11 studentët kinezë të Tiranës

2020-01-28 08:57:16 CRI Komenti juaj Printoni

11 të rinj nga Pekini, Sichuani, Wuhani por dhe qytete të tjera, pas studimit një vjecar të gjuhës shqipe në Universitetin e Pekinit, qysh prej tetorit të kaluar ulen çdo ditë në auditoret e Fakultetit të Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Ata mësojnë gjuhën shqipe me zell, përkushtim dhe ëndrra për të ardhmen, në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit.

Në prag të Festës së Pranverës, e njohur si Viti i Ri Kinez takimi me studentët kinezë të Universitetit të Tiranës është një çast gëzimi. Në një nga auditorët, ata po zhvillonin leksionin e gjuhës shqipe me pedagogen Kledi Shegani. Janë 3 djem dhe 8 vajza që kanë "pagëzuar" veten me emra shqiptarë si Rina, Flaka, Andi, Ditmiri, Drini, Engjëllushe, Lule, Bora, Kastrioti, Hëna dhe Yllka.

Pak të ndrojtur para mikrofonit të Radio Ejani, studentët kinezë më rrëfejnë se e ndjekin programin e kësaj radioje në gjuhën shqipe. Ndonëse kanë vetëm dy muaj në kryeqytetin shqiptar, ata tashmë e njohin Tiranën, që ndonëse u duket e vogël, krahasuar me Pekinin, u pëlqen. Biseda me këta të rinj në gjuhën shqipe rrjedh bukur dhe mësojmë për jetën e tyre studentore, por dhe planet për të ardhmen.

CMG: Ju si quheni dhe nga vini?

Studenti: Unë quhem Andi dhe vij nga Sichuan, që është shumë i bukur.

 

CMG: Ka dhe shumë spec djegës apo jo ?

Studenti: Po, po dhe ka gatimin tradicional hotpot, që është shumë i shijshëm.

CMG: Andi, kur ke filluar të mësosh gjuhën shqipe?

Studenti : Unë kam filluar mësimin e gjuhës shqipe në Universitetin e Pekinit, në vitin 2018 ku kam mësuar një vit.

CMG: Pas kësaj ju erdhët në Tiranë ?

Studenti: Po. Në kuadër të marrëveshjes së shkëmbimit erdha në Shqipëri për të mësuar gjuhën shqipe.

CMG: Po ju, si quheni?

Studenti: Unë jam Ditmiri. Kam lindur në Pekin dhe në të njejtin vit me Andin mësuam në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit gjuhën shqipe.

CMG: Kur arritët për herë të parë në Tiranë ?

 

Studenti: Në fund të tetorit të vitit të kaluar.

I drejtojmë mikrofonin një vajze, e cila mban emrin shqiptar Yllka.

CMG: Yllka si t'u duk Tirana kur arrite këtu?

Studentja: Mua mu duk pak e vogël, por shumë e bukur.

Në një bankë me Yllkën ndodhet një djalë . Ai quhet Kastriot dhe vjen nga Pekini.

CMG: Kastriot a të pëlqen studimi i gjuhës shqipe në Tiranë, pas një viti mësimi në Pekin?

Studenti: Është pak e vështirë .

Një tjetër studente kineze ka përzgjedhur si emër të saj shqiptar emrin e lumit Drin.

CMG: Drin, a të pë lqen Tirana, qyteti ku po jeton dhe studjon?

Studentja: Tirana është shumë e bukur dhe njerëzit janë të mirë .

Një studente tjetër ë shtë Engjë llushja, e cila vendlindjen e ka në Hënan, por jeton në Pekin.

CMG: E ke zgjedhur vetë emrin shqiptar Engjëllushe?

Studentja: Po. Është emër i bukur.

CMG: Çfarë ushqimi të pëlqen më shumë këtu në Tiranë ?

Studentja: Më pëlqejnë sufllaqet.

Një studente tjetër është dhe Bora.

CMG: Sa kohë do të studjoni gjuhën shqipe në Tiranë ?

Studentja: Një vit.

CMG: Je e lumtur që ke zgjedhur gjuhën shqipe?

Studentja: Po, shumë .

CMG: Të duket gjuhë e vështirë ?

Studentja: Jo shumë .

CMG: Po vajza kineze me emrin Lulja, si ndjehet në Tiranë ?

Studentja: Këtu ndjehem shumë mirë . Tirana ka kohë shumë të mirë, por dhe ushqime të shijshme.

Edhe Hëna ka studjuar një vit gjuhën shqipe në Pekin, ndërsa tani po vazhdon studimin në Tiranë .

CMG: Si të duket studimi i shqipes në Tiranë ?

Studentja: Është pak e vështirë, por gjuhë e bukur. Sidomos gërmat janë të vështira.

Shoqja e bankës e Hënës quhet Rina. Ajo e di se shumë vajza shqiptare mbajnë këtë emër të bukur.

CMG: Si e studjuat gjuhën shqipe në Pekin dhe si po vazhdoni studimin në Tiranë ?

Studentja: Në Pekin kishim profesorë shumë të mirë . Në fillim e patëm të vështirë më simin e gjuhës shqipe, por gradualisht po mësojmë dhe tani jemi këtu për një studim të mëtejshëm.

CMG: E keni më të lehtë studimin e shqipes në Tiranë, edhe sepse këtu keni më shumë mundësi për ta folur atë .

Studentja: Komunikojmë me shumë shoqe dhe shokë këtu dhe kemi mundësi të flasim gjuhën. Kemi shoqe dhe shokë shqiptarë me të cilët komunikojmë në rrjetet sociale instagram dhe facebook.

CMG: Flaka është një tjetër studente kineze, e cila fjet rrjedhshëm gjuhën shqipe. Përse e ke zgjedhur këtë emër?

Studentja: Sepse shqiptohet shumë bukur dhe flaka më përshtatet.

CMG: Si e shikon të ardhmen e studimit tënd të gjuhës shqipe?

Studentja: Do ta studjoj më tej gjuhën shqipe, por do të vazhdoj dhe studimin e politikës dhe ekonomisë, po në gjuhën shqipe.

CMG: A ju ka marrë malli për familjet?

Studenti Andi: Më ka marrë malli për familjen time. Tani ka një situatë të vështirë në Kinë për shkak të gripit, por besoj se Kina ka aftësi ta fitojë këtë gjendje.

CMG: A komunikoni shpesh me familjet tuaja në Kinë ?

Studenti: Vecanërisht këto ditë të Vitit të Ri Kinez ne komunikojmë me wechat me familjet dhe miqtë .

11 studentët kinezë të gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës urojnë me rastin e Festës së Pranverës, Vitit të Ri Kinez shëndet, suksese dhe mbarësi për të gjithë kinezët, kudo ku ndodhen, por dhe për miqtë e tyre shqiptarë .

Njëzëri studentët urojnë "Gezuar Vitin e Ri Kinez 2020!

Eda Merepeza

Mrekulli