Kina, mbi 60 mld dollarë importe ushqimore në vit

2018-11-26 15:07:34 CRI Komenti juaj Printoni

Sipas një raporti të publikuar në fillim të këtij muaji, nga viti 1997 deri në 2017-n, vlera e përgjithshme e importit të ushqimeve të Kinës ka shënuar një rritje mesatare vjetore 14.6 %. Kina importoi vjet 61.6 miliardë dollarë amerikanë produkte ushqimore, si mish, qumësht, fruta deti, arra etj., nga më shumë se 180 vende e rajone të botës.

Në fakt, "ethet" e konsumatorëve kinezë për ushqimet e importit janë shfaqur plotësisht nga pjesëmarrja e tyre entuziaste në Ekspozitën e 1-rë Ndërkombëtare të Importit të Kinës.

Çdo ditë, në sallën e ushqimeve dhe të produkteve bujqësore të Ekspozitës, qindra mijë përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse vinin për të provuar specialitetet e sjella nga firmat e mbi 100 vendeve, duke vlerësuar edhe mundësinë e tregut.

"Duam të gjejmë produkte të reja, sidomos ato më inovative ose që nuk gjenden në tregun e tanishëm. Këto makarona çasti nga Singapori janë të shëndetshme, sepse nuk duhet të tiganisen si produktet e tjera të këtij lloji", tha një vizitor.

Shumica e pjesëmarrësve në ekspozitë ishin nga organet e pushtetit vendor dhe kompani të krahinave të ndryshme të Kinës. Ata erdhën me dëshirën për të gjetur raste bashkëpunimi. Sipas një raporti të publikuar ditët e fundit nga Dhoma e Tregtisë së Ushqimeve dhe të Specialiteteve Vendëse e Kinës, me ngritjen e nivelit të jetesës së banorëve kinezë, vëllimi i ushqimit të importuar në 20 vjetët e fundit është rritur 15.2 herë. Duke folur për arsyet e këtij ndryshimi, nënkryetarja e kësaj Dhome Yu Lu shpjegon:

"Arsyeja e parë, pa dyshim, është rritja e të ardhurave. Qytetarët janë në gjendje të paguajnë më shumë për produkte ushqimore cilësore. Së dyti, zakonet e konsumatorëve kinezë janë ndërkombëtarizuar dhe ata preferojnë tani të provojnë produkte të ndryshme. Së treti, të rinjtë janë bërë forca kryesore e konsumit dhe ata mbajnë një qëndrim më të hapur ndaj botës. E katërta dhe më e rëndësishmja është politika e hapjes e qeverisë, e cila ka lehtësuar importin dhe kryerjen e procedurave përkatëse tregtare".

Siç vuri në dukje edhe znj. Yu, tashmë njerëzit në Kinë, pas pasurimit dhe gëzimit të kushteve të përshtatshme për tregtinë ndërkombëtare, kanë edhe kërkesa për të përsosur përmbajtjen e "menusë" së tyre. Të dhënat statistikore tregojnë se vitin e kaluar, ShBA-ja, Australia, Zelanda e Re, Indonezia dhe Franca ishin pesë vendet kryesore nga të cilat Kina importoi ushqime. Produktet e mishit e të qumështit dhe frutat e detit janë tre llojet më të pëlqyera nga konsumatorët kinezë, duke zënë mbi 44 % të vëllimit të përgjithshëm të importit të vendit.

Zv.presidenti i lartë i Këshillit të Eksportit të Prodhimeve të Qumështit të ShBA-së, Jaime Castaneda, i tha Radios së Jashtme të Kinës se, pavarësisht problemeve tregtare midis Kinës dhe ShBA-së, ai është i bindur se qeveritë e të dy vendeve janë mjaft të mençura për t'i zgjidhur këto probleme, duke e rifutur tregtinë dypalëshe në binarët normalë.

"Jam optimist për tregun kinez, sepse konsumi i produkteve të qumështit është në rritje të vazhdueshme dhe konsumatorët kinezë preferojnë të provojnë produkte të ndryshme. Besoj se liderët e të dy vendeve do të arrijnë më në fund konsensus, duke marrë parasysh shqetësimet e ndërsjellja, dhe se marrëdhëniet tona do të rikthehen në gjendjen e zhvillimit të qëndrueshëm", shtoi z. Castaneda.

Nga viti 2015 deri vitin e kaluar, importet ushqimore të Kinës nga vendet përgjatë "Një brez, një rrugë" kanë pasur një rritje të shpejtë. Vjet ato arritën në 17.88 miliardë dollarë amerikanë, 10.3 % më shumë se në vitin 2016. Tani vaji, drithërat, frutat e detit dhe frutat e freskëta janë më të mirëpritura nga konsumatorët kinezë.

"Fresh Line" është një kompani egjiptiane frutash. Kryeekzekutivi i saj Moataz Moharam i shprehu Radios së Jashtme të Kinës dëshirën e kompanisë së tij për të sjellë më shumë fruta cilësore në tregun e madh kinez:

"Tani për tani,ne eksportojmë në Kinë portokalle, qitro, limona dhe rrush. Shpresoj se Kina dhe Egjipti do të nënshkruajnë sa më shpejt marrëveshjen për lehtësimin e tregtisë së shegëve, luleshtrydheve etj. Në ekspozitën e importit të Kinës krijova kontakte me shumë klientë të mundshëm dhe po presim rezultate të pasura sivjet."

Larmia e ushqimeve që vendosen tani në tryezat e banorëve kinezë është e pandashme nga veprimtaria e kompanive kineze të importit. "Linghai" është një firmë kineze që merret me importimin e frutave të detit. Në ekspozitën e nëntorit, gaforret 4-5 kilogramë nga Rusia dhe aragostat 2.5 kilogramë nga Australia ishin produkte përfaqësuese të kompanisë. Gati 400 prodhues të huaj demonstrojnë produktet e tyre në platformën e "Linghai"-t, nëpërmjet së cilës shitësit dhe blerësit mund të krijojnë lidhje të ngushta me anën e ndërmjetësimit të kompanisë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore