2017-06-27 09:16:03 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Në kuadër të Vitit të Mediave 2017 pranë Mekanizmit të Bashkëpunimit 16+1 mes vendeve të Europës Qendrore e Lindore (EQL) dhe Kinës, me ftesë nga sekretariati i bashkëpunimit të EQL-Kinë dhe Radioja e Jashtme e Kinës, një delegacion gazetarësh nga vendet e Europës Qendrore e Lindore ka bërë një vizitë 9 ditore në Pekin, Shangai dhe Shenzhen, të cilat simbolizojnë kulturën, ekonominë dhe zhvillimin e shpejtë të Kinës gjatë mbi 30 vjetëve të fundit.
Ndër këta gazetarë, Shqipëria është përfaqësuar nga Isuf Kurtaj, gazetar nga gazeta Shekulli. Kjo është hera e parë që Kurtaj viziton Kinën dhe një turneu i ngjeshur i vizitave në 3 metropole kineze i ka lënë një përshtypje të thellë, duke e shikuar nga afër një kulturë të ndrtishme, një ekonomi të fuqishme dhe një treg të hapur. Në fund të vizitës, ai ka dhënë një intervistë ekskluzive për CRI Shqip.
Intervistë
Së pari, na prezantoni kush jeni ju dhe me çfarë rasti keni ardhur për vizitë në Kinë?
Unë jam Isuf Kurtaj, gazetar i gazetës "Shekulli", i ftuar nga Komisioni i Mekanizmit të "Bashkëpunimit 16 + 1". Së pari dua të falënderoj ata që na mundësuan vizitën tonë në Kinë, vizitën time dhe të kolegëve të mi nga Ballkani.
Në cilat qytete keni qenë në Kinë?
Ne kemi qenë në tre qendra kryesore në Kinë. Kemi qenë në kryeqytetin e Kinës Pekin, kemi qenë në qendrën më të jashtëzakonshme, jo vetëm të Kinës, por edhe të botës mbase, Shangai, dhe kemi qenë në një qytet që nuk besoj se njihet në Shqipëri, por edhe në botë, sepse është një qytet i ri, Shenzhen. Jemi të mrekulluar me zhvillimin e Kinës në këto tre qytete që kemi parë. Janë të shumta përshtypjet gjatë vizitës sime tetëditore në këto tre qendra të rëndësishme të Kinës.
A mund të na thoni çfarë përshtypjesh ju kanë lënë këto qytete?
Do ta nisja nga Pekini, që ka qenë edhe fokusi i tre ditëve të para të vizitës sonë. Nga Pekini do të veçoja dy gjëra. Së pari, në Pekin, ashtu si edhe në dy metropolet e tjera të mëdha që patëm rastin të vizitonim, Shangai dhe Shenzhen, vumë re që në rrugë nuk kishte makina të vjetra. Pra, kishte vetëm makina të reja dhe të shtrenjta, si në asnjë vend tjetër të botës. Një gjë tjetër pikante që vërejta është prania e madhe e biçikletave dhe përdorimi i tyre në masë. Kur pyeta miqtë e mi kinezë që njoha në Pekin, por edhe në qytete të tjera, më thanë se është një projekt i ri i vënë në jetë kohët e fundit. Ata më thanë se nëpërmjet këtij projekti nuk rëndohen xhepat e qytetarëve për bileta të shtrenjta dhe për karburant makinash. Biçikletat janë lehtësisht të përdorshme. Biçikletat janë me kod dhe kodi zhbllokohet përmes një programi në celular. Miqtë po ashtu më thanë se përmes këtij projekti është ulur trafiku dhe shpenzimet, siç e thashë më lart, për qytetarët. Jam i bindur që nëse do të realizohet një gjë e tillë në metropolin tonë Tiranë, apo edhe në qytete të tjera, trafiku do të lehtësohej shumë dhe qarkullimi do të ishte më i kollajshëm.
A ka çfarë të flitet tjetër për Pekinin? Shumë gjëra, por do të ishte e pamundur t'i numëronim. Prandaj theksova dy-tre gjëra të vogla, por me kuptim të madh.
Meqë Pekini është qendra kulturore e Kinës, a ke qenë në ndonjë vend me elemente karakteristike kineze?
Në fakt unë në ditën e parë nuk arrita ta vizitoj Murin e Madh Kinez dhe u zhgënjeva. Por në ditën e dytë ne vizituam një nga monumentet më të rëndësishme në Kinë, Qytetin e Ndaluar. Të gjithë thonë se Muri i Madh Kinez është mrekullia e tetë e botës, dhe nëse Muri i Madh është vërtet mrekullia e tetë, me atë që pashë te Qyteti i Ndaluar, mund të them që duhej të ishte i shtati. Jam i mrekulluar nga ajo që pashë.
Pas largimit nga Pekini shkuam në Shangai.
Po Shangai si ishte? A ndryshon shumë nga Pekini?
Unë kur u largova nga Pekini, mendova se edhe pasi të shkoj në Shangai do ta mbaj kokën pas, duke menduar për Pekinin, çfarë arrita të vizitoj dhe çfarë nuk arrita të vizitoj. Por sapo arrita në aeroportin gjigant të Shangait, e harrova Pekinin. Shangai ishte një diçka krejt tjetër. Aty në fakt gjeje edhe copëza Pekini, aty gjeje edhe copëza të Nju-Jorkut, të Tokios, të Londrës. Jeta e natës u ngjante shumë qyteteve europiane. Ndërtesat u ngjanin shumë metropoleve të Amerikës, kishte shumë drita. Me pak fjale, aty mund të gjeje të gjithë boten.
Pas Pekinit dhe Shangait, ke qenë në Shenzhen. Si ishte Shenzhen-i, si ishte vizita në këtë qytet?
Unë nuk kisha dëgjuar para se të vija në Kinë për Shenzhen-in. Madje e kisha të vështirë për t'ia mbajtur mend emrin. Por pastaj m'u kujtua që edhe në Shqipëri është një qytet i quajtur Shëngjin, dhe kështu e kisha më të lehtë pastaj.
Më thanë që është qytet i madh, qytet i zhvilluar, por kur erdha këtu, pashë muzeun dhe u njoha me historinë e tij.
Është një qytet shumë i ri. Para 35 vjetësh ky qytet nuk ka ekzistuar, ka qenë vetëm një fshat me disa familje. Por, po ta imagjinosh se çfarë është bërë për 35 vjet, është e pamundur ta shpjegosh. Duhet të vini ta vizitoni këtu Shenzhen-in dhe të shihni se sa mbrapa i ka lënë jo vetëm qytetet e tjera të Kinës, por edhe të botës.
Nëse e quajmë Pekinin qendra kultore dhe e quajmë Shangain qendra ekonomike-financiare, cila është etiketa që do t'i vije Shenzhen-it?
Nuk e di, ndoshta kinezët kanë kopjuar nga të gjithë qytetet e botës dhe e kanë ndërtuar Shenzhen-in. Është një qytet ku nuk mungon asgjë. Rrugët janë të jashtëzakonshme.Një gjë që vërejtëm bashkë me kolegët e tjerë, është se aty klima është tropikale. Aty mund të bjerë edhe shi, por përsëri është shumë ngrohtë. Tjetra është se në këtë qytet dominojnë pyjet. Rrugët janë të rrethuara nga pyje dhe male. Aty vizituam edhe një park ku mund të shihje një pjesë të qytetit, dhe me as sa na shpjeguan ishte një pyll që nuk gjendej nëpër qytete të tjera, sepse ishte shumë afër qytetit, vetëm pesë minuta nga qendra e qytetit
Tani në Kinë ka një program për zhvillimin e gjelbër. Ke qenë në tre qytete kryesore të Kinës. Cili është qyteti më i gjelbër sipas teje?
Jo vetëm mund të them se Shenzhen-i është qytet më i gjelbëruar se Pekini dhe Shangai, por nuk e di a ka qytet më të gjelbëruar. Në të dy anët e rrugëve kishte pyje pa fund, dhe ti mund të ishe brenda qytetit dhe të dukej vetja sikur ishe në pyll.
Meqë ke qenë në tre qytete simbol të Kinës, cili qytet mendon se ka model më të përshtatshëm për zhvillimin e Shqipërisë?
Kjo është një pyetje e vështirë. Meqenëse Shqipëria është një vend i vogël, kurse këto të tre janë metropole me mbi 20 milionë banorë, Shqipëria nuk mund të kopjojë asnjë nga këto modele. Por Shqipëria mund të marrë një gjë tjetër nga kinezët, dhe jo nga qytetet kineze. Mund të marrë shpirtin e tyre për të punuar, për të mos u lodhur, për të qenë aktivë, për të qenë konkurrues, për të qenë të parët. Shqipëria është një vend i vogël dhe nuk mund ta kapë dot zhvillim e Kinës e të krahasohet me të, por shqiptarët mund të kopjojnë nga ajo çfarë bëjnë përditë kinezët.
Dhe një pyetje të fundit. A ka pasur ndonjë gjë që nuk të ka pëlqyer në Kinë, sepse kultura kineze ndryshon shumë nga ajo europiane dhe shqiptare?
Gjatë këtyre tetë ditëve, kam pasur një problem shumë të madh. Ushqimi kinez është shumë i mirë, dhe duke qenë shumë i mirë, kam përshtypjen se, pasi të kthehem në Tiranë, për disa ditë do ta kujtoj dhe do ta kërkoj. Para se të vija në Kinë disa miq të mi më thane që të bëj kujdes, se në Kinë nuk ka ushqime të mira dhe ne europianët e kemi të vështirë të përshtatemi me ushqimet e tyre. Por unë mendoj krejt të kundërtën. Ose mbase neve na kanë shërbyer ushqimet më të mira, por gjithsesi mund të them se ushqimet kineze janë fantastike dhe duhet të vini t'i provoni.
Nëse ke një shans për sugjerim për marrëdhëniet mes Kinës dhe Shqipërisë brenda kornizës së mekanizmit të bashkëpunimit "16 +1", çfarë do të sugjeroje për vendimmarrësit në Shqipëri?
Tanimë raportet ekonomike mes Shqipërisë dhe Kinës janë intensifikuar. Shumë investitorë kinezë kanë ardhur në Shqipëri, por këto investime janë të pamjaftueshme dhe Shqipëria i ka resurset për ta shfrytëzuar këtë potencial ekonomik. Vizitat e delegacioneve të qeverisë shqiptare duhej të ishin shumë më të shpeshta në Kinë. Kina duhej t'i drejtojë sytë nga Kina, nga bizneset kineze, për të marrë të dyja palët atë që është e nevojshme dhe që u intereson.