Yao Zhenhua, miliarderi që nuk e ndryshon orën e vet

2017-06-06 15:51:23 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari i Grupit "Baoneng" Yao Zhenhua e ka zgjeruar me sukses biznesin e vet nga ushqimet te pasuritë e patundshme dhe më në fund te investimet financiare, duke arritur falë aftësive të veta sipërmarrëse të shndërrohet në një prej njerëzve më të pasur në Kinë. E megjithatë, ai vazhdon të bëjë një jetë të thjeshtë, duke besuar se pasuria e modestia duhet të ecin përkrah.

Yao Zhenhua ka lindur në vitin 1970 në Shantou të provincës Guangdong të Kinës Jugore. Shantou është i njohur për sipërmarrësit që ka nxjerrë nga gjiri i tij. Kështu, ai është vendlindja e Li Kashing-ut, njeriut më të pasur në Hong-Kong, dhe e themeluesit të gjigantit kinez "Tencent" Pony Ma. Yao Zhenhua nuk e fsheh se për të Li Kashing-u është njëfarë modeli dhe ai ndjek mjaft prej praktikave të biznesit të tij.

Yao Zhenhua u diplomua në Universitetin e Teknologjisë të Kinës Jugore në vitin 1992. Pas diplomimit ai nisi punë në një kompani shtetërore në Shenzhen, por pa kaluar shumë vendosi të nisë sipërmarrjen private.

Pasurinë e vet të parë Yao Zhenhua do ta bënte në industrinë ushqimore, duke përfituar nga rregullat e reja që u kishin krijuar mundësinë edhe kompanive private ta ushtronin biznesin e tyre në këtë industri. Veçanërisht një nxitje për biznesin e tij do të ishte një nismë kombëtare, që u lejonte bizneseve private të hapnin dyqane me ushqim të freskët nëpër lagjet e ndryshme të banimit. Dhe kështu Yao Zhenhua krijoi fermën dhe ekosupermarketin e vet. Kjo ishte një lëvizje mjaft inovative për kohën, që i mundësoi kompanisë së Yao Zhenhua të krijonte zinxhirin e vet të prodhimit ushqimor, duke u bërë një prej furnizueseve më të mëdha të ushqimit të freskët në Shenzhen.

Në vitin 2000 Yao Zhenhua e riemëroi kompaninë e tij "Baoneng", duke e zgjeruar biznesin e saj edhe në fusha të tjera, veçanërisht në pasuritë e paluajtshme dhe në shëndetësi.

Një pike kthese për kompaninë e Yao Zhenhua-s do të ishte blerja në vitin 2003 e pjesës kontrolluese të aksioneve në kompaninë " Shum Yip Logistics", e cila kishte probleme financiare. Kjo i dha mundësinë Yao Zhenhua-së të vihej në zotërim të trojeve me çmim relativisht të lirë, të cilat i përdori kryesisht për të ndërtuar blloqe banimi. Ishte një lëvizje e zgjuar, pasi në fillim të mijëvjeçarit të ri tregu i pasurive në të patundshme në Kinë njohu një zhvillim të shpejtë, duke qenë sektori që krijoi numrin më të madh të miliarderëve.

Në vitin 2005 "Baoneng" ndërtoi në Shenzen kompleksin rezidencial komercial "Taikoo City", një nga më të mëdhatë në qytet asokohe. Ky vlerësohet si projekti më i sukseshëm i "Baoneng"-ut, duke e përdorur një model të tillë edhe në rreth 30 qytete të tjera.

Megjithatë, rritja e "Baoneng"-ut u ndodh përballë vështirërish, për shkak të ushtrimit të veprimtarisë së vet kryesisht në të ashtuquajturat qytete të kategorisë së dytë dhe të tretë, pra jo në qytetet kryesore, të cilat filluan të kishin mbiofertë të pasurive të patundshme.

Por Yao Zhenhuandjeu përsëri se kishte një mundësi biznesi tjetër ku mund të zgjerohej. Në vitin 2012 ai mori licencën për të krijuar kompaninë e sigurimeve "Foresea", e quajtur "Qianhai" në gjuhën kineze, sipas zonës së re të veçantë ekonomike në Shenzhen, që shërben si një zonë eksperimentimi për reformën financiare që ka filluar prej disa vjetësh në Kinë.

"Foresea" njohu një zhvillim të shpejtë, duke u ngjitur nga vendi i 53-të në vitin 2012, në vendin e 11-të në vitin 2015, me të ardhura vjetore 78 miliardë juanë

Dhe është pikërisht ky fokusim i kompanisë te sigurimet, që e ka ngritur atë në një nivel të ri, duke u bërë tashmë biznesi kryesor dhe më fitimprurës i saj.

Duke filluar nga qershori i vitit 2015, kompania e sigurimeve "Foresea" ka blerë më shumë se 5 % të aksioneve të nëntë kompanive të regjistruara në bursë, duke e përmirësuar ndjeshëm pozicionin financiar të "Baoneng"-ut dhe duke bërë që pasuria e Yao Zhenhua-s të njohë një rritje rekord. Kështu në vitin 2015, sipas listës së njerëzve më të pasur në pjesën kontinentale të Kinës të hartuar nga Instituti "Hurun", kjo pasuri arriti në 17.2 miliardë dollarë, me një rritje afro nëntëfish krahasuar me vitin 2014, duke e ngjitur Yao Zhenhua-në nga vendi i 204-t që ishte në 2014-n në vendin e katërt një vit më pas. Rupert Hoogewerf, drejtori i Institutit "Hurun" që harton këtë listë, shprehet: "Yao përfaqëson valën e re të krijimit të pasurisë falë investimeve financiare në Kinë."

Por me gjithë një pasuri të tillë, Yao Zhenhua përpiqet të bëjë një jetë të thjeshtë e me kursim. Ai thotë se është i lumtur që mban prej kohësh të njëjtën orë "Tissot", sepse nuk do që të shihet si njeri ekstravagant ose që harxhon pa pasur nevojë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore