Ditari i Ditmirit gjatë karantinës (3)

2020-04-13 17:42:30 CRI Komenti juaj Printoni

20-vjeçari Wang Haoran (me emrin shqiptar Ditmir) është një student i gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Nga fundi i tetorit të vitit të kaluar, ai filloi të studionte në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Mirëpo, për shkak të epidemisë së COVID-19, ditët e fundit ai u kthye në Kinë bashkë me disa shokë shkolle dhe gjendet në periudhën karantinore14-ditore. Ditët e fundit, ai tregoi për Radio "Ejani" në formë ditari për këtë përvojë të veçantë.

9 prill, Hotel "Grand Madison", Shangai

Pas dhjetë ditësh karantinimi të zakonshëm në hotel, kur isha gati të nisja të këndoja "Tout va bien", ndodhi një episod i paparashikueshëm, që e bëri historinë e karantinimit tim të veçantë nga ajo e shokëve të mi. Për herë të parë në jetën time, qëndrova për katër ditë në një qendër të kontrollit shëndetësor.

Në ditën e njëmbëdhjetë të karantinës, 3 prill, pasi u zgjova nga gjumi, nisa të merrja frymë me vështirësi. Ky fakt, duke i shtuar edhe atë që kisha temperaturë 37.3 gradë celsius për 2-3 net me radhë, më bënte të dyshoja se mos isha infektuar nga koronavirusi. Kur ua tregova prindërve këtë, ata u shqetësuan shumë më tepër se unë. Megjithëse simptomat i kisha vetëm të lehta, ata ngulën këmbë që të bëja kontroll në spital. Pasi e vendosëm, mora një punonjëse të hotelit në telefon dhe ia raportova simptomat dhe i paraqita kërkesën time. Ajo më këshilloi të prisja edhe një ditë për të vëzhguar nëse simptomat do të largoheshin. Sipas saj, po të dërgohesha në qendrën e kontrollit, kishte mundësi që ta kaloja natën atje. Por nuk e parashikoja se do të qëndroja atje për katër ditë, kështu që nuk i mora mbushësit e celularit dhe kompjuterit.

Pasi hëngra darkë, autoambulanca më çoi në një qendër të kontrollit shëndetësor. Ishte hera e parë që hipja në një autoambulancë. Ajo ecte shumë shpejt, sepse nuk kishte kufizim nga semafori, duke lëshuar sirenën e urgjencës. Gjëja e parë që bëra kur arrita në qendrën e kontrollit, ishte plotësimi i një formulari me të dhënat e mia, e cila tani ishte një procedurë standarde në Kinë. Pastaj ndoqa një punonjëse, duke bërë regjistrimin e dytë në sallën e urgjencës. Atje kishte dy recepsioniste, një kujdestar, një mjeke në sallën e këshillimit dhe disa të tjera në dhomat e kontrollit. Mjekja më porositi të bëja një tomografi të kompjuterizuar dhe analiza gjaku për të parë nëse kisha koronavirus.

Në dhomën e tomografisë u ula në shtrat dhe një "unazë" e madhe dhe e bardhë rrotullohej rreth meje duke më skanuar mushkëritë. Pastaj bëra analizën e gjakut dhe fatmirësisht të dyja dolën normale. Megjithatë, mjekja më tha që, ngase kisha temperatura, duhej të bëja tamponin për një diagnostikim më të sigurt.

Në orën 10 të natës arrita në dhomën time të karantinimit. Dhoma nuk ishte e madhe, por kishte gjithçka që më nevojitej. Ushqimet do të dërgoheshin kur të vinte koha dhe gjërat e tjera mund t'i blija me telefon. Infermierja nuk mund të më jepte një premtim që kur mund të bëja tamponin, prandaj më këshilloi të përgatitesha mendërisht se do të rrija gjatë aty. Po atë natë, pak më vonë, dërguan edhe një pacient pranë dhomës sime, dhe kështu kisha një "fqinj".

Natën e parë nuk fjeta mirë. Ndihesha pak i shqetësuar për mundësinë e infektimit. I ulur në krevat, vështroja nga dritarja dritën e llambave të rrugës dhe natën e qetë dhe të pafundme. Hera-herës mund të dëgjoja zërat e infermiereve që punonin në turnin e natës dhe devotshmëria e tyre më bënte shumë të sigurt dhe mirënjohës. I thashë vetes: tani jam në qendër spitalore dhe nuk ka nevojë të shqetësohem, sepse jam nën kujdesin e mjekëve dhe infemiereve punëtore dhe të besueshme. Pak nga pak, rashë në një gjumë të lehtë.

Të nesërmen herët në mëngjes, infermierja më kërkoi të matja temperaturën dhe t'ia raportoja. Kjo procedurë duhej bërë dy herë në ditë. Paradite erdhi një doktor që më pyeti për gjendjen dhe më mori pak gjak për analiza.

Gjërat me të cilat merresha ishin njësoj si në karantinën në hotel. Çdo ditë lexoja dhe bëja mësimet në internet. Ngase nuk kisha marrë mbushës me veten, bleva një në qendër. Duhej të vijoja të komunikoja me prindërit. Në këtë mjedis të kufizuar, mendja ime u bë jashtë zakonisht e uritur për të lexuar. Para se të largohesha nga qendra e kontrollit, mbarova gjysmën e librit 21 leksione për shekullin e 21-të. Perveç leximit, gjeta kohë për të admiruar pamjen e bukur nga dritaret, e cila më kujtoi se po afrohej vera.

Në ditën e tretë dhe të katërt, bëra tamponin dy herë brenda 24 orësh dhe të dy rezultatet dolën më 7 prill negativ. Si me magji nuk kisha temperaturë gjatë qëndrimit në qendrën e kontrollit, kështu që mund të kthehesha në hotel, pastaj në shtëpi sipas afatit të paracaktuar. Shokët e mi që arritën në hotel njësoj si unë, kishin dalë tashmë dhe së shpejti edhe unë mund të përqafoja lirinë dhe të bashkohesha me familjen në Pekin!(Wang Haoran)

Mrekulli
Lajmet Kryesore