Pas 70 vjetësh, Kina i afrohet edhe një herë qendrës së arenës botërore

2019-09-09 17:29:44 CRI Komenti juaj Printoni

Vitet e fundit, presidenti kinez Xi Jinping ka theksuar në shumë takime e veprimtari ndërkombëtare ku ka marrë pjesë, rëndësinë e mbrojtjes së sistemit shumëpalësh dhe të tregtisë së lirë para një ekonomie botërore ku janë shtuar zërat për unilateralizëm dhe proteksionizëm. "Një brez, një rrugë", "Ndërtimi i bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit" - nisma dhe propozime të tilla pasqyrojnë mendimet e qeverisë kineze për zhvillimin dhe qeverisjen globale dhe janë përvojat e Kinës gjatë zhvillimit të saj. Pas 70 vjetësh, Kina ka mësuar dhe kuptuar thellësisht se partneriteti global dhe multilateralizmi janë zgjidhje optimale për të ardhmen e lulëzuar të njerëzimit. Ndërkohë, faktet vërtetojnë se nëpërmjet integrimit me botën e jashtme, Kina po i afrohet përsëri qendrës së arenës ndërkombëtare

Rruga drejt zhvillimit

Në vitin 1949, kur u themelua Republika Popullore e Kinës, populli kinez përballej me një vend të shkatërruar që duhej rindërtuar nga zeroja pas shumë dekadesh plot luftëra.

Asokohe, jetëgjatësia mesatare e kinezëve ishte 35 vjeç dhe të ardhurat mesatare për frymë 16 dollarë amerikanë. Sfida më e madhe për Kinën e Re ishte si të prodhonte mjaft ushqim për gjysmë miliardë banorët e saj në atë kohë, ose rreth 20 % e popullsisë botërore.

Gjithashtu, si një vend i mbështetur te agroekonomia dhe që u tejkalua nga shumë vende pas dy revolucionesh industriale, zhvillimi i Kinës u kufizua për shkak të kapaciteteve të saj të dobëta industriale.

Por pas shumë vjetësh lufte e të menduari, Kina u bë një vend me industrializim dhe modernizim fillestar në vitet '70 të shekullit të kaluar.

Në vitin 1978, Kina nisi procesin e Reformës dhe të Hapjes. Për 40 vjet radhazi, populli punëtor kinez ka realizuar rreth 9.5 % rritje mesatare vjetore të PBB-së dhe ka dyfishuar në çdo tetë vjet vëllimin e ekonomisë kineze.

Në vitin 2015, pesë vjet pasi e kaloi Japoninë, duke u bërë ekonomia e dytë botërore, Kina nisi një lëvizje kombëtare për përmirësimin e jetesës së popullit, duke caktuar objektivin e zhdukjes së varfërisë para vitit 2020.

Pas krijimit të saj, Kina e Re ka nxjerrë 800 milionë banorë nga kushtet e vështira ekonomike, ose mbi 70% e atyre që dolën nga varfëria në shkallë botërore në këtë periudhë.

Kontribuuese ndaj botës

Vitet e fundit, Kina ka kontribuuar për afro 30% të rritjes së ekonomisë globale dhe ka ruajtur vendin e parë në tregtinë botërore si eksportuesja numër një dhe importuesja e dytë më e madhe.

Pavarësisht se tani ekonomia kineze ka hyrë në fazën e rritjes së mesme, prapë vitin e kaluar, tregtia e jashtme e saj u rrit 9.7 %, duke arritur rekordin 4.5 trilionë dollarë amerikanë, me 7.1% rritje të eksporteve (që arritën në 2.4 trilionë dollarë) dhe 12.9 % të importeve (në vlerën 2.1 trilionë dollarë).

Siç kanë premtuar liderët kinezë, Kina do të vazhdojë të hapë tregun e saj të brendshëm, duke zgjeruar më tej importin dhe duke përmirësuar pandërprerë mjedisin e biznesit për investimet e huaja, për të ofruar më shumë raste për ndarjen e fryteve të zhvillimit me botën e jashtme.

Ndërkohë, si një ndër pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina ka luajtur një rol konstruktiv në përballimin e sfidave të përbashkëta botërore.

Sipas të dhënave statistikore, që nga viti 1990, Kina ka dërguar 40 mijë ushtarë në rreth 30 misione paqeruajtëse të OKB-së, duke çuar më shumë personel ushtarak paqeruajtës ndër pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Ajo është gjithashtu edhe donatorja e dytë më e madhe për misionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.

Për të ndihmuar në përballimin e ndryshimit klimatik, Kina ka bërë përpjekje të vazhdueshme për nxitjen e zhvillimit të gjelbër, duke e vënë zbatimin e Marrëveshjes së Parisit në planin e saj të zhvillimit dhe duke bërë thirrje për më shumë aksione të përbashkëta konkrete për një botë më të pastër.

Lidhur me këto, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u shpreh gjatë takimit me presidentin kinez Xi Jinping se Kina është bërë shtylla më e rëndësishme e multilateralizmit dhe një forcë e pazëvendësueshme dhe e besueshme për paqen dhe zhvillimin botëror.

Zgjidhja për botën

Si një ndër vendet që përfitojnë nga partneriteti global dhe multilateralizmi, Kina e kupton mirë se vetëm nëpërmjet bashkëpunimit me vendet e tjera dhe hapjes ndaj botës të jashtme një vend mund të marrë fuqi për të ecur përpara.

Në vitin 2012, kur ekonomia globale u shërua dalëngadalë nga kriza financiare e vitit 2008, Kina, pasi dha kontribut për ta rikthyer ekonominë globale në orbitën e duhur, nxori një koncept për të ardhmen e njerëzimit në zgjidhjen e sfidave si kriza financiare, që është "Ndërtimi i një bashkësie fatesh të përbashkëta të njerëzimit".

Për ta vënë këtë vizion në realitet, Kina shpalli nismën "Një brez, një rrugë" për përmirësimin e ndërlidhshmërisë dhe bashkëpunimit ndërkontinental. Para prillit të këtij viti, 125 vende e 29 organizata ndërkombëtare kanë nënshkruar dokumente bashkëpunimi brenda kësaj kornize, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Siç tha z. Guterres në Forumin e 2-të Ndërkombëtar të Bashkëpunimit për "Një brez, një rrugë", me përmasën e planifikuar të investimeve, kjo nismë po ofron mundësi konkrete për të kontribuuar për krijimin e një bote më të barabartë dhe më të zhvilluar për të gjithë popujt.

Mrekulli
Lajmet Kryesore