Kinë-Shqipëri, bashkëpunim në nivele të ndryshme

2016-11-04 17:47:45 CRI Komenti juaj Printoni

Vitet e fundit, Kina dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore kanë patur marrëdhënie të qëndrueshme politike, shkëmbime të shpeshta në nivel të lartë, duke thelluar besimin e ndërsjellë politik. "16+1" është një platformë e re e krijuar nga Kina dhe 16 vendet e Europës Qendrore e Lindore. Platforma shërben për thellimin e miqësisë tradicionale dhe shtimin e bashkëpunimit me fitime të ndërsjellta.

Qysh nga krijimi i kësaj platforme, shkëmbimet mes Kinës dhe vendeve të EQL-së janë shtuar dukshëm. Në fund të vitit 2015, takimi i 4-të i liderëve Kinë-EQL u zhvillua në Suzhou të Kinës Lindore, hera e parë që Kina organizoi këtë takim. Kryeministri kinez Li Keqiang u shpreh se Kina dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore kanë krijuar një rrugë të re bashkëpunimi në ekonomi, tregti, investime, financë, arsim, bujqësi dhe në nivel lokal.

Në këtë samit, u miratua Programi i Suzhout dhe u përcaktua korniza "1+6", që do të thotë një objektiv dhe bashkëpunim në 6 fusha kryesore.

"Në këtë takim, kemi patur një arritje: një plan 5-vjeçar. Kjo do të thotë që '16+1' nuk është më një sistem me plan 1-vjeçar me zhvillim afatshkurtër, por do të vazhdojë të zhvillohet me një plan afatmesëm. Kina ka paraqitur propozime për bashkëpunim në 6 fusha kryesore, të vlerësuara nga shumë vende. Në 5 vitet e ardhshme, ne do të krijojmë një model të ri partneriteti më të ngushtë," thotë Li Keqiang.

Shqipëria, me sipërfaqe dhe popullsi të vogël, është një partner i "vogël" në Europë Qendrore e Lindore. Ajo ka pozicion të mirë gjeografik, burime të pasura ujore dhe bujqësore, si dhe miqësi të thellë tradicionale. Për këtë arsye, qeveria dhe investitorët kinezë i kushtojnë vëmendje potencialit të Shqipërisë, ndërsa Shqipëria mirëpret investimet kineze.

Pak kohë më parë, kreu i kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta bëri vizitë në Pekin, ku ai përmendi arritjet e bashkëpunimit Kinë-Shqipëri në vitet e fundit. Ai tha se Kina është partneri më i rëndësishëm i Shqipërisë në ekonomi, tregti dhe investimet kineze kanë mbuluar fushat më të rëndësishme si aeroport, energjetikë, minerale dhe telekomunikacion. Ai vuri në dukje se Shqipëria është pjesëmarrëse aktive e mekanizmit "16+1" të iniciuar nga Kina dhe shpreson që të japë kontributin e vet për zhvillimin e rajonit të Ballkanit.

"Është një mendim i gjerë unanim në Shqipëri që të zhvillohen marrëdhëniet me Kinën. Unë besoj që marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve do të jenë në dobi konkrete për të dy popujt," thotë Ilir Meta.

Në fakt, qysh nga paraqitja e mekanizmit "16+1", bashkëpunimet mes Kinës dhe Shqipërisë, me mbështetjet nga të dyja palët, kanë hyrë në një fazë të re me shkëmbime të shpeshta, jo vetëm në nivelin e qeverisë qendrore, por edhe në pushtetin vendor dhe dhe të sipërmarrjes.

Profesori Wang Yuzhou i Universitetit të Pekinit analizoi se "16+1" është një koncept që përfshin jo vetëm qeveritë qendrore të 17 vendeve, por edhe institucione dhe qeveri në rang më të gjerë.

"Kina tani thekson zhvillim me shumëllojshmëri dhe zhvillimin në shumë nivele. Në Kinë, shumë qeveri lokale dhe ndërmarrje po flasin për politikat e tyre, përveç atyre të MPJ-së dhe të qeverisë qendrore. '16+1' ka objektivin e vet dhe bashkëpunimi mes 16 vendeve të Europës Qendrore e Lindore dhe Kinës nuk duhet të kufizohet në rang shtetëror, por dhe në bashkëpunimin mes qyteteve, pushtetit lokal, ndërmarrjeve të vogla dhe individëve. Për këtë qëllim shumë bisedime rreth mekanizmit'16+1' janë fokusuar tek bashkëpunimi në shumë nivele," thotë profesori Wang.

Ashtu siç theksoi profesori Wang, Kina dhe Shqipëria kanë patur bashkëpunime të ngushta në nivele të ndryshme. Në fillim të vitit 2016, grupi kinez Everbright njoftoi nënshkrimin e marrëveshjes me kompaninë KDL dhe blerjen e të drejtës së koncesionit të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, deri në vitin 2025. Me realizimin e këtij projekti, Kina do të bëhet investitorja më e madhe në Shqipëri. Drejtori ekzekutiv i grupit Everbright, Chen Shuang e vlerësoi projektin si me rëndësi të madhe.

"Ne shpresojmë që Shqipëria të bëhet një pikë mbledhëse dhe shpërndarëse e mallrave kineze. Projekti ynë do të shërbejë si hap i parë në Shqipëri dhe mbi këtë bazë, mund të formojmë gradualisht një qendër logjistike dhe të nxisim investimet kineze në tregun shqiptar," thotë Chen Shuang.

Përveç investimeve nga kompanitë dhe bashkëpunimit ekonomik, Kina dhe Shqipëria kanë forcuar bashëpunimin mes qeverisjes lokale. Brenda një viti, qytetet Shantou dhe Durrës dhe Luoyang e Berat janë binjakëzuar. Krahas këtyre, edhe qarku i Shkodrës dhe provinca Henan kanë nënshkruar dokumentin e binjakëzimit.

Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako gjatë vizitës në Shantou të Kinës Jugore u shpreh se nisma "Një brez, një rrugë" dhe "16+1" përputhen me prirjen e zhvillimit dhe të dyja palët duhet të shfrytëzojnë këtë rast të mirë.

"Ideja e presidentit për "Një Brez dhe Një Rrugë" është një ide shumë nxitëse për të zhvilluar dy qytetet tona dhe portet respektive, dhe ne sot jemi në takimin e dy terminaleve të "Rrugës së Mëndafshit", pra terminali i Shantout dhe i Durrësit, mbas takimit në Durrës. Mendoj që këtë mundësi ne duhet ta shfrytëzojmë për të rritur infrastrukturën dhe kapacitetet e dy porteve për mundësinë e linjave të drejtpërdrejta të porteve nga Shantou në Durrës dhe anasjelltas. Fluksi i tregtisë ndërmjet dy qyteteve tona nuk është i lartë dhe sot ai kryhet nëpërmjet porteve tranzite, si ai i Hong-Kongut dhe porteve të tjera të Kinës, ndërsa në Europë nëpërmjet portit të Pireut. Ne mendojmë për krijimin e mundësisë që shkëmbimet tregtare të jenë të drejtpërdrejta ndërmjet Shantout dhe Durrësit, pa ndërmjetësinë e porteve të tjera," thotë Dako.

Vitin e kaluar, delegacioni i provincës Henan të Kinës Qendror vizitoi qytetin e Shkodrës, ku u nënshkrua marrëveshja për binjakëzim mes Shkodrës dhe Henanit. Të dyja palët biseduan mbi bashkëpunimin në infrastrukturë, turizëm, energji hidrike dhe minerale. Këtë vit, kryetarja e qarkut të Shkodrës Bardeli vizitoi Henanin, duke thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh.

"Ftesa për bashkëpunim është e hapur dhe ne mund të bëjmë plane strategjike për zhvillimin e Qarkut të Shkodrës për të ardhmen. Kjo mundësohet nga dëshira dhe vullneti i mirë i qeverisjes vendore të Henanit," thotë Bardeli.

Për Kinën dhe Shqipërinë, "16+1" është një sfidë me shanse. Të dyja palët i ndan një distancë e madhe gjeografike dhe kanë kulturë të ndryshme, por shprehin një dëshirë të fortë për shkëmbime dhe bashkëpunim të nivele të ndryshme. Me mbështetjen e mekanizmit "16+1", të dyja palët do të kenë më shumë mundësi bashkëpunimi në të ardhmen.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore