Porti i Pireut, shembull i përfitimeve të ndërsjella nga "Një brez, një rrugë"

2017-06-06 16:03:16 CRI Komenti juaj Printoni

Mbi 2000 vjet më parë, Rruga Detare e Mëndafshit lidhte bregdetin e Kinës me vendet përreth Detit të Kinës Jugore dhe ato të Afrikës dhe Europës, duke nxitur zhvillimin e përbashkët të këtyre vendeve përgjatë kësaj hapësire të madhe detare. Ndërsa tani, porti i Pireut në Greqinë Juglindore është bërë një element i rëndësishëm në nismën e Kinës "Një brez, një rrugë".

Porti i Pireut është porti më i madh në Greqi dhe një nga portet më të mëdha të konteinerëve në Mesdheun Lindor dhe mbarë botën. Në vitin 2016, Grupi i Transportit Detar i Kinës COSCO bleu 67 % të aksioneve të Autoritetit Portual të Pireut, që operon portin e Pireut, duke u bërë aksioneri më i madh në të. Kjo është hera e parë që një kompani kineze merr në zotërim një port të huaj.

Në të vërtetë, që në vitin 2008, grupi COSCO nënshkroi me palën greke një marrëveshje koncesioni 35-vjeçar, sipas së cilës në vitin 2010 grupi kinez do të merrte të drejtën e menaxhimit të terminalit nr. 2 dhe terminalit nr. 3 të portit të Pireut. Drejtori menaxhues i Terminalit të Konteinerëve të Pireut, filiali i COSCO-s në portin e Pireut, Fu Chengqiu, e quan investimin e COSCO-s në këtë port si strategjik.

"Porti i Pireut ka vendndodhje strategjike. Ai gjendet në një pikë kyçe për hyrjen në Detin e Zi. Krahas kësaj, nëpërmjet këtij porti, mund të hyhet në detin Adriatik ose në Europën Veriperëndimore nëpërmjet detit Mesdhe. Kështu, Pireu mund të shfrytëzohet si një port i përkryer tranziti. Për këtë arsye, kemi shtuar investimet dhe kemi bërë përpjekje shumë të mëdha. Unë mendoj që këto investime kanë vlerë të madhe," thotë Fu Chengqiu.

Në fillim, menaxhimi i portit nga grupi COSCO ndeshi në vështirësi. Në vitin 2009, nën ndikimin e dyfishtë të krizës financiare globale dhe krizës së borxheve në Greqi, gjendja e ekonomisë greke po përkeqësohej vazhdimisht. Në portin e Pireut, vëllimi i trafikut detar shënoi rënie dhe punonjësit e portit bënin shpesh greva. Ndër drejtuesit e filialit të COSCO-s në portin e Pireut, drejtori i financave Wang Jian është ai që ka ardhur më herët në këtë port. Duke kujtuar atë kohë, ai e pranon që ishte një periudhë e vështirë.

"Në vitin 2009, kur erdha këtu, gjendja ishte shumë e keqe. Pajisjet ishin të vjetra dhe makineritë e ngarkim-shkarkimit nuk funksiononin në rregull. Prandaj, na u desh shumë kohë për ta ndryshuar gjendjen. Në vitin 2009, përveç presionit të madh në punë, duhej të mësoheshim edhe me kulturën, ligjet dhe rregullat vendore, por edhe që të ndryshonim metodën e punës, e madje edhe konceptet e vendasve. Kjo kërkonte nga ne një nivel më të lartë menaxhimi. Me përpjekjet tona të gjithanshme, filloi ndryshimi," thotë Wang Jian.

Dimitris është një punëtor në terminalin nr. 3 të portit të Pireut. Në vitin 2010, kur ai sapo nisi punë në filialin e COSCO-s, porti ishte në gjendje krejtësisht ndryshe.

"Nga viti 2000 deri në 2010, kam punuar në disa terminale të tjera. Kur erdha këtu, ndjesia e parë ishte që ky është një port krejtësisht i ri. Unë mendoj që këtu ka mjaft ndryshime nga portet e tjera, pasi ka më shumë pajisje të reja e kamionë të rinj, më shumë vende pune dhe më shumë klientë. Punëtorët në këtë terminal kanë dëshirë më të madhe për punë. Për mua, kam më shumë rrogë ditore, prandaj unë ndjej ky është një port krejtësisht i ri," thotë Dimitris.

Tani, porti i Pireut është bërë një nyjë e rëndësishme në Rrugën Detare të Mëndafshit të Shekullit XXI dhe pikë lidhëse e transportit detar e hekurudhor nga Kina për në Europë.

Në maj 2017 u zhvillua në Pekin forumi i lartë i bashkëpunimit ndërkombëtar për "Një brez, një rrugë". Në këtë forum mori pjesë edhe menaxheri tregtar i filialit të COSCO-s në Greqi, Terminalit të Konteinerëve të Pireut, Tassos Vamvakidis. Ai shprehu shpresën që, nëpërmjet këtij forumi, më shumë njerëz do ta kuptonin mbështetjen nga Greqia të nismës "Një brez, një rrugë":

"Shpresojmë që më shumë njerëz ta kuptojnë që kjo nismë është një rast shumë i rëndësishëm për Greqinë. Porti i Pireut është porti i parë europian në veri të Kanalit të Suezit dhe kjo na bën portën jugore të Europës, si për hyrjen, ashtu edhe për daljen e mallrave në rrugë detare. Për këtë arsye, Greqia ka pritshmëri shumë të larta nga 'Një brez, një rrugë', veçanërisht lidhur me çështjet detare. Prandaj, shpresojmë të tregojmë në këtë samit vullnetin e Greqisë për të mbështetur nismën 'Një brez, një rrugë'".
(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore