Gong Hongjia, nga adhurues i letërsisë në investitor në teknologjinë e lartë

2017-06-13 16:27:14 CRI Komenti juaj Printoni

Sipërmarrësi Gong Hongjia është një ndër njerëzit më të pasur në Kinë. Ai ka krijuar një numër kompanish të teknologjisë së lartë, ndërkohë që ka investuar në shumë të tjera, duke treguar tiparet e një investitori me nuhatje të mprehtë. Udhëtimi i tij në rrugën e biznesit mund të thuhet se është i pazakontë, po të kesh parasysh se Gong Hongjia ishte një i ri që i pëlqente letërsia e gazetaria dhe që u përfshi në teknologji nga një talent i tij që kishte pak lidhje me këtë sektor: ai në … hedhjen e shtizës.

Gong Hongjia ka lindur në vitin 1965 në provincën Zhejiang të Kinës Lindore. Ai që më vonë do të bëhej një ndër investitorët kryesorë në sektorin kinez të teknologjisë së lartë, kur ishte në shkollë shfaqi pak shenja se në të ardhmen do të përfshihej në këtë sektor. Në shkollën fillore dhe të mesme lënda e tij e parapëlqyer ishte letërsia dhe jo shkencat. Pasi mori pikët maksimale në hartim në konkursin e pranimit në universitet, ai planifikonte të studionte për gazetari. Por siç thotë vetë Gong Hongjia, i

ofruan të studionte në Universitetin e Shkencës dhe të Teknologjisë të Hangzhou-it, pjesërisht edhe për shkak se ishte i mirë në sportin e hedhjes së shtizës. Duke e ditur se ky universitet ishte me emër, Gong Hongjia pranoi.

Në universitet Gong Hongjia u njoh me atë që do të bëhej jo vetëm bashkëshortja e tij e ardhshme, por dhe partnere në biznes Chen Chunmei.

Pas diplomimit në vitin 1986 për shkenca kompjuterike, Gong Hongjia nisi të merrej me shitjen e produkteve elektronike, kryesisht në Kinën Jugore. Më pas, me objektivin për të krijuar një markë vendëse që do të konkurronte me kompanitë japoneze të prodhimit të radiove, në vitin 1994 Gong Hongjia krijoi kompaninë "Tecsun General Electric". Duke shitur radio me çmim të ulët për konsumatorët e rinj kinezë, "Tecsun" i dha fund mbizotërimit të markave japoneze, duke u kthyer në kompaninë më të madhe prodhuese të radiove në Kinë.

Më pas Gong Hongjia dhe e shoqja nisën të investojnë në kapitalet me rrezik, duke krijuar ose investuar në 15 kompani teknologjike.

Disa nga më të suksesshmet prej tyre janë "Asiainfo-Linkage", një kompani programesh kompjuterike dhe një nga firmat e para kineze të regjistruara në "Nasdaq", Kompania e Teknologjisë Elektronike "Funinhand", ku Gong Hongjia është kryetar bordi që prej vitit 2002, si edhe Kompania Mikroelektronike "Fullhan", që drejtohet nga Gong Hongjia që prej vitit 2004.

Por sigurisht investimi që do të dilte më fitimprurës për 52-vjeçarin ishte ai në Kompaninë e Teknologjisë Digjitale "Hikvision". Kur e pyet lidhur me famën që ka si një ndër investitorët kryesor në kapitalet me rrezik në Kinë, Gong Hongjia thotë se ai mund të mos jetë më i miri, por mund të ketë ketë marrëveshjen me fitimet më të shumta. Dhe ky është pikërisht investimi në fund të vitit 2001 i vetëm 2.45 milionë juanëve (360 mijë dollarë amerikanë) për të vënë në zotërim 49 % të aksioneve në

Kompaninë e Teknologjisë Digjitale "Hikvision". Në të vërtetë, në atë kohë, Gong Hongjia e pa këtë investim më shumë si një mënyrë për të ndihmuar disa nga shokët e tij të universitetit që e kishin krijuar këtë kompani. Por "Hikvision" prodhon tani më shumë se 60 % të sistemeve të kamerave të sigurisë në Kinë, ndërsa ka degë të vetat në shumë vende e rajone të tjera të botës, si ShBA, Kanada, Australi, Indi, Europë etj. Kompania ka mbi 18 punonjës dhe një kapitalizim të tregut 19 miliardë dollarë. 18 % e aksioneve që Gong Hongjia ka tani në "Hikvision", ku ai është edhe zv.kryetar bordi dhe aksionari më i madh indivual, janë me vlerë mbi 3 miliardë dollarë, ose mbi 7 000 herë më shumë se investimi fillestar.

Ndërkohë tani vlera e pasurisë së Gong Hongjia-së dhe së shoqes, sipas vlerësimit më të fundit të "Forbes"-it, arrin në 9.3 miliardë dollarë.

Megjithëse ka një pasuri të tillë, Gong Hongjia e pranon se nuk e fut veten ndër teknokratët më të zgjuar. Megjithatë, Gong thekson se priret të investojë në kompanitë fillestare të krijuar nga njerëz që nuk kanë ndonjë CV të pasur, e sidomos nga të rinjtë. Po ai është edhe më i vendosur kur bëhet fjalë për të punësuar talente në kompanitë e tij. Kështu, duke u përpjekur të punësojë një inxhinier mjaft të talentuar në "Hikvision", Gong Hongjia i ofroi atij një shpërblim për nënshkrimin e kontratës, për të cilin inxhinieri do të thoshte më pas se është "aq i madh, sa nuk më duhet të punoj më kurrë."

Mrekulli
Lajmet Kryesore