Kombësitë kineze me mbi pesë milionë veta (II)

2019-01-07 16:51:29 CRI Komenti juaj Printoni

Kombësia mançure

Kombësia mançure ka afro 10.38 milionë banorë, që jetojnë kryesisht në tre provincat e Kinës Verilindore, veçanërisht në Liaoning.

Kombësia mançure ka një histori më shumë se 2-mijëvjeçare. Banorët e kësaj kombësie kanë jetuar në zonat e gjera në perëndim të malit Changbaishan dhe në rrjedhën e mesme dhe të poshtme të lumenjve Heilongjiang e Ussuri. Në shekullin e 12-të, parardhësit e mançurëve, të quajtur jurçenë, themeluan dinastinë Jin. Në vitet e fundit të shekullit të 16-të, Nurhaci integroi fiset jurçene dhe krijoi sistemin e Tetë Flamurëve, duke formuar kombësinë mançure, që përfshiu edhe banorë të kombësisë hane, mongole dhe koreane.

Mançurët merren kryesisht me bujqësi dhe kanë shkrimin dhe gjuhën e tyre të veçantë, që i përket familjes së gjuhëve altaike. Alfabeti i gjuhës mançure, me bazë atë të gjuhës mongole, e ka zanafillën në shekullin e 16-të. Por, për shkak të mërgimit në pjesën qendrore-veriore dhe ndërveprimit të ngushtë ekonomik, kulturor e shoqëror me banorët e kombësisë hane duke filluar që nga dinastia Qing, mançurët përdorin gjerësisht gjuhën hane. Vetëm disa fshatra të largët dhe pak të moshuar e flasin ende gjuhën mançure.

Kombësia hui

Kombësia hui ka një popullsi prej 10.58 milionë banorësh dhe është e përqendruar kryesisht në Rajonin Autonom Ningxia-Hui në veriperëndim të Kinës. Banorët e kombësisë hui jetojnë edhe në zona të tjera të Kinës. Mund të thuhet se kombësia hui jeton në të gjitha pjesët e vendit dhe është pakica kombëtare me shpërndarje më të gjerë në Kinë. Banorët e kombësisë hui dhe hanët jetojnë së bashku për një kohë të gjatë, kështu që kombësia hui përdor kryesisht gjuhën hane. Banorët e kombësisë hui që jetojnë me banorë të kombësive të tjera flasin edhe gjuhën e këtyre kombësive. Një pjesë e pjesëtarëve të kësaj kombësie flasin arabisht dhe persisht.

Kombësia hui i ka fillesat në shekullin e 7-të. Në atë kohë, tregtarë arabë dhe persë vinin shpesh në Kinë për të bërë biznes, dhe pastaj mbeteshin në Guangzhou, Quanzhou dhe zona të tjera bregdetare të Kinës Juglindore. Pas qindra vjetësh zhvillimi, ata u bënë pjesë e kombësisë hui. Gjithashtu, në fillim të shekullit të 13-të, për shkak të luftës, shumë persë dhe arabë të Azisë Qendrore u detyruan të vinin në Kinën Veriperëndimore dhe nisën integrimin nëpërmjet martesave dhe fesë me banorë të kombësive hane, ujgure e mongole, duke u bërë kështu edhe ata pjesëtarë të kombësisë hui. Kombësia hui beson në islam. Në qytetet, qytezat dhe fshatrat ku banojnë hui, janë ndërtuar xhami, duke formuar kështu tiparin e banimit përreth xhamive. Kombësia hui ka karakteristikat e saj të veçanta ushqimore dhe mund të shohësh restorante dhe dyqane ushqimore "të kombësisë hui" ose "hallall", që u shërbejnë posaçërisht banorëve të kësaj kombësie. Zhvillimi ekonomik e kulturor i kombësisë hui është mjaft i lartë dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin historik të Kinës.

Kombësia ujgure

Kombësia ujgure përbëhet tani nga më shumë se 10.06 milionë veta. "Ujgur" do të thotë "unitet" ose "bashkim". Ujgurët jetojnë kryesisht në Kashgar dhe Hetian, në jug të maleve Tianshan të Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit, si edhe në zonat Aksu dhe Korla. Pjesa tjetër e tyre gjendet e shpërndarë në Yili, në veri të maleve Tianshan, dhe pika të tjera. Një numër i vogël ujgurësh jeton në Taoyuan, Changde dhe zona të tjera të provincës Hunan.

Origjina e kombësisë ujgure zë fill në shekullin e 3-të, në popullsitë nomade që jetonin në veri të Kinës dhe në luginat në jug të liqenit Baikal në veriperëndim, ndërmjet lumit Ertiks (Irtysh) dhe liqenit Balkhash. Në mes të shekullit të nëntë, ata u zhvendosën në veri dhe në perëndim të maleve Tianshan, duke u integruar me popullsitë nomade turke dhe me pjesëtarë të kombësisë hane, që jetonin aty që prej dinastisë Han. Bashkë me banorët që jetonin prej kohësh aty dhe khitanët, tubotë e mongolët që u shpërngulën më vonë, ata jetuan së bashku për një kohë të gjatë dhe formuan kombësinë ujgure.

Ujgurët kanë gjuhën e tyre, që i përket familjes së gjuhëve altaike dhe që shkruhet me alfabet arab. Pas themelimit të Kinës së Re, u promovua shkrimi me bazë alfabetin latin dhe tani përdoren të dyja alfabetet së bashku.

Ujgurët besojnë në islam. Festat tradicionale përfshijnë Festën e Bajramit, Festën e Kurbanit dhe Festën e Borës së Parë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore