Kombësitë kineze me më pak se 100 mijë veta (V)

2019-03-04 17:24:28 CRI Komenti juaj Printoni

Kombësia hezhe

Kombësia hezhe është një nga pakicat kombëtare më të vogla në Kinë, me një popullsi prej pak më shumë se 5 300 vetash. Paraardhësit e tyre u vendosën buzë rrjedhave të lumenjve Songhua, Heilongjiang dhe Wusuli në verilindje të Kinës.

Pjesëtarët e kombësisë hezhe kanë gjuhën e vet, e cila bën pjesë në familjen gjuhësore altaike, por nuk e shkruajnë atë. Në të kaluarën ata e shënonin diçka në dru ose lëkurët e kafshëve. Po ashtu, me lëkurë kafshësh, e madje edhe me lëkurë peshqish, ata bëjnë rrobat e tyre. Veçanërisht të njohura janë veshjet e tyre të bëra me gëzofë dreri.

Për sa i përket ushqimit, pjesëtarët e kombësisë hezhe sigurisht hanë kryesisht peshk, meqë jetojnë pranë lumenjve, mbi të gjitha krap dhe bli. Peshkun ata e hanë jo vetëm të gatuar, por edhe të gjallë. Ata hanë gjithashtu barishte të egra, vezë zogjsh, kërpudha dhe mish.

Hezhe-të praktikojnë shamanizmin. Ata besojnë se gjithçka në gjithësi ka një shpirt dhe Zoti mund të mbizotërojë gjithçka në gjithësi.

Festat kryesore të tyre janë Festa e Zotit Dre, që bie më 3 mars e 9 shtator sipas kalendarit hënor. Gjatë kësaj feste ata kërcejnë dhe luten për Zotin Dre, për të larguar fantazmat e për fat të mirë, si edhe për korrje të mbara.

Festë tjetër është edhe Wurigong, që do të thotë dita e argëtimit ose e sporteve, e që gjithashtu kremtohet dy herë në vit sipas kalendarit hënor. Gjatë kësaj feste ata notojnë, bëjnë gara me barka, hedhje rrjetash etj.

Kombësia luoba

Kombësia luoba (ose lhoba) ka një popullsi prej më shumë se 3600 vetash, të cilët jetojnë kryesisht në pjesën juglindore të Rajonit Autonom të Xizang-ut (Tibetit).

Pjesëtarët e kombësisë luoba kanë gjuhën e vet, e cila i përket degës tibetiane-burmeze të familjes së gjuhëve sino-tibetiane.

Luoba-të besojnë në animizëm, po disa prej tyre edhe në budizëm. Banorët e kësaj kombësie kanë disa prej atyre që quhen hyjni natyrore, kryesori ndër të cilët është tigri, kafsha më e rrezikshme në rajonin ku jetojnë ata.

Ushqimet e kombësisë luoba janë të larmishme, por ushqim bazë janë kuleçët e mbushur, të bërë me miell misri, meli, oriz dhe hikërr. Ata po ashtu hanë edhe patate, pinë çaj me gjalpë etj.

Një tjetër tipar karakteristik i tyre është se ata ecin zakonisht zbathur.

Kombësia tatare

Kombësia tatare është pakica kombëtare më e vogël në Kinë, me një popullsi pak më shumë se 3 500 veta. Ata kryesisht jetojnë në pjesën veriore të malit Tianshan në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit.

Gjuha tatare i përket familjes gjuhësore altaike dhe ka qenë shkruar me alfabet arab, por tani tatarët flasin edhe gjuhën ujgure dhe kazake, për shkak të bashkëjetesës me banorët e këtyre kombësive, si edhe gjuhën standarde kineze.

Tatarët besojnë në fenë islame.

Tatarët merren kryesisht me tregti, por disa edhe me blegtori, bujqësi dhe zejtari. Atyre u pëlqen të hanë brumëra e mish dhe të pinë qumësht. Gratë tatare janë të njohura si të zonjat në kuzhinë. Ato bëjnë kekë me miell, oriz, djathë, vezë, gjalpë, rrush të thatë etj. Si pije alkoolike, tatarët bëjnë një verë me mjaltë që shijon si birrë.

Tatarët shquhen si këngëtarë dhe valltarë shumë të mirë. Sa herë kanë festa apo dasma, ata luajnë muzikë, këndojnë këngë dhe hedhin valle me karakteristika të kësaj kombësie. Tatarët kanë lloje të ndryshme këngësh, të cilat shprehin emocionet dhe dashurinë midis të rinjve dhe të rejave. Muzika e tyre është e gjallë dhe e gëzueshme. Banorët e kombësisë tatare kanë gjithashtu instrumente të ndryshme muzikore.

Islami është elementi kryesor i kulturës tatare, duke ndikuar në të gjitha aspektet e jetës së tyre. Festat më të rëndësishme janë Bajrami i Madh dhe Kurban Bajrami.

Tatarët janë një kombësi me njerëz të gjallë dhe të gëzuar. Ata kanë shumë argëtime dhe sporte të veçanta që zhvillohen gjatë festave, si vallëzim, mundje, gara me kuaj e ngjitje në shtyllë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore