicionin e vet në treg, duke u bërë marka më e njohur kineze e produkteve të konsumit dhe rivali më i fortë brenda Kinës i "Procter & Gamble".

Sipas vlerësimit më të fundit, sot pasuria e djaloshit të dikurshëm që e la shkollën nga varfëria arrin në 1 miliard dollarë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore