Lu Feng, themeluesi i "Bloomberg"-ut kinez

2017-05-16 16:42:32 CRI Komenti juaj Printoni

"Bloomberg by Bloomberg" ("Bloomberg-u nga Bloomberg-u") mund të quhet një "bibël biznesi" për sipërmarrësin kinez Lu Feng, themeluesin dhe drejtuesin e kompanisë "Wind Information". Ai e ka bërë biografinë e manjatit Michael Bloomberg një libër që duhet lexuar patjetër nga i tërë stafi menaxherial i kompanisë së tij, duke e kthyer "Wind Information" në versionin kinez të gjigantit amerikan të medias, të të dhënave e të programeve kompjuterike financiare.

Lu Feng-u ka lindur në provincën Hubei të Kinës Qendrore. Në vitin 1992 ai u diplomua për shkenca kompjuterike në Universitetin e Shkencës dhe të Teknologjisë të Shanxi-së. Pas përfundimit të studimeve Lu Feng-u nisi punë në një zyrë industrisë tekstile, por vendosi të largohej prej andej pas vetëm tre ditësh. Arsyeja? "Aty nuk kishte kompjutera," shprehet me të qeshur Lu Feng-u.

Por në të vërtetë nuk ishte vetëm kjo arsyeja. Viti i fillimit të punës prej tij ishte edhe viti kur Ten Hsiao Pini bëri turin e tij të famshëm në Kinën Jugore, që nxiti valën e sipërmarrjes private në Kinë. Si shumë të rinj të tjerë, edhe Lu Feng-u shkoi në qytetin Shenzhen në provincën jugore Guangdong, shumë pranë Hong-Kongut. Shenzhen-i ishte përcaktuar të bëhej zonë e posaçme ekonomike dhe do të krijonte më pas një numër të madh milionerësh e madje edhe miliarderësh, që kanë qenë jo rrallë edhe personazhe të emisioneve tona. Por kjo nuk do të ndodhte edhe me Lu Feng-un. Ai nuk pati fat në Shenzhen, prandaj vendosi të largohej prej andej, pa hequr dorë sidoqoftë nga ëndrra e tij e pasurimit. Dhe për ta realizuar këtë ëndërr ai zgjodhi Shangain. Frymëzimin për biznesin që do të niste aty e mori nga vizita në Bursën e Shangait, që mund të thuhet se ishte ende në hapat e vet të parë. Lu Feng-u pa se jashtë bursës shiteshin fletë me të dhëna për firmat e kuotuara në bursë. Informacioni nuk ishte i lirë: 10 juanë për një fletë format A4.

Miliarderi i ardhshëm mori me qira dy kompjutera të vjetër, pasi në atë kohë as që bëhej fjalë të kishte mundësitë financiare për të blerë kompjutera të rinj, punësoi disa operatore kompjuteri dhe nisi të shiste informacion financiar të dixhitalizuar nëpërmjet modemeve dhe CD-ROM. Kjo firmë e vogël do të shndërrohej në atë që është sot "Wind Information", një nga kompanitë më të mëdha ofruese të informacionit financiar në Kinë.

Në fillim Lu Feng-u ua ofronte shërbimin e vet firmave të ndërmjetësimit tregtar. Por më pas, siç thotë vetë, i lodhur ngaqë këto firma e trajtonin si "punëtor fabrike", Lu Feng-u bëri atë që ai e quan "pelegrinazh" në zyrën e kompanisë së njohur të medias e të informacionit financiar "Bloomberg" në Nju-Jork. Pas kësaj vizite, Lu Feng-u vendosi ta kthente kompaninë e vet "Wind Information" në barasvlerësin e "Bloomberg"-ut në Kinë, duke u shitur të dhëna financiare klientëve institucionalë.

Kërkesa për informacion financiar në përgjithësi dhe për produktet e kompanisë "Wind Information" në veçanti do të njihte një rritje me ritme relativisht të shpejta që prej fillimit të reformës financiare në Kinë në vitin 2005. Kjo do të sillte kthesën e madhe për "Wind Information". Tani produktet dhe shërbimet e kompanisë së krijuar e të drejtuar nga Lu Feng i përdorin më shumë se 90 % e firmave financiare të Kinës, duke përfshirë bankat, firmat e investimeve, firmat e menazhimit të fondeve, kompanitë e sigurimeve etj. Po ashtu, edhe tre të katërtat e të ashtuquajturve Investitorë Institucionalë të Huaj të Kualifikuar, të cilët janë të lejuar të blejnë aksione në Kinë, janë klientë të kompanisë "Wind Information".

Megjithëse vlerësohet si "Bloomberg"-u kinez, "Wind Information" deri tani është përqendruar më shumë në të dhënat dhe studimin e tregut sesa në njoftimet financiare. Rivali i vet kryesor në Kinë, kompania "Great Wisdom" e Shangai e ka bërë tashmë një gjë të tillë, dhe "Wind Information" po e planifikon gjithashtu këtë hap.

Pasuria e Lu Feng-ut arrin tani në një miliard dollarë dhe pritet të shtohet edhe më shumë pas një regjistrimi të mundshëm të "Wind Information" në bursë. E megjithatë, kur e sheh nga pamja e jashtme, ai duket si një njeri i pakënaqur. Punonjësit e "Wind Information" ankohen se bosi i tyre "ka një shprehje të ngurtë në fytyrë në 80 % të kohës gjatë vitit". Por Lu Feng-u thotë se edhe një gjë të tillë e bën duke marrë si shembull Michael Bloomberg-u, pasi sipas tij, "një bos i zemëruar nuk e lejon stafin që të bëhet dembel". Dhe ajo që vlerëson mbi të gjitha Lu Feng-u është puna. Puna për të është pasuria dhe lumturia e vërtetë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore