Shkenca dhe teknologjia e pakicave kombëtare kineze

2019-04-02 12:45:18 CRI Komenti juaj Printoni

Për zhvillimin e shkencës dhe të teknologjisë në zonat e pakicave kombëtare të Kinës, qeveria kineze ka marrë një sërë masash të veçanta, të tilla si vënia e theksit në përgatitjen dhe kualifikimin e personelit tekniko-shkencor nga radhët e banorëve të pakicave kombëtare kineze, pranimi i planifikuar nga institucionet e arsimit të lartë në përgjithësi i studentëve nga radhët e pakicave kombëtare apo zhvillimi i kurseve të veçanta për ta në universitete, si edhe shtimi apo plotësimi i lëndëve për të ndihmuar në përgatitjen e personelit tekniko-shkencor nga radhët e pjesëtarëve të pakicave kombëtare. Njëkohësisht, janë marrë masa të efektshme për të ndihmuar ngritjen e nivelit të personelit tekniko-shkencor në zonat e pakicave kombëtare, duke i ndihmuar këto zona të kenë talente dhe pajisje të teknologjisë së lartë, duke nxitur transformimin e industrive dhe produkteve tradicionale, si edhe duke dhënë mbështetje për përmirësimin e teknologjive tradicionale dhe për të rritur rendimentin ekonomik në zonat e pakicave kombëtare. Po ashtu, është krijuar dhe përmirësuar sistemi i popullarizimit të shkencës e të teknologjisë në këto zona, duke forcuar rolin model të shkencës dhe të teknologjisë së zbatuar. Nga ana tjetër, janë hartuar politika preferenciale për jetën dhe punën e specialistëve e shkencës e të teknologjisë në zonat e pakicave kombëtare, si edhe për hapjen prej tyre të bizneseve të ndryshme përkatëse në këto zona.

Një tjetër dukuri që vihet re është shtimi i mbështetjes tekniko-shkencore nga zonat e zhvilluara të Kinës, kryesisht ato bregdetare, për zonat e pakicave kombëtare, si dërgimi i ekspertëve në zonat e pakicave kombëtare, organizimi i kurseve lidhur me shkencën e teknologjinë në këto zona nga ana e specialistëve të kualifikuar në këto fusha nga zonat e zhvilluara, shtimi i bashkëpunimit tekniko-shkencor mes zonave të zhvilluara dhe zonave të pakicave kombëtare, përkrahja për formimin dhe ngritjen e nivelit të personelit tekniko-shkencor të zonave të pakicave kombëtare etj.

Tani në zonat e pakicave kombëtare janë themeluar një numër i madh institucionesh të kërkimit shkencor për të plotësuar nevojat e ekonomisë së pakicave kombëtare, të jetës së pjesëtarëve të këtyre pakicave dhe karakteristikave të zonave të pakicave kombëtare, duke formuar kështu një sistem bazë të kërkimit shkencor dhe personel tekniko-shkencor profesional. Punonjësit e shkencës dhe të teknologjisë nga radhët e pakicave kombëtare të Kinës po bëhen një forcë e rëndësishme në përparimin e shkencës dhe teknologjisë kombëtare.

Arsimi i pakicave kombëtare të Kinës

Arsimi është themeli i përparimit shkencor dhe teknologjik. Qeveria kineze ka hartuar një sërë politikash dhe ka ndërmarrë një sërë masash të veçanta për zhvillimin e arsimit të pakicave kombëtare. Këto masa dhe politika përfshijnë: vëmendjen dhe ndihmën për arsimimin e pakicave kombëtare, krijimin e institucioneve të menaxhimit demokratik të arsimit, respektimin e së drejtës së pakicave kombëtare dhe të zonave autonome të kombësive për zhvillimin e arsimit të pavarur të kombësive; vënien e një theksi të veçantë në mësimdhënien e gjuhëve të pakicave dhe arsimimin dygjuhësh, si edhe në hartimin e teksteve mësimore për gjuhët e pakicave kombëtare; përgatitjen e mësuesve nga radhët e pakicave kombëtare. Gjithashtu, i është kushtuar vëmendje e veçantë dhënies së fondeve për arsimimin e pakicave kombëtare, hapjes së shkollave për pakicat kombëtare duke u nisur nga realiteti i zonave ku jetojnë këto pakica, kujdesit të duhur për regjistrimin e nxënësve e të studentëve nga radhët e pakicave kombëtare dhe për jetën e tyre, si edhe orientimit të zonave të zhvilluara për të mbështetur zonat e pakicave kombëtare.

Në zonat e pakicave kombëtare është formuar tashmë një sistem i plotë arsimor nga arsimi parashkollor deri në arsimin e lartë, dhe numri i viteve të arsimimit të pjesëtarëve të pakica kombëtare është rritur ndjeshëm. Në shkollat e të gjitha niveleve është rritur ndjeshëm numri i nxënësve dhe studentëve nga pakicat kombëtare. Në zonat veriperëndimore, verilindore dhe jugperëndimore të vendit, ku ka një përqendrim më të madh të pakicave kombëtare, janë krijuar shkolla të larta të kombësive, të cilat përgatitin qindra mijë studentë të të gjitha këtyre kombësive.

Mrekulli
Lajmet Kryesore